Tentoi t`u shmanget Policisë, arrestohet shoferi i automjetit

Kronikë

Tentoi t`u shmanget Policisë, arrestohet shoferi i automjetit

Më: 7 shkurt 2026 Në ora: 20:51
Foto ilustruese

Policia e Kosovës ka arrestuar një shofer dhe tre pasagjerë pas një ndjekjeje disa-kilometërshe, e cila ka filluar në zonën e Obiliqit dhe ka përfunduar në Mitrovicë.

Sipas njoftimit zyrtar, një njësi policore ka tentuar të ndalojë një automjet në Obiliq, mirëpo drejtuesi i mjetit nuk ka respektuar sinjalizimet e policisë dhe, duke rrezikuar drejtpërdrejt zyrtarin policor, ka vazhduar lëvizjen në drejtim të Vushtrrisë dhe më pas në Mitrovicë.

Në koordinim me njësitet e Stacionit Policor në Obiliq, ndjekja e automjetit të dyshuar është vazhduar nga Njësitë e Trafikut Rrugor të Mitrovicës, të cilat kanë përdorur vazhdimisht sinjalizime për ndalim. Gjatë ndjekjes, shoferi ka rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe, në tri lokacione të ndryshme në zonën e Mitrovicës, ka goditur tri herë veturën policore që ishte në ndjekje.

Falë profesionalizmit, qetësisë dhe vetëpërmbajtjes së zyrtarëve policorë, automjeti është ndalur në një lokacion të përshtatshëm, pa rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik, në rrugën nacionale Mitrovicë–Zubin Potok, përkatësisht në segmentin rrugor në fshatin Zupç. Aty është bërë arrestimi i shoferit dhe i tre pasagjerëve.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor.

Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj shoferit është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat