Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit E.I., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Sipas gjykatës, vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Shaqë Curri, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë. Sipas gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të paraparë në nenin 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Masa e paraburgimit është caktuar duke u bazuar në kushtet ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale, për shkak të rrezikut të ikjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale.
Paraburgimi ndaj të pandehurit E.I. ka filluar më 20 janar 2026, në ora 13:50, dhe do të zgjasë deri më 19 shkurt 2026, në ora 16:00.