Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në 24 orët e fundit, nën dyshimin se kanë shtënë me armë zjarri gjatë ahengjeve familjare në disa qytete të vendit.
Në Lladroc të Malishevës, policia arrestoi dy persona, ku gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan një pushkë gjuetie me 16 fishekë, një revole dhe 17 gëzhoja. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. Në Vushtrri, një person u arrestua pasi kishte shtënë disa herë me armë zjarri në një aheng familjar. Pistoleta dhe dy gëzhoja janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari u lirua me procedurë të rregullt.
Në Lipjan, policia arrestoi një tjetër person, të cilit iu sekuestrua një armë automatike AK-47 dhe 18 gëzhoja. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërkohë në Janjevë, një person u shoqërua në polici për të shtëna me armë gjatë një ahengu, ku iu sekuestrua një pistoletë me gaz. Me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në mënyrë të rregullt.