Operacion i befasishëm në kufi – Policia e Kosovës kap ar të padeklaruar në një autobus në Hani të Elezit

Kronikë

Operacion i befasishëm në kufi – Policia e Kosovës kap ar të padeklaruar në një autobus në Hani të Elezit

Më: 6 maj 2026 Në ora: 21:12
Policia e Kosovës kap ar të padeklaruar në një autobus në Hani të Elezit

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, ka realizuar me sukses një operacion në pikën e kalimit kufitar Hani i Elezit, duke parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar.

Sot, rreth orës 16:10, mbi bazën e informacioneve inteligjente, është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë (M.L.).

Gjatë kontrollit të detajuar, në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme (varëse dhe unaza), të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari.

Pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram. I njëjti nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera do të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës.

Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës mbeten të vendosura në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke garantuar siguri dhe rend në kufijtë shtetëror të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat