Një person është gjetur pa shenja jete pasditen e sotme në një automjet në lagjen Veternik në Prishtinë.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Sot rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në një automjet në Veternik në Prishtinë. Vdekjen e viktimës, mashkull, e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka deklaruar ai.
Sipas informatave të para, viktima është identifikuar si Hekuran Hoxha nga Gjakova, i cili kishte qenë kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Hoxha ishte gjithashtu asambleist në Kuvendin Komunal të Gjakovës dhe, sipas të dhënave publike, ishte nip i figurës historike Isa Boletini.
Rasti fillimisht është raportuar si gjuajtje me armë, ndërsa Policia në koordinim me Prokurorinë e Shtetit ka nisur hetimet dhe po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes.
Autoritetet kanë bërë të ditur se detaje të tjera do të publikohen pas përfundimit të procedurave hetimore.