Dhunë ndaj gruas në Klinë – policia i gjen edhe armë pa leje

Kronikë

Dhunë ndaj gruas në Klinë – policia i gjen edhe armë pa leje

Më: 5 mars 2026 Në ora: 08:49
Foto ilustrim

Një rast i dhunës në familje është raportuar në fshatin Zajm të Klinës, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë sistematike ndaj bashkëshortes së tij. Gjatë hetimit të rastit, policia ka zbuluar se i dyshuari posedonte edhe armë pa autorizim.

Siç mëson media, rasti është raportuar më 4 mars 2026, rreth orës 12:00, kur një qytetar ka denoncuar në polici se motra e tij – viktima B.H. – e kishte telefonuar një ditë më parë, më 3 mars rreth orës 09:00, duke i treguar se po përballej me dhunë të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj, A. H.

Pas raportimit, patrulla policore së bashku me një hetuese për dhunë në familje kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar viktimën, e cila ka deklaruar se për një kohë ishte viktimë e dhunës sistematike nga bashkëshorti, si pasojë e së cilës kishte pësuar edhe lëndime trupore.

Viktima është shoqëruar në stacion policor së bashku me katër fëmijët e saj, ndërsa i dyshuari fillimisht nuk është gjetur në shtëpi. Rreth orës 13:00, ai është paraqitur vetë në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa sipas raportit mjekësor i janë konstatuar lëndime trupore.

Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se në shtëpinë e tij posedon një pistoletë kalibër 9 mm, për të cilën leja kishte skaduar më 12 dhjetor 2024. Po ashtu, në posedim kishte edhe dy karikatorë, pesë fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe pajisje për pastrimin e armës.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konfiskuar armën dhe municionin.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, përveç veprës “Dhunë në familje – Lëndim i lehtë trupor”, është shtuar edhe vepra penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

I dyshuari A. H është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat