Arrest shtëpiak për zyrtarin doganor në Vërmicë, lejoi hyrjen e mallrave pa kontroll

Kronikë

Arrest shtëpiak për zyrtarin doganor në Vërmicë, lejoi hyrjen e mallrave pa kontroll

Më: 18 korrik 2025 Në ora: 16:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Një rast i kontrabandës është zbuluar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ku një zyrtar doganor dhe një transportues mallrash janë arrestuar të enjten, si pjesë e një aksioni të Njësisë për Antikontrabandë.

Burimet e medias bëjnë me dije se ndaj zyrtarit doganor është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prizren ku ka kërkuar sot nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin I.K, ndaj të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, pasi ai dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, zyrtari në fjalë dyshohet se qëllimisht nuk ka kontrolluar një automjet furgon të markës ‘Mercedes Sprinter 316 CDI’, të cilin e drejtonte i pandehuri A.K. Ky i fundit kishte hyrë në pikën kufitare dhe e kishte parkuar furgonin në kabinën nr.6, ku fillimisht ia dorëzoi një letër doganierit dhe më pas u kthye për të marrë dokumentet.

Në njoftim thuhet se: “… i njëjti me qëllim nuk e hap bagazhin e veturës dhe nuk bënë kontrollimin, në atë mënyrë që automjeti- furgoni i markës ‘Mercedes Sprinter 316 CDI’, të cilën e drejtonte A.K., hynë në pikën kufitare dhe e parkon automjetin në kabinën nr.6, dhe fillon të komunikojë me të pandehurin, të cilit ia jep një letër dhe pastaj kthehet për të marr dokumentet dhe futet deri tek dera e kabinës ku ishte duke punuar i pandehuri I.K., dhe pas bisedës së shkurtër, të cilët duke qenë në dijeni se brenda kabinave ka video incizim me audio, të dy dalin jashtë dhe bisedojnë edhe disa sekonda, pastaj drejtuesi i furgonit A.K., largohet me furgon duke mos u kontrolluar fare, ndërsa i pandehuri I.K., në të dhënat ‘SEED’, regjistron se furgoni i lartpërmendur është i zbrazët…”.

Pas kësaj, furgoni kishte lëvizur në drejtim të Prizrenit në rrugën e vjetër, ku afër një restoranti ishte ndaluar nga Njësia për Antikontrabandë, të cilët e kishin sinjalizuar me borinë dhe dritat rotative.

Pas kontrollit rezultoi se furgoni ishte i mbushur me mall komercial – patika sportive të ndryshme – në vlerë prej 11,457.60 euro, duke iu shmangur detyrimeve doganore në shumën 3,414.36 euro.

Sipas Prokurorisë: “…me të cilat veprime i pandehuri në vlerën e cekur prej 3,414.36 €, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat