Dy të plagosur/ Zbardhen detaje të reja për grabitjen ku cak ishte furgoni që transportonte paratë

Kronikë e zezë

Dy të plagosur/ Zbardhen detaje të reja për grabitjen ku cak ishte furgoni që transportonte paratë

Më: 17 mars 2025 Në ora: 11:38 Përditësuar në ora: 19:15 më 17.03.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Një i arrestuar për grabitjen dhe plagosjen në Veternik, Prokuroria ndan detaje

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me komunikatë për grabitjen në oborrin e një qendra tregtare, ku pati edhe të shtëna me armë dhe për pasojë dy persona mbetën të plagosur.

Një person është arrestuar lidhur me këtë rast, ndërkohë që po vazhdon ndjekja e personave të cilët ndodhen në arrati.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik, se Prokurori kujdestar është informuar nga Njësiti Policor se në lagjen Veternik të Prishtinës ka ndodhur rasti i ‘’Grabitjes’’ në oborrin e një qendre tregtare.

Ndërkohë hetuesit policor në bashkëpunim me Prokurorin e shtetit kanë ndaluar një (1) person për vepër penale ‘’Grabitja’’ nga neni 317 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe Prokuroria Themelore vazhdon ndjekjen e personave të cilët ndodhen në arrati”.

Prokuroria thotë se për momentin nuk mund të ofrojë të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo Prokurori i shtetit është i përkushtuar që në koordinim dhe bashkëpunim me organet e rendit të zbardh çështjen në tërësi.

Vetura që dyshohet se u përdor në grabitje ku pati të plagosur po ekzaminohet nga policia

Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në hapësirat e jashtme të qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.

Cak i grabitjes ishte vetura e kompanisë së sigurimit e cila transportonte para, e ku u plagos një punëtor.

Të dyshuarit kishin ikur nga vendi i ngjarjes me një automjet Pick Up, me targa gjermane.

Automjeti u gjet i braktisur dhe i djegur në rrugën “Pal Mëlyshi” në Çagllavicë.

“Pick Up-i” i përdorur nga grabitësit po ekzaminohet nga hetuesit policor.

Dy të plagosur/ Zbardhen detaje të reja ekskluzive për grabitjen ku cak ishte furgoni që transportonte paratë

Policia e Kosovës ka zbardhur detaje të reja lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi sot rreth orës 10:30 në lagjen “Veternik”, pranë qendrës tregtare “Albi Mall”.

Katër persona të maskuar dhe të armatosur me armë të gjata kanë sulmuar një furgon që transportonte para, duke shkaktuar panik dhe kaos në zonë. 

Si pasojë e të shtënave me armë, dy persona kanë mbetur të plagosur. Media ka mësuar se njëri prej tyre është pjesëtari i sigurimit, Fahri Ademi, i cili ishte në mbrojtje të furgonit, ndërsa personi tjetër i plagosur është një nga grabitësit, i identifikuar si Milan Vukojeviq. Të dy të lënduarit po vazhdojnë të qëndrojnë në spital për trajtim mjekësor. 

Sipas burimeve të IndeksOnline brenda policisë, grabitësit, pasi kanë realizuar sulmin, janë larguar me një automjet të llojit “Pick-Up” në drejtim të Graçanicës.

Të dyshuarit i kanë ruajtur transportuesit e parave tek automjeti i tyre, detaje të reja nga grabitja në Veternik

Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në Veternik, ku një person ka mbetur i plagosur.

Media mëson se të dyshuari i kanë ruajtur transportuesit e parave te automjeti i tyre dhe kur kanë dalë me para nga objekti i kanë sulmuar.

Sipas burimeve të medias të dyshuarit kanë qenë me një “pick up”.

Deri më tani nuk ka të arrestuar, derisa ekipet e hetuesve janë në vendin e ngarjes.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ka thënë se cak i grabitjes ka qenë një furgon që po transportonte para.

Një person është dërguar për tretman mjekësor pasi është plagosur.

“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjestarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë,  janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.”

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të personit që u plagos.

Syla ka thënë se janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritet të intervenohet me sallën e operimit në Qendrën emergjente.

Ai ka shtuar se gjendja është e rëndë.

“Është sjellë një i plagosur me armë zjarri në QE. Është duke u trajtuar te ne, janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritet të intervenohet në sallën e operimit në Qendrën Emergjente nga ekipet e anestezionit dhe kirurgjisë. Gjendja është shumë e rëndë”, ka thënë ai.

Grabitja e armatosur në Prishtinë: Punëtori i kompanisë së sigurimit në gjendje të rëndë

Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në Veternik, konkretisht në hapësirat jashtme të qendrës tregtare Albi Mall, në Prishtinë.

Cak i grabitjes kishte qenë automjeti i një kompanie të sigurimit që barte para, e për pasojë u plagos edhe punëtori i saj, i cili u dërgua në QKUK.

Media mëson e viktima ka marrë dy plumba në shpinë.

E lidhur me gjendjen e punëtorit të sigurimit detaje ka dhënë edhe drejtori i Emergjencës Naser Syla.

Syla tha për median tha se gjendja e pacientit është shumë e rëndë.

“Është sjellë një i plagosur me armë zjarri në Qendrën Emergjente, është duke u trajtuar te ne , jonë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritet të intervenohet në sallën e operative në Qendrën Emergjente nga ekipet e anestezionit dhe Kirurgjisë, gjendje shumë e rëndë e pacientit”, tha Syla.

Plagosja në Prishtinë, drejtori i Policisë del në vendin e ngjarjes

Një person dyshohet se është plagosur në afërsi të një qendre tregtare në Prishtinë.

I njëjti është dërguar për trajtim në QKUK.

Dyshohet se atje kishte ndodhur një tentim-grabitje, ku cak ishte automjeti i një kompanie të sigurimit që barte para.

Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gazmend Hoxha.

Deri më tani policia nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me rastin.

------

Një person është plagosur sot pranë një qendre tregtare në Prishtinë.

Sipas informacioneve të para, i plagosuri është dërguar menjëherë në Emergjencën e spitalit për trajtim mjekësor.

Dyshohet se sulmi ka ndodhur ndaj një furgoni që kryen bartjen e parave.

Policia ende nuk ka dhënë detaje shtesë rreth këtij rasti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat