Arrestohet një person në Klinë për sulm ndaj policisë

Kronikë

Arrestohet një person në Klinë për sulm ndaj policisë

Më: 9 qershor 2026 Në ora: 10:37
Fotoilustrim

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Klinë, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, “Sulm” dhe “Kanosje”.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmjen e 8 qershorit 2026, rreth orës 23:20, kur Stacioni Policor në Klinë ka pranuar një kërkesë për ndihmë nga një qytetare. Viktima kishte raportuar se po kërcënohej nga i dyshuari, i cili dyshohej se posedonte edhe armë zjarri.

Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme operative, kanë tentuar arrestimin e të dyshuarit. Megjithatë, ai ka refuzuar t’u bindet urdhrave të policisë dhe ka kundërshtuar arrestimin, me ç’rast dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Pas vënies nën kontroll dhe arrestimit të tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një revole, një karikator dhe nëntë fishekë të kalibrit 9 milimetra.

Policia njofton se i dyshuari ka vazhduar me sjellje kërcënuese edhe në ambientet e Stacionit Policor në Klinë, ku ka kanosur zyrtarët policorë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat