Danush Lama dhe filozofia e tij jetësore

Kultura

Danush Lama dhe filozofia e tij jetësore

Nga: Merxhan Jakupi Më: 9 korrik 2021 Në ora: 15:22
Merxhan Jakupi

Danush Lama, i ardhur në Tetovë nga fshatrat e Kaçanikut, në vitet e '60-ta të shekullit të kaluar, në periudhën e egër të Rankoviqit, duke ikur nga reprezaljet dhe dhuna e diskriminimi, si një numër shqiptarësh të tjerë nga Kosova që kishin trysni mbi kokë nga nacionalizmi dhe shovinizmi serbomadh, shpesh rrëfente për vuajtjet dhe torturat e policisë serbe, që bastiste shtëpitë shqiptare, duke torturuar në kërkim të armëve, ndonëse nuk kishte armë. Më herët, me vëllanë e tij kishin blerë një pistoletë dhe e kishin dorëzuar në stacion të policisë në Kaçanik. Qysh si i ri kishte filluar të merrej me tregti, me shitblerjen e kafshëve nëpër pazare të qyteteve të Kosovës, Ferizaj, Gjilan, Kaçanik etj., duke i bartur kafshët më këmbë, nëpër fusha e male. Ai ishte bërë shok i ngushtë me babanë tim, në fund të viteve të '60-ta, dhe ata i kishte afruar edhe më shumë tregtia me kafshë dhe deri në vdekje mbetën të vëllazëruar.

* * *

Danush Lama, ishte një burrë elegant, i veshur me kostume, me sy ngjyrë gështenje, me flokë pak të thinjura, me xhaketë e plis të bardhë, ku kishte edhe orën e xhepit lidhur me qostek, një zotni i vërtetë. Fliste ngadalë, me zë të ulët dhe përcillte bisedën. Më kujtohet, në pazare, me klientët fliste ngadalë, me një sens humori. Me një rast, në pazar shpërtheu një konflikt verbal mes dy personave, xha Danushi ndërhyri për ta qetësuar situatën. Ai u tha atyre, se po të ketë njeriu sabër (durim), tolerancë, çdo konflikt zgjidhet. Sa që vërejta, konflikti juaj qenka shumë i lehtë. Ai ishte protagonisti që ndaloi shkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Gjatë netëve të stërzgjatura të dimrit, mblidheshin burrat, shokët dhe miqtë, tek vëllai i i tij, Qamil Lata, ku në krye të kuvendit ishte valltari dhe artisti i popullit, Cen Berisha, duke ndenjur këmbëkryq e duke pirë çaj dhe ndezur cigare.

Xha Danushi, në odë të burrave nisi muhabetin me një pyetje dy kuptimore: "A është më keq të kesh një djalë beqar, të pamartuar, për tërë jetën, apo një çikë beqare, të pamartuar?" Burrat dhanë disa versione përgjigjesh për këtë pyetje. Baca Hisen, një virtuoz i valles, të cilin e thërritshin Cen Berisha, tha se po të qëllojë që të ngel çika beqare në një familje, do të ngelë deri në vdekje. Kjo është e rëndë për atë familje, por ajo duke kaluar moshën, së bashku me gratë dhe me të vejat, kalon në moshë të shtyrë dhe bëhet plakë dhe vdes me nder në shtëpinë e prindërve. Por, tek ne shqiptarët, sipas zakoneve e traditave, burri është zoti i shtëpisë, trashëgimtar që lë pasardhës. Të mbetet një burrë i pamartuar, te shqiptarët është tragjedi, turp, do të thotë se do të mbyllet shtëpia e shuhet oxhaku. Mbetet i përbuzur dhe i nënçmuar, turp i familjes dhe i fisit", tha Cen Berisha.

Filozofi i famshëm austriak, me origjinë çifute, Karl Poper, në veprat e tij thotë se çdo njeri në një mënyrë mund të jetë filozof. Danush Lama, me fjalorin dhe rrëfimet e tij, duke përdorur figura stilistike dhe metafora, dinte të zbërthejë gjërat në mënyrë filozofike. Ai thoshte se fjala e ligë falet, por asnjëherë nuk harrohet, deri në vdekje. Ajo ngel si plagë, si nishan, si damkë.

* * *

Në ish-Jugosllavinë e dikurshme, si në të gjitha shtetet komuniste, ekonomia ishte e centralizuar. Përkundër këtyre masave, në atë kohë, megjithatë, kishte shumë tregtarë që punonin në pazare të gjelbra dhe pazare të kafshëve. Shpesh inspektorët i ndjekshin, por duke parë që nuk ishin me firma, ata kishin një tolerancë dhe i lironin të punonin për ekzistencë. Im atë dhe miku i tij, Danush Lama, ishin tregtarë me reputacion. Tregtarët shqiptarë shkonin nëpër pazare të Serbisë dhe atëherë urrejtja nacionale ishte e kamufluar. Ato pazare ishin të furnizuara shumë mirë, por blerës kishte shumë pak. Tregtarët nga Sanxhaku, Kosova dhe nga Maqedonia importonin kafshë në vendet e tyre, ku kishte me pakicë. Ky treg i lirë ishte shumë përfitues për të dyja palët.

Në pranverë të vitit 2001, kur filloi konflikti i armatosur në Maqedoni, shoku im i rinisë, Sadush Lama, doli në mal dhe iu bashkëngjit UÇK-së. Qysh si i ri ishte i inspiruar me ideale për kauzën e çështjes kombëtare. Ai kishte instinkt luftarak dhe gjen të një revolucionari. I gjyshi i tij kishte marrë pjesë në Luftën e grykës së Kaçanikut dhe ishte vrarë në malësinë e Rekës të komunës së Gostivarit nga forcat ushtarake serbe në luftërat ballkanike. Sadush Lama rrëfente se kur morën vesh miqtë e tij që kishte dalë në aradhet e UÇK-së, shumica ishin paraqitur vullnetarisht nëpër shtabe. Kështu kishte vazhduar tradita atdhetare e familjes së Danush Lamës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat