Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se pas zbatimit të masave të veçanta hetimore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprimtari të paligjshme me narkotikë.
Sipas njoftimit të prokurorisë , të arrestuarit me inicialet Q.H. dhe R.H. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
Gjatë realizimit të urdhërkontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të kokainës, armë si dhe para të gatshme, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të ndaluarve.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.