Vjedhje në mes të ditës në Gërmi – qytetares i thyhet vetura, ia marrin kuletën me para e dokumente

Kronikë e zezë

Vjedhje në mes të ditës në Gërmi – qytetares i thyhet vetura, ia marrin kuletën me para e dokumente

Më: 21 maj 2025 Në ora: 16:37
Foto ilustrim

Pasiguria në parkun më të frekuentuar të Prishtinës po rritet.

Sot rreth orës 11:00, Prokuroria është njoftuar për një rast vjedhjeje që ka ndodhur mbi pishinën e Gërmisë, afër restorantit “SunHouse” në rrugën “Sabit Vllahiu”.

Burimet bëjnë me dije se viktima, V. I. kishte parkuar veturën e saj rreth orës 09:00 dhe kishte dalë për ecje. Në veturë, në dollapin e përparmë, kishte lënë kuletën me dokumentet personale, rreth 200 euro para të gatshme, të cilat i janë marrë nga hajni.

Rreth një orë më vonë, kur ishte kthyer, ka parë që xhami i pasëm i veturës ishte thyer dhe kuleta mungonte. Policia është lajmëruar menjëherë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe kanë konstatuar gjurmët e vjedhjes.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, thyerja e veturës ishte parë nga kalimtarë të rastit, të cilët e kanë përshkruar si një veprim të shpejtë të personave ende të paidentifikuar. Pas njoftimit të policisë, është kontaktuar edhe njësia e krimteknikës për dokumentimin dhe fotografimin e dëmeve.

Më pas, viktima është shoqëruar në stacionin policor për të dhënë deklaratë dhe rasti është iniciuar si “Vjedhje e Rëndë”, me udhëzim të personave kompetent.

Kjo ngjarje nënvizon nevojën urgjente për rritjen e pranisë policore dhe sistemit të monitorimit në parkun e Gërmisë, ku siguria e qytetarëve po cenohet gjithnjë e më shumë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat