Dita e Shën Gjergjit - Traditat dhe zakonet

Kultura

Dita e Shën Gjergjit - Traditat dhe zakonet

Nga: Dedë Palokaj Më: 6 maj 2021 Në ora: 07:55
Dedë Palokaj

Figura dhe jeta e Shën Gjergjit. Dokët dhe simbolika e festës. Shën Gjergjin me 23 Prill sipas kalendarit Gregorian, vendet ortodokse me 6 Maj sipas kalendarit Julian. Shën Gjergji dhe dragoi. Ritet e paraardhësve tanë iliro – daradan sipas festës së Shën Gjergjit. Gjurmët e traditës sonë. Shën Gjergji në artin ikonografik. Një festë tradicionale shqiptare. Ngjarjet e festës.

Shën Gjergji u lind në Nikomedi (Nicomedia), rajon në Turqinë e sotme. Ka jetuar në shekullin III pas Krishtit ndërmjet viteve 275 – 303. Prindërit e tij ishin të krishterë, babai nga Kapadokia (Cappadocia) kurse nëna nga Palestina. Edhe vet Gjergji më vonë, pasi u bë një ushtar Romak, jetoi në Palestinë. Ai e ngriti zërin kundër padrejtësisë së madhe që u bëhëj të krishterëve, protestoi kundër persekutimit të krishterëve nga ana e Romës pagane. Shën Gjergji pësoj shumë turtura deri ne sakrifikimin e jetës së tij në mbrojtje të besimit krishter dhe në luftë kundër perandorit xhakatarë Romak Diokletian (284 – 305). Për këtë arsye gjatë shek III dhe IV u shpall “i shenjtë” respektivisht martir i Krishterimit. Pas zyrtarizimit të Krishterimit (v. 313) Shën Gjergji u bë simbol dhe mbrojtës i ushtrisë bizantine dhe shumë vendeve evropiane, për shkak se ai ishte ushtari i parë profesionalist i krishterë në Perandorinë Romake që u sakrifikua për besimin e vet.

U burgos dhe u torturua duke qëndruar besnik ndaj besimit të tij të krishterë. Me 23 Prill të vitit 303 atij iu pre koka në qytetin Lyda të Palestinës, ku edhe dihet varri i tij. (Gustave Moreau, BBC - Religion & Ethics - Saint George Introduction). Shën Gjergji festohet nga shumica e vendeve me popullatë të krishterë, pjesë të Lindjes së Mesme, tërë Evropa, SHBA etj. Shumica e krishterëve, Katolik dhe Anglikan manifestimin për nderë të këtij martiri e njohin si Saint George Day (Dita e Shën Gjergjit). Po kështu edhe ortodoksët dhe sllavet në pergjithsi e njohin si Dita e Shën Gjergjit. Si të tillë nuk e njeh kisha Protestante dhe ata nuk e festojnë festën e Shën Gjergjit. (Jacobus de Voragine, The Golden Legend: or Lives of the Saints as Englished by William Caxton, F.S. Ellis, ed. (London, 1900), vol. III:123-45), fq. 128). Festën e Shën Gjergjit e festojnë edhe disa çifut të cilët vizitojnë varrin e tij duke konsideruar qytetin Lyda si vend ku është varrosur një ndër profetët e tyre Joeli (Elishah apo Eljesai) në shekullin 9 para Krishtit. Kasha katolike Shën Gjergjin e feston me 23 Prill sipas kalendarit Gregorian, ndërsa vendet ortodokse e festojnë me 6 Maj, sipas kalendarit Julian. Kulti i Shën Gjergjit është shumë i lashtë, nisi të përhapej së pari në Palestinë.

Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores mbi dragoin, e cila në përfytyrimin popullor simbolizonte fitorën e krishterimit mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj Shën Gjergji në artin ikonografik paraqitët gjithnjë si kalorës kreshnik që ndeshet dhe mundi dragonin apo kulshendrën, simbolin e së keqës. Devocioni ndaj Shenjtit u rrit e u përhap gjithnjë më tepër në rrjedhën shekujve. Në mesjetë, kalorësit e zgjodhën Pajtor. Pas tyre u zgjodh edhe Pajtor i mbretërve të Anglisë, duke nisur nga Riçard Zemërluani (shek. XII). Shën Gjergji mbetët dhe sot e kësaj dite Pajtor i shtëpisë mbretërore angleze e trojeve të saj. Shën Gjergji është një ndër shenjtërit më të njohur edhe në trojet shqipatre. Devocioni i tij ka përshkuar shekujt, duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes së stinës së pranverës, siç është zakoni i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes së natyrës, në dyert e jashtme e të brëndshme të shtëpive, mbledhje lulesh e thurje kurorash nga fëmijët dhe rituale të shumta publike. Këto doke simbolike të festës së Shën Gjergjit i përshkruan shkrimtari i shquar, Ernest Koliqi, në poezinë e tij të njohur “Ditë Shëngjergjash”.

Në trojet shqiptare hasim shumë toponime dhe kisha me emrin ‘Shën Gjergj’ që dëshmojnë për ekzistencën e kishave dhe të kuvendeve të lashta kushtuar këtij shenjti. Theksojmë se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër shqiptarë në trajta dhe forma të ndyshme si psh. Gjergj, Gjergjush, Gjorgjina për gratë etj. Mjafton të kujtojmë se dy nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare, mbajnë emrin e këtij Shenjti të madh: Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtarë dhe At Gjergj Fishta.

Ritet që zhvillohen në vende të ndryshme për këtë festë dhe janë të shumta dhe të ndryshme. Ka shumë ngjarje që zhvillohen gjatë ditës së Shën Gjergjit por ato manifestime zakonisht shoqërohen me personazhin e Shën Gjergjit dhe Dragoit! Në kishë katolikët ndezin qirinj, në Bullgari bujqit e krishterë presin kurban ashtu që korrje – shirjet të jenë me të begatshme. Ndërsa Ortodokset në përgjithësi ofrojnë bukë të veçantë për këtë festë. Disa komunitete madje ofrojnë edhe lojëra dhe dëfrime të ndryshme. Disa mbajnë tregje për këtë ditë, disa vizitojnë varrin e Shën Gjergjit në qytetin Lyda, në Palestinë, jashtë Kishës disa therin desh/dele për nderë të Shën Gjergjit, në Britani të Madhe organizohen valle folklorike për nderë të Shën Gjergjit etj. Të gjitha ritet që kryhen për festën e Shën Gjergjit, janë më shumë rite pagane të lashta të rujatura me fanatizëm ndër breza dhe nuk kanë asnjë lidhje me krishterimin dhe besimet monoteiste. Janë këto rite të paraardhësve tanë iliro – dardano - shqiptare.

Traditat dhe zakonet

Nëse një popull nuk i ruan dokët dhe zakonët e veta që nga lashtësia të lindura në kohëra dhe kushte të caktuara, sigurishtë do të ishte popull pa histori. Shqiptarët në traditen kulturore kujdes të veçantë i kanë kushtuar riteve të Shën Gjergjit e cila është një festë që shpjegon, flet për besimet e popullit, lidhjen e tij me natyrën, me fenomenet dhe dukuritë e saja etj. Spërkatja me ujë, me hithëra, ka të bëjë me kultin e ujit, me kultin e bimësisë. Disa e lidhin me kultin e zjarrit, zbulimin e zjarrit si një fenomen që ka pasur rëndësi jetësore për njerëzit etj. Festa e Shën Gjergjit është një festë agrare që ka të bëj me tokën dhe me përdorimin e saj. Vetë fjala ‘Gjergj’, rrjedh nga greqishtja e lashtë, që do të thotë bujk.

Shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, të Malit të Zi, të Preshevës dhe Bujanocit pos festave kombëtare, shtetërore, fetare, kanë dhe kremtojnë edhe festa tjera tradicionale siç janë: Shën Gjergji, Shën Marku, Shën Mitri, Dita e Verës etj. Në ditën e Shën Gjergjit me 6 Maj bëhen rite të shumta si, vrapimi i kuajve, mundja e demave, sporti mundjes e plot gara të tjera sportive. Por e rendësishme është se këto rite nuk kan kuptim fetar dhe as kuptim të besimit pagan, ato zhvillohen për të argëtuar sa më mirë festuasit që kjo festë të jetë sa më e këndëshme. Dita e Shën Gjergjit është festë tradicionale e shqiptarëve nëpër të gjitha viset etnike e cila është përcjellur brez pas brezi. Shqiptarët trashëguan shumë zakone të vjetra iliro –dardane duke i ruajtur ritet dhe ceremonitë që ndodhin edhe në ditën e Shën Gjergjit.

Gjurmët e traditës të festës së Shën Gjergjit shkojnë larg në lashtësinë iliro - dardane atëherë kur ata besonin në shumë perëndi. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në trevat shqiptare filluan të ndërtohen tyrbe apo mauzole të ndryshme të

cilat ndërtoheshin për evliatë, hoxhallarët, shehlerët apo dervishët e devotshëm. Shqiptarët për t’i qëndruar besnik traditës ia përshtatën tani, edhe fesë islame këtë festë tradicionale.

Festa e Shën Gjergjit me 6 Maj në shumë vende të Kosovës p.sh. në Rrafshin e Dukagjinit Babaj Bokës në Gjakovë organizohen pranë tyrbes, në prani të së cilës prehen apo theren qengja, duke kërkuar nga Zoti mirësi në këmbim të flijimit. Emri i këtij fshati pitoresk në një zonë arkeologjike është shumë domethënës me një histori interesante ku flitet për një plak të mençur i quajtur Babaj Bokës i cili u themelua gjatë sundimit Osman nga 4 vëllezër: Leka-Gjoni-Bala dhe Kola të cilët bashkë me fshatarët nuk u bindën urdhërave të pushtuesit.

Mirëpo nuk qëndron fakti se Shën Gjergji është festë e traditës dhe kulturës rome dhe ashkalinjëve sepse ata janë pakicë në këtë vend dhe kanë ardhur gjatë mesjetës me çrast i përshtaten vendit dhe kulturës vendase. Në qytetin e Prizrenit p.sh. festohet me 5 maj që ndryshe qytetarët e Prizrenit i thonë “Karabash” (Kryezi) pranë tyrbes së Karabashit sepse aty në atë fushë gjenden varrezat e vjetra të qytetit, por njerëzit ulen aty pa pasur bezdi, sepse ka vetëm rrasa të vjetra. Aty hyjnë banorët e qytetit dhe të rrethit dhe kërkojnë shpëtim duke lënë ndonjë lek apo duke pirë ujin e tyrbes etj.

Sipas traditës së lashtë, Ditën e Shën Gjergjit duhet zgjuar herët në mëngjes, të shkohet rreth lumit për të marrë degë të gjelbëruara shelgu, pastaj shkohet te mulliri dhe tek lugu i mullirit të lahën degët e shelgut dhe të sillën në shtëpi etj. Kjo është një festë me plot rite dhe zakone të ndryshme, me ngjarje tradicionale - kulturore për të përjetuar ardhjen e stinës së verës. Karakterizohet me lojëra të shumta, me fluks të madh të popullatës në fusha të gjëra, pranë tyrbeve, apo ndonjë vendbanimi të lashtë historiko - arkeologjik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat