Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë

Kultura

Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë

Nga: Nexhat Halimi Më: 12 janar 2021 Në ora: 17:07
Nexhat Halimi

E porosita një kafe dhe ndërsa e pija me përpima fishkëllime ngaqë nuk më ndiqte askush, mendja seç më vajti te ai. Kjo ndodhte vite më vonë, ngaqë nuk ishim parë as në qytet e as në ndonjë ekspozitë. E kisha mik të mirë dhe shumë gjëra i mësoja nga ai për artin. Piktori i shquar ngjau të udhëtonte për në Paris, të begatojë hapen e një ekspozite të një pike gjaku nga bylyku ynë, nga damari i njërit nga guri ynë, të cilin ky vizatues i përmendur e kishte tepër në qejf ta përdorte në skica e vizatime dhe në vargjet e Gjakshkrimit të vet dhe në ato të Simfonisë së kaltër ... Papritur nga atje, nga kryeqyteti i artit e i kulturës, kohë më vonë do të kthehet i lënduar, ende i sëmurë, gjysmë i gjymtë, veç ende i aftë të ligjëroi dhe të pikturoi. Çfarë ndodhi atje?

Me emër e me mbiemër m'i përmendi ata që e kishin shkaktuar këtë gjë, për t'ia prerë hovin e rrjedhës së tij të papërmbajtur në krijimtari.

Kohë më vonë e takova, me vullnet të humbur.

-E pimë nga një kafe në një mbrëmje të ftohtë dimri në një Restorant në Prishtinë, me ç' rasat më foli e më foli sesi nuk i kanë mundësuar krerët e profesionit të marrte klasën e vet të artit, t'i mësonte studentët me zanatin më të vjetër të tërheqjes së vijës së fletën e bardhë. Më tha se dilte rrallë dhe atë e bënte në prani të bashkëshortes. Delte të shëtiste mbrëmjesh në qytet dhe me ndonjë rast të veçantë. E mua më kujtua njëra nga fjalitë e shkëputura atë mbrëmje dimri, sesi mirë i kujtohej cila dorë e zezë e shtyu nga ballkoni i katit të tretë e ky kishte rënë poshtë në rrugë apo trotuar i pavetëdijshëm dhe me t'u zgjuar iu kishte kujtuar ngjarja dhe e kishte parë veten në spital me pësimet që tashmë i ka në vete.

Vetvetiu m'u kujtua një bisedë e hershme me të, të cilën e kishte realizuar në fillim të punës së gazetarit për Rilindjen. Natyrisht, me porosi të gazetës së vetme të përditshme në botë në gjuhën shqipe...

E kujtoj atë bisedë me ndonjë ndryshim dhe tash, të bërë me rastin e Shpërblimit të Dhjetorit për të arritura të suksesshme në fushën e artit aplikativ për vitin 1973, ndarë piktorit akademik, eseistit e poetit Nebih Muriqi.

Ky shpërblim, më i larti tek ne erdhi pas sukseseve të shumta të tij të arritura në Kosovë dhe në vend, për çfarë edhe mori pesë shpërblime, tri prej të cilave janë me karakter ndërkombëtar. Më 1969 për vizatim nga shpërblimi i Universitetit të Beogradit, më 1971 në manifestimin „Penda e artë e Beogradit" për ilustrimin e poezisë mori „Pendën e artë", po në këtë vit në Beograd, në ekspozitën „Ushtarët- artistë figurativë" u shpërblye për pikturë. Ndërkaq, në vitin 1972, përsëri, për ilustrimin e poezisë fitoi „Plaketën e artë të Beogradit" dhe „Penën e artë të Rilindjes". Deri tash ky krijues i talentuar organizoi edhe gjashtë ekspozita personalë . Më 1969 ekspozoi në „Kolektivin Grafik" në Beograd, më 1971 në Sombor dhe Zemun, ndërsa më 1972 në Beograd dhe në Ferizaj, e më 1973 në Prishtinë, me ç’ rast ekspozoi më se dyzet e dy punime, pikturat dhe vizatime. Në këto ekspozita ai u angazhua që edhe shikuesi i rëndomtë mund të komunikojë lehtë me veprat e tij, të cilat në vete ngërthejnë porosi të qartë, por gjithnjë duke respektuar edhe vlera artistike, rrymimet e reja në artin bashkëkohës, që në vërtetë është specifikë e këtij krijuesi. Të cekim (kalimthi) se krahas aktivitetit në lëmin e artit aplikativ e sidomos në atë figurativ, Nebih Muriqi është paraqitur edhe me shkrime eseistike dhe me kritika të artit figurativ, si dhe aktivisht është marrë me poezi. Si frutë i gjithë kësaj janë dy vëllimet e tij me poezi “Në synin e pranverës" dhe „Kariatidet" dhe disa proza poetike ...

Mbi preokupimet e tij të mëtejme dhe mbi çështje të ndryshme estetike zhvilluam këtë bisedë me të . Ai më dëgjonte dhe natyrisht përgjigjej, e çmonte fjalën dhe sado të jetë për kohën e paarsyeshme prapë ia jepte respektin e duhur për lexuesit e Rilindjes.

-Njeriu si qeneje e ndërlikuar, me të gjitha përpjekjet e tij shpirtërore, psikofizike është subjekt tejet interesant për trajtim artistike. Krijimtaria artistike me shekuj qe pjesë përbërëse e qenies njerëzore, qe vetë jeta dhe ideali i tij, synimi dhe ekzistenca e tij në hapësirë e kohë. Edhe qeniet më primitive që jetonin në shpella artin e kishin pjesë të pandarë të qenies së tyre. Ç 'e nxitë krijimtarinë time artistike, nuk është e lehtë ta them me fjalë, ngase veprimtaria artistike është akt i ndërlikuar dhe krijues i domosdoshëm për çdo qenie njerëzore humane dhe me ideale të larta. Krijimtaria, andaj, është ushqim shpirtëror, pjesë ekzistenciale e vetë dijes. Krijuesi që verën me mençuri të mprehtë fenomenet e ndryshimeve qenësorë psikofizike të njeriut bashkëkohës, të huajsohet dhe bëhet thesar i begatshëm ndjenjash të fisnikuara. Këto ndjenja, duan të shpërthejnë dhe duke u materializuar në varg, ngjyrë, vijë lindin veprat artistike: poezia, piktura, grafika. Këto vepra janë vetë shpirti i njerëzve, i hapësirës dhe kohës që kalitën nga mendje e mprehtë e krijuesit artistik…

-… Mediokritet me ambicie të mëdha dhe mundësi të vogla kreative tërë jetën bredhin rreth çështjeve periferike, duke mos prekur kurrë thelboren e ekzistencës së njeriut. Po njëkështu me vlerësuesit pseudo krijues. të cilët duke mos poseduar aftësi krijuese dhe njohuri të gjerë teorike favorizojnë mediokritetet, duke sjell kështu mjegulli në artin e bashkëkohës, por këto fenomene nuk janë të reja, ngase njëkështu ndodhi edhe në kaluarën. Të kthehemi tash te krijuesi i cili qenien njerëzore nuk e ka preokupim kryesor: kjo çështje ka të bëj me vetë humanizmin njerëzor. Si do t'i qaset ai një problemi varet nga pjekuria dhe pastërtia e tij shpirtërore, e cila duhet të ec në harmoni me mundësitë kreative të krijuesit.

… Krijuesi duhet të mishërohet në atë që krijon, po deshi që vepra e tij të mos mbetet thjeshtë eksperiment, ose të mos mbetet e vlershme vetëm nga aspekti formal . Eksperimentet dhe tendencat e tjera që ekzistojnë sot në të gjitha lëmit e artit nga një anë ndihmojnë zhvillimin e mëtejmë të artit në përgjithësi, meqë ky synim duhet të jetë edhe evolucion në krijimtari, por mendoi se nga ana tjetër edhe në dëm të madh të artit, nëse eksperimentet mbeten vetëm eksperimente që konsiderohen si zbulime të reja të artit bashkëkohës. Këto eksperimente të cilat po i pagëzojmë me “krizë” vërtet duhet t'i konsiderojmë si embrion të cilat, në të ardhmen, duhet të lind diç e re dhe evolutive. Nëse flitet për një farë krize të atit bashkëkohës fjala është për komercializimin e tij- vërshimin e kiçit në tregun botërorë, fenomene këto që i kushtëzojnë marrëdhëniet shoqërore dhe vetë ndryshimet shoqërore historike, lindjet e mendimeve të reja, si kundër janë televizionet e të tjera. Sot nuk ndodh si në kohën e Baironit, që një, femër të dashurohet në vargjet e tij dhe të bie viktimë e dashurisë. Një dukuri. e tillë humane që ka të bëj me ndjenjat, e fisnikuara të njeriut sot kishte për të qenë qesharake, ngase sot femra më shumë e çmon vlerën formale materiale të njeriut se sa atë shpirtërore. Sot as krijuesi nuk ka, guxim as mundësi të mbyllet mes katër muresh katër vjet, sikundër ndodhi me Mikllangjellon në Kapelën e Sikstinit, nga se edhe nëse sakrifikon shëndetin në krijimtari të këtillë bie viktimë e pafajshme e mardhënjve bashkëkohëse, e zhvillimit të teknikës e cila është duke zëvendësuar shpirtin e njeriut, duke kushtëzuar tëhuajsimin dhe varfërinë e tij shpirtërore. Përkundër krizës në botë, por ka edhe krijues të denjë dhe të rryer, të cilët i kanë mbetur besnikë kohës së tashme plot rrënime, pësime, qëndresa, progrese.

…Shpesh herë vizitorët e rëndomtë që nga arti kërkojnë prehje shpirtërore. demoralizohen kur kontaktojnë me veprat e piktorëve që trajtojnë probleme të mëdha njerëzore. Ndodh kjo me ata që nga arti kërkojnë çlodhje psikike, e, e përjetojnë të kundërtën. Krijuesi bashkëkohës në veprat e të cilit vie në shprehje gjuha artistike universale dhe në të cilat trajtohen problemet qenësorë ekzistencës së njeriut nuk mund te jetë edhe aq optimistë për shkak të vetë Situatës, e cila mbretëron sot në botë. Sot teknika, ka zëvendësuar shumë funksione të njeriut duke e rrezikuar edhe qenien e tij. Përdorja e bombës atomike dhe pasojat e saj në imagjinatën e krijuesit krijojnë vizion të atillë, të cilin e përshkon shkatërrimi material e shpirtëror i qenjeve njerëzore në hapësirë e kohë. Vepra e piktorit, që ngërthen një porosi të këtillë nuk mund të konsiderohet si dekadente, ngase të vërtetën duhet ta shikojmë me sy real. Porositë e piktorit duhet te na shërbejnë si vërejtje se çfarë duhet bërë që të pengohet një kataklizëm e tillë. E ne, shpesh herë nuk jemi real, jemi pa arsye optimistë dhe veprat e tilla i konsiderojmë si dekadente, por kuptohet se kjo ndodh vetë me shikues të rëndomtë. Kështu nuk ndodhë me vlerësuesit dhe estetët e rryer. Të cilët këto vepra i konsiderojnë si shkencore dhe me vlera të larta artistike. Një nga piktorët e spikatur botërorë është edhe Dada Gjuriqi, i cili tërë jetën ia ka kushtuar krijimtarisë e mbyllur në një mulli të vjetër afër Parisit, jeton nga, krijimtaria e tillë artistike. Veprat e tij na bindin me fuqinë e shprehisë artistike. Si dhe me tema aktuale nga realiteti njerëzor.

-…Në atelienë time, thënë më mirë në dhomën time ndodhen piktura të kryera, të posa filluara, një numër i madh vizatimesh dhe disa pëlhura të përpunuara, që presin ngjyrën, vijën, formën. Me fjalë të tjetra presin lëvizjen e qenies sime. Çfarë porosie do të ngërthejnë do të shohim në të ardhmen, Dhe për to do të flet vetë opinioni. Mendoj në pëlhurat që janë të përgatitura dhe presin frymëzimet. Ndërkaq për veprat e kryera dhe të ekspozuara e dhanë mendimin e vet të mirë shumë kritikë eminentë, Oto Bihali Merin, Gjorgje Kadieviq, dr Pavle Vasiq e Mila Rajkoviq e të tjerë. Andaj nuk është e rrugës të riflitet për to, meqë me elementet e artit figurativ kam thënë çfarë kam pasur të them. E atë që nuk e ka kapur brusha, qoftë për shkak të kushteve materiale, në të cilat krijoj, qoftë për shkak të rasteve të tjera, e thash me penë nëpërmjet vargjeve në dy përmbledhje të botuara dhe në një të përgatitur për shtyp…

E këpus perin e mendimit për Krijuesin të cilin Zoti na e dërgoi, por vetë e plagosëm shumë herë, të mos mund të ecë tutje, veç të mëdhenjtë mbesin gjithnjë të mëdhenj, të papërsëritshëm… E në bazë të veprave të tyre na njeh bota e artit sot e gjithmonë…Ikja ende përmbi radhët e bisedës, të zhvilluar para afro pesëdhjetë vjetësh më parë. Ka kohë nuk e kisha parë vullkanin e tij të pashuar artistik. Vetëm mund të paramendoja se ai gjendej mirë dhe prisja ta shikoja ndonjë ekspozitë të re apo ndonjë libër me kritika apo me poezi, me çfarë ai di të më befasojë. Kurrsesi nuk e prisja plagën e dhjetë të Gjergj Elez Alisë, sado që ai tashmë qe mësuar me plagosje të tilla.

-Kamerier, eja të paguaj?

- Kafenë e ke prej shtëpisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat