​Lojëra fati ilegale në Malishevë, mbyllet lokali

Kronikë

​Lojëra fati ilegale në Malishevë, mbyllet lokali

Më: 13 mars 2026 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Në komunën e Malishevës janë konfiskuar pesë aparate të lojërave të fatit dhe është mbyllur një lokal që po ushtronte veprimtari të kundërligjshme.

Drejtori i Inspektoratit në Malishevë, Jakup Gashi, ka njoftuar se inspektorët komunalë kanë ndërhyrë pasi u zbulua një lokal ku po zhvilloheshin lojëra të fatit në mënyrë ilegale. Sipas tij, rasti fillimisht është identifikuar nga Policia e Malishevës, e cila gjatë kontrollit ka konstatuar se në lokal përdoreshin aparate për lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

Pas identifikimit të rastit, Inspektorati Komunal ka vepruar në bashkëpunim me Policinë, duke njoftuar edhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës për procedurat e mëtejshme.

Gjatë aksionit janë konfiskuar gjithsej pesë aparate të lojërave të fatit, ndërsa lokali është mbyllur nga Inspektorati Komunal deri në përfundimin e procedurave ligjore ndaj rastit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat