Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm kundër trafikimit me narkotikë, pas hetimeve disamujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Në kuadër të rastit të koduar “Bregdeti”, më 21 janar 2026, rreth orës 23:00, afër pikëkalimit kufitar në Merdare, është ndaluar i dyshuari H.S., i cili po drejtonte një kamion me targa vendore. Gjatë kontrollit në kamion janë gjetur të fshehura 68 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme 76 kilogramë e 800 gramë.
Po ashtu, me urdhër të gjykatës, është realizuar kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, në asistencë të Njësisë për Reagim të Shpejtë, ku janë sekuestruar: një armë zjarri me pesë fishekë të kalibrit 9.9 mm, dy vetura, një kamion, një telefon celular, si dhe 2 mijë e 950 euro para të gatshme.
Në vazhdim të operacionit, më 22 janar 2026, janë kryer bastisje edhe në dy lokacione të tjera – shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatin Godishnjak të Podujevës. Gjatë kontrollit janë gjetur katër paketime me marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë, dy vetura, dy telefona celularë, thasë najloni të zbrazur dhe ngjitës të përdorur për paketimin e narkotikëve, si dhe një armë me gaz e modelit “Sig Sauer”.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Prokuroria ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtejme hetimore në përputhje me ligjin.
Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, me qëllim ndriçimin e veprave penale dhe sigurimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët e Republikës së Kosovës.