Në dy raste të ndara, Policia e Kosovës arreston pesë persona

Kronikë e zezë

Në dy raste të ndara, Policia e Kosovës arreston pesë persona

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 17:10
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona në dy raste të ndara.

Në rastin e parë, në Obiliq janë prangosur dy zyrtarë komunalë për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe një qytetar për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.

“Rasti i parë: Hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NjRHKEK) – Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë trajtuar një rast ku të përfshirë kanë qenë zyrtarë nga Komuna e Obiliqit dhe një qytetar. Dy të dyshuarit: A. B. dhe N.K.Sh. (zyrtarë komunal), dyshohet se janë përfshirë në veprën penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Kurse, i dyshuari R.H., dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’ , ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘mashtrim’. Rasti është trajtuar nën dyshimin se një pronë është tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Qytetari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa ndaj dy të dyshuarve tjerë rasti do të vazhdohet në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në rastin e dytë, në vazhdën e hetimeve të rastit “subvencionet” janë arrestuar dy persona të dyshuar për “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

“Rasti i dytë: Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit, sot më 08.12.2022 në vazhdën e zhvillimit të hetimeve në rastin e njohur si ‘subvencionet’, me autorizim nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dy persona: V.P. dhe P.B., nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘marrja e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’”, thuhet në njoftim.

Pas intervistimit, i dyshuari V.P. është ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari P.B. është liruar dhe lënda ndaj tij do të trajtohet në procedurë të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat