Dy persona janë plagosur dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore në incidentin që ka ndodhur sot, më 17.10.2025, në Pejë.
I dyshuari për këtë rast është arrestuar dhe është dërguar në stacionin policor.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 4 armë zjarri, në mesin e tyre dy “Kallashnikovë“, një veturë dhe prova të tjera që lidhen me rastin.
Burime të kallxo thonë se rasti dyshohet se mund të jetë bërë në shenjë të hakmarrjes.
Sipas burimeve në fjalë, të plagosurit në incidentin e sotëm (17.10.2025) ishin të dyshuar për vrasjen e vëllait të të dyshuarit. Në atë incident i plagosur kishte mbetur edhe i dyshuari i incidentit të sotëm.
Burimet thonë se të plagosurit e sotëm e kishin përfunduar masën e paraburgimit, dhe i dyshuari i kishte pritur prapa Gjykatës së Pejës dhe i ka plagosur.
Më 28 prill 2022, në fshatin Volljakë, komuna e Klinës, në parkingun e një restoranti, ishte vrarë Fazli Hoxha.
Sipas Prokurorisë, vrasja e tij ishte kryer për qëllime hakmarrjeje të paskrupullt.
Ai atë ditë kishte darkuar për iftar me vëllezërit e tij Albertin dhe Mahmutin.
Ndërkohë që Fazliu kishte humbur jetën, vëllezërit e tij Alberti dhe Mahmuti kishin pësuar lëndime të lehta trupore nga kjo ngjarje.
Prokuroria i ngarkonte me akuza për vrasje të rëndë të realizuar në bashkëkryerje Nderim Gashin, Basri Gashin, Agron Gashin, Ardit Gashin dhe Bahri Gashin.
Kurse Ylli Gashi akuzohej se ka ndihmuar në vrasje duke ia siguruar armën Nderim Gashit.
Sipas aktakuzës, të gjitha këto veprime nga të pandehurit janë ndërmarrë me motiv hakmarrjeje ku tre vëllezër të tjerë të të dëmtuarve Hoxha kishin rrahur një vëlla të të pandehurve Gashi për një borxh 300 euro në Brescia, Itali.