Rrëfimi për një dashuri në heshtje

Kultura

Rrëfimi për një dashuri në heshtje

Nga: Dibran Demaku Më: 28 janar 2021 Në ora: 08:47
Dibran Demaku

-Ptu,dreqi e marrtë!-ia bëri vetës derisa po shihte jashtë nga xhami i dritares dhe po vërente se si përjashta po fryente një erë si e marrë.Aq shumë po fryente saqë nën peshën e saj sikur po dorëzoheshin edhe drunjtë rreth rrugës.Era si e tërbuar po merrte gjithçka përpara.Fletët e pemëve nën presionin e erës ngriteshin në hapsirë dhe fluturonin sa majtas djathtas.Ndonjë tas konzerve herë fluturonte në ajër herë përplasej trotuareve duke bërë zhurmë.Dy studente që nuk dihej se ku kishin qenë dhe tash ktheheshin shtrengoheshin fort në njëra-tjetrën që mos t‘i merrte me vete era dhe t‘i përplaste për trotuari.Flokët e tyre nën presionin e madh të erës merrnin formën e skulpturave të kohërave moderne.
Ai e shikoi orën.Ishte koha kur duhej të nisej.As nuk i nisej as nuk i rrihej.Frika se ajo erë që fryente si e tërbuar do të bëhej shkak i mos ardhjes së saj sikur i ndalte frymën.Vetëm një ditë më parë kishte bërë të pamundurën derisa e kishte bindur që së bashku të iknin në kino.Dhe ja tash kjo kohë e marrë që mund të përmbyste gjithçka.

Me një shpetësi të pazakonshme doli nga dhoma.Për pak minuta u gjend para konviktit të vajzave.Edhe tek konvikti i vajzave kishte pak lëvizje,dhe ai ishte i detyruar që të priste ca minuta derisa në hyrje të konviktit u dha një studente.Ai e luti që të shkonte deri tek dhoma ku ishte ajo duke i përmendur numrin e dhomës dhe emrin e saj.

Pas pak ajo u paraqit në dritaren e saj me krejt bukurinë e saj dhe me zërin e saj magjik i tha që të priste vetëm pak minuta derisa ajo të zbriste shkallët.
Pas pak ata të dy po ecnin rrugicave të kryeqytetit pranë e pranë dhe herë herë i buzëqeshnin njëri-tjetrit.Era edhe më tutje fryente si e tërbuar dhe merrte me vete gjithçka gjente përpara.Flokët e saj të gjata fluturonin në mënyrë të pakontrolluar dhe shpeshëherë i zinin edhe shikimin,por ajo i largonte ato me dorën e majtë ndërkaq me dorën e djathtë shtrëngohej fort për dorën dhe trupin e tij.Dora e saj e shtrënguar fort për dorën e tij po ndodhte për herë të parë që kur njiheshin dhe ai për këtë e falenderonte erën e cila po i dhuronte atë çast të magjishëm.Lumturia e tij po arrinte kulmin.Me dorën e tij po e shtrëngonte dorën e më të bukurës së gjeneratës,për të cilën mbesnin pa gjumë të gjithë ata djem që e shihnin për herë të parë.Dora e saj e butë e shtrënguar fort për dorën e tij sikur po i digjte shuplakën e dorës.Njëherë i shkoi në mendje që të fillonte dhe ta lëmonte atë dorë të butë dhe të ëmbël,por frika se ajo mund të lëndohej dhe të largonte dorën i largoi atë mendim.

Po kalonin qendrës së kryeqytetit dhe kalimtarët e rastit i shihnin me një dashamirësi të pashpjegueshme.Ndonjëri nga kalumtarët edhe u buzëqeshte me shikimin e ngulitur tek ajo.Bukuria e saj sikur i magjepste ata dhe ndojëri nga ta nxirrte edhe ndonjë ofshamë të pakontrolluar.Ato shikime dhe ofshama të pakontrolluara atë nuk e shqetësonin fare,përkundrazi ai e ndiente vetën krenar që kishte pranë dhe e shtrëngonte për dore më të bukurën e gjeneratës.

Në kinon e mbushur përplot po vazhdonte të shfaqej filmi.Ajo ishte ulur në të djathtë të tij.Zemra po i rrihte me të shpejtë sikur donte t‘i dilte nga kraharori.Po e mbulonin ca djersë të pashpjegueshme.Për herë të parë ishte në kino krah për krah me një femër.Dhe jo me një femër të çfarëdoshme,por me më të bukurën e gjeneratës.Dhe kjo e vështirësonte edhe më shumë dilemën e tij.T‘i thonte asaj për ndjenjën e vetë apo të heshtte edhe më tutje në ëndërrimet e veta.Mbase rast më të volitshëm nuk do t‘i dhuronte më jeta.Deri më tash ai kishte shikuar shumë filma dhe kishte lexuar shumë romane me temë dashurie.Në shumë prej tyre kishte ndodhur që të dashuruarit kur ishin ndodhur në ambiente të tilla pa thënë asnjë fjalë kishin zënë të putheshin dhe pastaj dashuria e tyre kishte vazhduar në rrugën e saj normale.Atë po e dërmonte dilema nëse edhe ai do të duhej të vepronte si ata aktorët e filmave apo si ato personazhet e librave?!...Dhe kur e kishte mundur frikën dhe dilemën dhe kishte ndarë mendjen që të vepronte,kishte ndjerë se trupi që kishte afër dhe me të cilin herë pas here i preknin edhe krahët,po dridhej nga një dënesje e heshtur.E ktheu shikimin të shihte fytyrën e saj,dhe pa se në sy dhe në faqe të saj po rridhnin lot.Kishte ndodhur kjo nga ndonjë skenë e filmit apo nga ndonjë kujtim i së kaluarës,ai nuk e dinte.Por ata lot të saj po e vrisnin atë ,mbase më shumë se atë që po i nxirrte.
Kur jemi tek e kaluara,ai tashmë e dinte pothuajse krejt të kaluarën e saj.Ajo i ishte shfaqur atij,si askujt tjetër.Ai tashmë e dinte se ajo kishte pasur një dashuri të dështuar,për të cilën dashuri tash vuante.Dashuria e saj kishte ndodhur me një profesor diku nga fundi i vitit të karërt të shkollës së mesme.Se çfarë kishte ndodhur në atë dashuri të pafat ai nuk e dinte,pasiqë ajo nuk i kishte shpjeguar në detale.Veç i kishte thënë se kishte pasur një dashuri dhe një të dashur(i kishte treguar edhe emrin e tij) për të cilin mbase do të vuante tërë jetën.

Në fillim kur kishte mësuar këtë të vërtetë të hidhur,ai kishte pasur një dëshpërim të pa shpresë.Për shumë ditë kishte jetuar si i pakokë.Dikur e kishte mbledhur vetën dhe kishte arsyetuar logjikshëm.I ishte kujtuar dashuria e tij e shkollës së mesme kur ishte dashuruar me një shoqe klaseje.Dhe ajo dashuri kishte ndodhur vetëm në letra duke i thënë njëri-tjetrit Të dua dhe të puth,por që në realitet nuk kishte ndodhur asgjë.Mbase edhe më e bukura e gjeneratës ka pasur një dashuri të tillë me profesorin e saj,pa u prekur dhe pa u puthur.Vetëm dashuritë e tilla,pa u prekur dhe pa u puthur  të lënë vrragë në shpirt dhe nuk harrohen kurrë-kishte arsyetuar ai në heshtje.Dhe kishte vazhduar tutje të shoqërohej më të bukurën e gjeneratës...

Por,lotët e saj në këtë sallë kinoje të mbushur plot e përplot me shikues, e nxitën sërish atë krimbin e dyshimit se në dashurinë e më të bukurës së gjeneratës me ish profesorin e saj mund të ketë pasur diç më shumë se në dashurinë e tij prej letrave...

Kur dolën nga kinoja,mbi kryeqytet kishte ndaluar era ,por kishte reshur borë.Një borë e butë,e cila nën dritat e neonit nxirrte peisazhe të mahnitshme shumëngjyrëshe.Veçse bora e butë ishte aq e rrëshqitëshme saqë ata që kalonin mbi të rreziknon të rrëshqisnin dhe të rrëzoheshin keq.Rreziku i rrëshqitjes kishte ndikuar që ajo të ngjitej edhe më shumë për trupin e tij,ndërkaq dorën e djathtë e kishte futur thellë në xhep dhe dorën e tij që e shtrëngonte fort.Duke kaluar nëpër qendër të kryeqytetit u takuan në dyshen e gjeneratës,Mejremen dhe Adilin që tashmë të gjithë e dinin lidhjen e tyre.

Kjo kishte ndikuar që të nesërmen në çarqe studentësh të gjeneratës të pëshpëritej e të flitej se më e bukura e gjeneratës ishte parë krah për krah dhe duke u puthur me atë që i është ngjitur si rodhe.Lajmi si i tillë kishte nxitur habi dhe xhelozi tek të gjithë.Kur ky lajm kishte arritur në veshët e më të bukurës së gjeneratës ajo kishte zënë të qeshej:-Si është kjo botë?!Të shohin në rrugë duke u mbajtur tek tjetri dhe menjëherë të shpallin dashnore të tij!...Dhe kishte vazhduar të qeshej pa e prishur terezinë...Ndërkaq ai ishte mbyllur në lëvozhgën e tij dhe kishte heshtur nga frika se ajo mund t‘i largohej.Kishte vazhduar ta donte në heshtje deri në ditën kur e kishte parë të puthej me një tjetër...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat