​Mbi 2 mijë ankesa dhe dhjetëra arrestime, viti që vuri në provë integritetin policer

Kronikë

​Mbi 2 mijë ankesa dhe dhjetëra arrestime, viti që vuri në provë integritetin policer

Më: 26 dhjetor 2025 Në ora: 16:41
Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar përmbledhjen e aktiviteteve për vitin 2025 (deri më 26 dhjetor), duke raportuar rritje të ndjeshme të ankesave dhe intensifikim të veprimeve hetimore, disiplinore dhe inspektuese ndaj Policisë e Kosovës.

Sipas IPK-së, gjatë vitit 2025 janë pranuar dhe menaxhuar gjithsej 2,480 ankesa, që përbën mbi 20 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. Nga këto, 1,753 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për trajtim në Policinë e Kosovës, ndërsa 717 ankesa janë dërguar në Departamentin e Hetimeve të IPK-së për dyshime për vepra penale.

Rritja e numrit të ankesave, sipas IPK-së, lidhet kryesisht me fuqizimin e besimit të qytetarëve, rritjen e transparencës dhe rolin aktiv të institucionit në mbikëqyrjen e veprimtarisë policore.

Gjatë vitit 2025, IPK ka arrestuar 47 persona të dyshuar, prej tyre 41 punonjës të Policisë së Kosovës dhe 6 qytetarë, dhënë 129 rekomandime për suspendim dhe 2 rekomandime për transfer, dorëzuar në prokuroritë kompetente 110 kallëzime penale, 36 raporte të veçanta dhe 85 raporte informuese.

Pesë veprat penale më të shpeshta të trajtuara nga IPK gjatë këtij viti kanë qenë: keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, rrezikimi i trafikut publik, lëndimi i lehtë trupor dhe kanosja.

IPK ka realizuar gjithsej 12 inspektime, prej tyre 5 të rregullta dhe 7 të jashtëzakonshme, nga të cilat kanë dalë 76 rekomandime për përmirësimin e performancës policore. Inspektimet kanë përfshirë fusha të ndryshme, si menaxhimi i punësimit dytësor, trajtimi i dhunës në familje, përdorimi i teknologjisë në trafik, administrimi i automjeteve të sekuestruara dhe funksionimi i qendrave të ndalimit.

Gjatë vitit 2025, IPK ka vazhduar bashkëpunimin me institucionet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Prokurorinë e Shtetit dhe agjencitë homologe të rajonit. Po ashtu, IPK ka qenë aktive në Partneritetin Evropian Kundër Korrupsionit (EPAC) dhe ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, përfshirë atë të Shoqatës Kombëtare të Hetimeve të Brendshme (NIAIA) në SHBA.

IPK nëpërmjet një komunikate ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke ritheksuar përkushtimin për adresimin e shqetësimeve të tyre dhe për ndërtimin e një shërbimi policor profesional, me integritet të lartë dhe standarde evropiane.

Të dhëna më të detajuara pritet të publikohen në Raportin Vjetor të IPK-së për vitin 2025.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat