Një person është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të 7 shkurtit 2026 në fshatin Koshtovë të Mitrovicës, pasi dyshohet se ka rrezikuar zyrtarët policorë gjatë një ndjekjeje.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 01:40, i dyshuari mashkull kosovar, derisa ishte duke drejtuar veturën e tij, nuk është ndalur në një pikë kontrolli policor. Pas kësaj, ai ka vazhduar lëvizjen dhe ka goditur me veturë një automjet zyrtar të Policisë së Kosovës.
Si pasojë e aksidentit, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, por pas marrjes së tretmanit mjekësor janë liruar. Nga përplasja janë shkaktuar edhe dëme materiale në automjetet e përfshira.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.