Arrestohet një polic në Gjilan, dyshohet se rrahu të fejuarën e tij

Kronikë e zezë

Arrestohet një polic në Gjilan, dyshohet se rrahu të fejuarën e tij

Më: 19 prill 2025 Në ora: 10:21
Foto ilustrim

Një polic është arrestuar në Gjilan, pasi i njëjti dyshohet se ka rrahur të fejuarën e tij.

Inspektorati Policor i Kosovës njofton se disa ditë më parë hetuesit e Inspektorat Policor të Kosovës kanë pranuar një ankesë nga një qytetare nga Gjilani e cila pretendonte se një zyrtar policor (i cili ishte i fejuari i saj) ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Pas pranimit të këtyre informacioneve, bazuar në veprimet hetimore paraprake të realizuara dhe nga dëshmitë e mbledhura nga hetuesit e IPK-së është siguruar një bazë e dyshimit të arsyeshëm se zyrtari policor i përfshirë si i dyshuar në këtë rast ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj ankueses”, thuhet në njoftim.

Tutje, IPK thotë se bazuar në këto rrethana, me dyshimin se zyrtari policor ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”, i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në kuadër të veprimeve të natyrës administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij.

“Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, njofton IPK.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat