Arrestime dhe konfiskime armësh në Kosovë brenda 24 orëve

Kronikë e zezë

Arrestime dhe konfiskime armësh në Kosovë brenda 24 orëve

Më: 6 tetor 2025 Në ora: 09:40
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka raportuar disa raste që lidhen me armëmbajtje pa leje, përdorim të armëve të zjarrit dhe lëndime trupore të lehta në territorin e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit.

Në rrugën "Garibaldi" në Prishtinë, dje një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

I dyshuari, ka shtënë në drejtim të viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konfiskuar tri gëzhoja si dëshmi materiale. Prokurori është informuar për rastin, ndërsa hetimet janë në vijim.

Në një rast tjetër që ka ndodhur dje në Ferizaj, një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur tetë gëzhoja, ndërsa është sekuestruar një pistoletë me leje që ishte në posedim të të dyshuarit. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, policia ka njoftuar për dy raste të ndara në rrugën "Hazir Gjaka" në Vushtrri, ku janë arrestuar dy persona për posedim të paautorizuar të armëve dhe municionit.

Në rastin e parë, gjatë kontrollit të një automjeti, janë gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK-47 me 30 fishekë dhe një revole pa municion.

Në rastin e dytë, gjatë kontrollit të një personi në një lokal, janë gjetur dhe konfiskuar shtatë fishekë të armës së zjarrit. Të dy të dyshuarit, pas intervistimit dhe në konsultim me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat