Durimi

Kultura

Durimi

Më: 29 janar 2021 Në ora: 10:01
Foto Ilustrim

Rrëfenjë kineze
Përktheu: Bajram Karabolli

Buda dhe dishepujt e tij ndërmorën një udhëtim duke përshkuar territore dhe qytete të ndryshme. Një ditë kur dielli po shkëlqente dhe vapa po shtohej, ata, të etur për ujë, papritur shohin një pellg me ujë, diku përpara. Atëherë ndalin nën hijen e një peme dhe Buda i thotë dishepullit më të ri dhe më të paduruar:

– A mund të shkosh dhe të na sjellësh pak ujë nga ai pellgu atje?

Dishepulli menjëherë niset për te pellgu, por me të mbërritur atje, një karrocë e tërhequr nga dy dema futet në pellg dhe uji u turbullua aq shumë sa nuk mund të pihej. Në këto rrethana dishepulli mendon se nuk mund t’ia shpinte Budës atë ujë të përzier me baltë, sepse nuk mund të pihej. Kështu që ai kthehet dhe i thotë Budës:

– Ujin e turbulluan dy dema me karrocë dhe u bë tërë baltë. Prandaj nuk prura asnjë pikë prej tij. Mendoj se nuk mund ta pimë, zotëri.

Buda nuk thotë gjë, por, pas disa minutash i thotë përsëri dishepullit të shkonte në liqen dhe t’u sillte ujë për të pirë. Dhe dishepulli shkon përsëri. Por shikon se pellgu ishte akoma i turbullt dhe nuk mund të pihej. Kështu që kthehet dhe me një bindje të plotë i thotë Budës:

– Zotëri, uji vazhdon të jetë i turbullt dhe me baltë. Ai ujë nuk mund të pihet, më mirë të ecim dhe kur të mbërrijmë në qytet, me siguri, banorët do të na japin ujë për të pirë.

Buda nuk iu përgjigj dhe sërish, pasi priti edhe pak minuta, i thotë po atij dishepulli të ri të shkonte te pellgu dhe t’u sillte ujë. Dishepulli, edhe pse i bindur se ujët vazhdonte të ishte i turbullt dhe i papijshëm, duke mos dashur t’ia kthente llafin mësuesit të tij, shkoi sërish te pellgu me ujë.

Kur mbërrin aty, vë re se ujët e pellgut kishte ndryshuar pamjen e tij: tashmë ishte i qetë dhe i kulluar si kristal. Atëherë mbush pagurin me ujë dhe ia çon Budës, i cili para se ta pinte, e shikon ujin që është i kulluar dhe i thotë dishepullit të ri:

– Çfarë i bëre? Si arrite ta pastrosh ujin?

Dishepulli që nuk i kishte bërë asgjë ujit, mbetet disi i hutuar dhe nuk po i përgjigjej

Atëherë, Buda e shikon gjithë dashamirësi dhe i shpjegon:

– Natyrisht, ti nuk i bëre asgjë. Vetëm prite dhe e le siç ishte. Por, pak nga pak, balta vetvetiu ra në vendin e vet, në fund të ujit. Dhe ja, tani kemi ujë të pastër. Edhe mendja e njeriut është njësoj si puna e ujit. Njeriu, kur mërzitet, turbullohet. Prandaj, duhet ta lësh të qetë. Duhet t’i japësh pak kohë, në mënyrë që zemërimi, ashtu si balta, të bjerë poshtë dhe mendja e njeriut të kullohet. Nuk duhet të tregohemi të padurueshëm me njeriun e zemëruar. Përkundrazi, duhet të kemi durim. Mendja e njeriut, në pak kohë qetësie, do ta gjejë ekuilibrin vetë ekuilibrin e duhur. Ne nuk duhet të përpiqemi për ta qetësuar njeriun e zemëruar. Gjithçka do të ndodhë vetiu, prandaj të përmbahemi dhe t’i lëmë pak kohë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat