Vrasja e dyfishtë që tronditi Malishevën, detajet e fundit - ja çfarë dihet deri tani

Kronikë e zezë

Vrasja e dyfishtë që tronditi Malishevën, detajet e fundit - ja çfarë dihet deri tani

Më: 6 nëntor 2025 Në ora: 13:12 Përditësuar në ora: 10:39 më 07.11.2025
Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës.

​Vrasja e dyfishtë në Malishevë, drejtori i Emergjencës flet për gjendjen e të dyshuarit për vrasje

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla deklaroi se Astrit Isufi është i plagosur me armë dhe gjendja e tij është stabile.

Ai tha se në Emergjencë të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në Malishevë janë duke iu bërë ekzaminimet dhe me pas trajtimin mjekësor do ta vazhdojë në Klinikën Abdominale.

Syla: Është i plagosur me armë

“Gjendja është stabile, është i plagosur me armë statuare janë duke i kryer ende ekzaminimet pas trajtimit tretmani vazhdon në Kirurgji Abdominale”, tha ai.

I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve Driton dhe Naim Morina para shtëpisë së tyre në Gollubovc të Malishevës është arrestuar sot pas orës 06:00.

Për plagët e marra ai fillimisht mori trajtim mjekësor në QKMF në Malishevë dhe më pas është sjell për trajtim mjekësor në QKUK.

Dje në fshatin Gullbovc të Malishevës dy vëllezër u vranë nga dhëndri i tyre para shtëpisë së tyre. I dyshuari pasi shtiu për vrasje në drejtim të dy vëllezërve iku nga vendi i ngjarjes.

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në fshatin Golluboc

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar opinionin publik se është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili ishte në kërkim për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës.

Sipas njoftimit, arrestimi i të dyshuarit është bërë pas një periudhe arratie, ndërsa Policia e Kosovës, në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin.

Brenda afateve të parashikuara me ligj, Prokuroria do të paraqesë në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit A.I, thuhet në njoftim.

Dalin fotografitë e dy vëllezërve që mbetën të vrarë sot në Malishevë

Dy vëllezër mbetën të vrarë sot në Gollubovc të Malishevës, ndërsa dorasi dyshohet të jetë dhëndri i tyre.

Nëpër rrjete sociale kanë nisur të qarkullojnë edhe disa fotografi që pretendojnë se paraqesin pikërisht dy viktimat, Driton dhe Naim Morina.

I dyshuari në këtë rast është Astrit Isufi, dhëndri i tyre.

Image
Driton dhe Naim Morina.

Siç ka mësuar media në momentin kritik, motra dhe mbesa e viktimave kanë qenë në veturë së bashku me Astritin.

Dramë e papërshkrueshme: Vëllezërit Morina u vranë në sy të motrës dhe mbesës së tyre

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e dyfishtë që tronditi sot Malishevën.

I dyshuari Astrit Isufi (dhëndër i familjes) u mori jetën vëllezërve Driton dhe Naim Morina, në prani të motrës së tyre.

Burimet kanë treguar për redaksinë se motra e viktimave ka qenë në veturë bashkë me vajzën, kur i dyshuari kreu vrasjen.

“I dyshuari ka ardh me marrë gruan e tij e cila ka qenë tek familja e saj, përkatësisht tek viktimat. Incidenti ka ndodh pasi kanë dalë nga shtëpia dhe janë nis, pas disa metrave i dyshuari është ndalë ka dalë nga vetura dhe e ka kryer veprën ndërkohë që gruaja(motra e viktimave) dhe vajza e tij kanë qenë në veturë”, tha burimi.

Redaksia po ashtu ka mësuar se Astrit Isufi i cili aktualisht gjendet në arrati, është emër i njohur për organet e rendit.

Ai ka qenë i dyshuar për dy vepra penale, ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.

Në anën tjetër, lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila tha se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të personi që vrau vëllezërit në fshatin Gollubovc të Malishevës.

Viktimat kanë nga dy plumba në gjoks, doktori tregon për vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës

Doktori i Urgjencës në Komunën e Malishevës, Festim Sylejmani, ka dhënë detaje të reja mbi vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës.

Ai ka thënë se të dyja viktimat janë sjellë pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.

Dy vëllezër janë vrarë të enjten nga dhëndri i tyre në Golluboc, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Doktori Sylejmani tha se viktimat i kanë pasur nga dy plumba në gjoks.

Sylejmani: Viktimat s’kanë pasur shenja jete

“Pacientin e kam parë dhe e kam ekzaminuar, por s’ka pasur shenja jete hiç. Bebëzat i ka pasur të zgjeruara komplet dhe parametrat vitalë i ka pasur zero. Ka pasur dy plumba në gjoks, i kemi edhe raportin dhe fotografitë. Pacienti tjetër në Kijevë, pasi ata i kam gjetur aty dhe kam shkuar si mjek i urgjencës prej Malishevës në Kijevë, ka pasur po ashtu dy plagë. Njërën e ka pasur në gjoks dhe tjetrën në anën e djathtë. Kur kam mbërritur, të dy kanë qenë pa shenja jete, po ashtu edhe kur i ka pranuar doktoresha kanë qenë pa shenja jete,” tha ai.

Në raportin e policisë thuhet se dy vëllezërit, rreth orës 11:30, u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.

I dyshuari, sipas policisë, është nga një fshat i Drenasit, i cili është identifikuar, por nuk është arrestuar ende.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha se dorasi ka raporte familjare me viktimat, por zyrtarisht nuk dihen ende motet. Ai theksoi se i njëjti është në arrati, por shtoi se po punojnë së bashku me Policinë e Kosovës për kapjen e tij, raporton KosovaPress.

Vrasja e dy vëllezërve në Malishevë, Prokuroria konfirmon: I dyshuari kishte aktakuzë për dhunë në familje

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës. I dyshuari për këtë ngjarje është dhëndri i viktimave.

Sipas informacioneve të para, pas kryerjes së krimit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes.

Personi i dyshuar, me inicialet A.I, aktualisht është në kërkim nga Policia.

Mësohet se ai ka pasur edhe më parë probleme me ligjin, ndaj të cilit Prokuroria në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprat penale "Dhunë në familje", dhe "Kanosje".

"Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit te dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore ne Prishtine, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhunë ne familje” sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” në bazë të nenit 181 të KPRK-së", ka konfirmuar Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, policia më herët ka konfirmuar se vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:00, ku i dyshuari pas krimit ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Dhëndri që vrau dy miqtë, në prill ishte në burg – ka aktakuzë për dhunë në familje

I arratisuri për vrasjen e dyfishtë, ku privoi nga jeta dy miqtë e tij, në fshatin Gollubovc të Malishevës është emër i njohur për organet e rendit.

Burimet kanë bërë me dije se Astrit Isufi ka qenë i dyshuar për dy vepra penale, ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.

Sipas informacioneve të para, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur edhe aktakuzë ndaj tij për këtë rast.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari në muajin prill ka qenë edhe në paraburgim dhe nuk dihet kur i është ndërprerë masa e sigurisë.

Isufi, i cili ka ikur pas krimit të rëndë, dyshohet se i vrau vëllezërit e gruas, te shtëpia e tyre në Malishevë.

Policia dhe Prokuroria tashmë janë aktivizuar ëpr të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit. 

Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e dy vëllezërve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Golluboc të Malishevës, ku dyshohet se dy vëllezër janë vrarë nga një person.

Sipas informatave të para nga Policia e Kosovës, i dyshuari që ka vrarë të dy personat është dhëndër i tyre, ndërsa është i fshatit Sankovc i komunës së Drenasit.

Policia e Kosovës me Njësinë K9 është vënë në kërkim të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve.

Dorasi dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të marrë gruan e tij, derisa pak ditë më parë dy viktimat kishin varrosur babanë e tyre.

Ai është arratisur dhe po kërkohet nga policia aktualisht. 

“Erdhi në të pamë për babanë e gruas”- Familjarët tregojnë se si ndodhi vrasja e dy vëllezërve nga Malisheva

Ngjarja e rëndë që ndodhi sot në fshatin Gullbovc të Malishevës ka tronditur fshatin dhe jo vetëm. Dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri para shtëpisë së tyre, në një kohë kur familja ende ndodhej në ditë zie për humbjen e babait.

Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, i dyshuari për vrasjen është A.I nga Sankovci, bashkëshorti i motrës së viktimave. Ajo kishte ardhur në shtëpinë e familjes së saj për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait.Sot, në momentin kur ende po vinin njerëz për ngushëllim, i dyshuari ka shkuar për ta marrë bashkëshorten. Pasi është larguar disa metra nga oborri, është kthyer përsëri dhe ka shtënë me armë zjarri ndaj dy vëllezërve që qëndronin para derës së shtëpisë.

Të dy kanë ndërruar jetë në vend.

“E pamja ishte kryer para tre ditësh, por ende vinin njerëz për me ngushëllu. Ai erdhi për me e marrë gruan, u kthye dhe i vrau në prag të shtëpisë. Kjo ta këputë shpirt. Edhe babën para pak ditësh e kemi pas varrosë,” ka thënë një i afërm i familjes, për sinjalin.

Ky është i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

Dy vëllezër janë vrarë sot në fshatin Gullbovc të Malishevës.

Dorasi dyshohet se është dhëndri i tyre, A.I. nga Sankovci i Drenasit, raporton Sinjali.

Ngjarja dyshohet se ka pasur motiv familjar, i cili kishte filluar më herët mes palëve.

Detaje për rastin për Paparacin ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj.

“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, thotë ai.

---

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në fshatin Golluboc të Malishevës.

Viktimat dyshohet se janë vëllezër, ndërsa i dyshuari që është në arrati është dhëndër i tyre.

Lajmin e konfirmoi Lumni Graishta nga Policia në Gjakovë.

“Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në fshatin në fshatin Golluboc të Malishevës. Viktimat janë dy vëllezër, ndërsa i dyshuari dyshohet se është dhëndër i tyre, për momentin është në arrati. Policia është në kërkim të tyre”, tha ai.

Graishta shtoi se motivi dyshohet të ketë qenë një fjalosje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat