I dyshuari B.Sh., për kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, është ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale.
Prokuroria Speciale, brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, thuhet në komunikatë.
Në fund thuhet se Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, rithekson përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe në sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale korruptive.