Dy persona arrestohen nga pakujdesia për ndezjen e zjarrit që dogji 7 hektarë grurë në Viti

Kronikë

Dy persona arrestohen nga pakujdesia për ndezjen e zjarrit që dogji 7 hektarë grurë në Viti

Më: 10 korrik 2025 Në ora: 21:54
Foto ilustrim

Njësiti i Hetimeve nga Stacioni Policor në Viti, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ka arrestuar dy persona të dyshuar (meshkuj kosovarë), pasi dyshohet se ata kanë shkaktuar shpërndarje të pakontrolluar të zjarrit, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe pronës.

Policia e Kosovës njofton se hetimet intensive kanë zbuluar se dy të dyshuarit, në dy raste të ndara, njëri në rrugën “Ylvi Demiri” në qytetin e Vitisë dhe tjetri në fshatin Sllatinë e Ulët, kanë djegur mbeturina në mënyrë të pakujdesshme, duke shkaktuar zjarre që kanë përfshirë rreth 7 hektarë tokë të mbjellë me grurë.

Për këtë arsye, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ngritjen e kallëzimeve penale ndaj të dy të dyshuarve për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.”

“Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë qytetaret të jenë vigjilent dhe të kujdesshëm pasi që ndezja e zjarrit në vendet e papërshtatshme mund të shkaktojë dëme të mëdha, të përhapë flakët në mënyrë të pakontrolluar dhe të rrezikojë jetën dhe pronën e qytetarëve.

Për çdo rast të zjarrit apo dyshim për veprimtari të paligjshme në këtë drejtim, ftojmë qytetarët të raportojnë menjëherë në numrat emergjentë 192 ose 112, në mënyrë që të reagojmë me kohë dhe të parandalojmë pasojat.”, thuhet tutje në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat