Vodhi ari në vlerë rreth 20 mijë euro gjatë iftarit në Lipjan, identifikohet një i mitur

Kronikë

Vodhi ari në vlerë rreth 20 mijë euro gjatë iftarit në Lipjan, identifikohet një i mitur

Më: 14 mars 2026 Në ora: 08:49
Foto ilustrim

Një rast i vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur në fillim të marsit në një shtëpi në fshatin Torinë të Lipjanit, është zbardhur nga policia pas identifikimit të autorit të dyshuar.

Ngjarja ishte raportuar më 3 mars 2026 rreth orës 19:20, kur pronarja e shtëpisë E. I., rreth 39-vjeçare kishte njoftuar policinë se gjatë kohës së iftarit, derisa ajo dhe familja e saj nuk ndodheshin në shtëpi, persona të panjohur kishin depërtuar me forcë në banesë.

Sipas deklarimit të ankueses, nga shtëpia ishin vjedhur stoli ari në vlerë rreth 20 mijë euro.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë relevante policore, ndërsa me udhëzim të prokurorit kujdestar ishte iniciuar rasti si “Vjedhje e rëndë” dhe kishin nisur hetimet për identifikimin e autorit.

Pas veprimeve hetimore, më 12 mars 2026 rreth orës 23:30, hetuesit kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, i cili sipas burimeve është një i mitur me inicialet E.A., i lindur në vitin 2012.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se i dyshuari ka pranuar se e ka kryer veprën penale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në ndalim për 24 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat