Një rrëfim sapo i dëgjuar

Kultura

Një rrëfim sapo i dëgjuar

Nga: Gani Mehmeti Më: 15 maj 2021 Në ora: 23:31
Gani Mehmeti

Zjarri i shtëpisë dhe lotët e maces

Strukturat serbe ushtarake, paraushtarake e policore kishin kaluar si shpejt nëpër fshatin Sllatinë të Mavriqit të Llapit më 1999.

Diku kishin kontrolluar e diku jo, diku kishin kontrolluar më shumë e diku më pak. Ndodhte që aty ku nuk kontrollonin, po ia jepnin zjarrin shtëpive.

Njëra nga shtëpitë që i kishin dhënë zjarrin, ishte edhe ajo e Ilmi Mhemetit në lagjen e Shalëve të Sllatinës. Kjo ishte si në të dalë nga fshati e në të hyrë në Dvorishtë.

Kur kishin arritur aty luftëtarët e UÇK të kësaj ane bashkë me ata të Mbrojtjes Civile, u shkon mendja të përpiqen ta shuanin zjarrin.

Jo, jo! E paska marrë zjarri në të gjitha anët shtëpinë, dhe mos u lodhni kot, se nuk mudemi ta shuajmë gjithë këtë zjarrë! – u ishte drejtuar pronari i shtëpisë, Ilmi Mehmeti.

Kur këta ishin ndalur e po shihnin kah digjet shtëpia, një mace po bën turr të hyjë në zjarrë! Njerëzit po përpiqen ta ndalonin, por ajo bënte turr drejt zjarrit!

Çka është kjo punë me macen, o Ilmi? – e pyesin të pranishmit, mbasi macen e kishin zënë dhe nuk po e lëshonin më, se ajo po donte të hynte në zjarrë.

O, nuk ka faj ajo pse do të hyjë në zjarrë, sepse në një qoshe të shtëpisë i kanë mbetur të vegjlit e saj! – ua pret Ilmiu që e dinte këtë.

Macen e ndaluan të mos digjej vetë, por ia kishin parë lotët në sy, duke qajtur për të vegjlit e saj që i ishin djegur në zjarrë, për të cilët po donte të hynte edhe vetë drejt zjarrit e të shkonte tek të vegjlit e saj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat