Krasinski e shkroi për tri javë skenarin e “A Quiet Place II”

Kultura

Krasinski e shkroi për tri javë skenarin e “A Quiet Place II”

Më: 28 maj 2021 Në ora: 22:12
John Krasinski

Aktori dhe regjisori, John Krasinski, i cili luajti në pjesën e parë të filmit “A Quiet Place”, përkrah bashkëshortes së tij Emily Blunt, ka thënë se për të shkruar një skenar, i duhet shumë kohë e gjatë mendimesh.

Krasinski ka thënë se për skenarin mendon për shumë muaj para se të ulet dhe ta shkruajë në kompjuter.

“Mënyra se si shkruaj është se mendoj shumë gjatë për krejt gjërat. Lë disa shënime, por i mbaj deri në pafundësi. Pasi të kem rregulluar gjërat në kokën time, atëherë filloj të shkruaj”, ka thënë Krasinski.

Ai ka bërë të ditur se skenarin e pjesës së dytë të filmit horror “A Quiet Place” e ka shkruar për vetëm tre javë. Përveç skenarit, ai ka bërë edhe regjinë.

Ndërkaq bashkëshortja e tij beson se e ka shkruar edhe më shpejt.

“Ai vetëm mendon. Dua të them se ka menduar për skenarin së paku shtatë muaj dhe pastaj është ulur dhe e ka shkruar për dy javë. Mirëpo, mendon non-stop, realizon çdo plan, pastaj i shkruan në mënyrë të përkryer. Kështu funksionon ai”, ka thënë aktorja Blunt, protagoniste e pjesës së dytë të filmit “A Quiet Place”.

Aktorja thotë se në bazë të shprehjes së fytyrës e kupton se është duke menduar rreth skenarit. “Shpesh i them: ‘Shko të shkruash’”, ka thënë aktorja. “Thjesht zhduket dhe mbyllet për tetë orë. Kur është në qejf të shkruajë, zakonisht i duhen deri në dhjetë orë në ditë”, ka sqaruar ajo. Pjesa e parë e filmit që u publikua në vitin 2018 ishte shumë e suksesshme.

Ka të bëjë me një familje që tenton të mbijetojë në një botë të mbushur me përbindësha të verbër por që ndjekin njerëzit nëpërmjet zërit. Në pjesën e parë të filmit Krasinski luajti rolin e babait, por sakrifikoi veten për ta shpëtuar familjen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat