40 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunim në Gjermani

Kronikë e zezë

40 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit për dhunim në Gjermani

Më: 14 mars 2023 Në ora: 16:49
Gjykata Themelore në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e paraburgimit deri në përfundim të procedurës për lejueshmërinë e ekstradimit, duke i caktuar masën e paraburgimit 40 ditë të dyshuarit L.S., për vepër penale të dhunimit.

Sipas komunikatës për media të kësaj gjykate, INTERPOL, ka lëshuar urdhër arrest për arrestimin e L.S., nga Republika Federale e Gjermanisë, me kërkesë për ekstradimin e tij autoriteteve të Gjermanisë.

Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se L.S., në territorin e Gjermanisë ka kryer
vepër penale, “abuzim seksual i rënduar i një fëmije që përkon me dhunimin” nga Kodi Penal të Gjermanisë.

“I kërkuari/pandehuri L.S., është shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendimin e datës
29.08.2022 të Gjykatës së Heidelbergut të Gjermanisë. I njëjti do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej dyzet (40) ditë, i cili do të llogaritet nga data 13 mars 2023 dhe do të zgjasë deri më 22 prill 2023”
, thuhet në komunikatë.

Sipas kwsaj komunikate, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Ilir Rashkaj, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës së konkretizimit të ekstradimit, gjegjësisht marrjes së vendimit për lejueshmërinë e ekstradimit.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat