Një incident mes të rinjsh ka përfunduar me denoncim në Polici në Leposaviq, ku dy të mitura kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga një person me të cilin njëra prej tyre kishte qenë më herët në lidhje.
Burime të medias bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 22 majit në rrugën “24 Nëntori”, afër Postës në Leposaviq.
Sipas informatave fillestare, njësia patrulluese ka hasur dy vajzat e mitura, të cilat kanë deklaruar se i dyshuari Nikola Radosavlevic i kishte sulmuar fizikisht dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Burimet thonë se incidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një lidhjeje të mëhershme që i dyshuari kishte pasur me njërën nga të miturat.
Policia ka tentuar ta lokalizojë të dyshuarin, por ai nuk është gjetur.
Dy të miturat janë shoqëruar në stacion policor, ku vetëm njëra është intervistuar në prani të prindit, ndërsa intervistimi i vajzës tjetër është shtyrë për shkak të mungesës së prindit apo punëtorit social.
Vajzat nuk kanë pranuar trajtim mjekësor, pasi sipas Policisë nuk kishin lëndime të dukshme.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm” dhe mbetet nën hetime.