Edhe gratë vrasin, por...

Kultura

Edhe gratë vrasin, por...

Nga: Lekë Imeraj Më: 17 korrik 2021 Në ora: 23:02
Lekë Imeraj

Gruaja, nga natyra, është programuar për të sjellur jetë. Kurrë për të marrë jetë.

Megjithatë, edhe gruaja vret. Edhe ajo merr jetë nga jetët e nënave të tjera.

Në Shkodër, në një lagje, është një „lapidar“ familjar, në kujtim të një djali 17 vjeçar. Djali që humbi jetën në atë vend, nuk kishte bërë asnjë gabim. Ishte viktimë e traditës barbare të gjakmarrjes.

Dhe nga kush?

Nga një „nënë“ e ardhur në qytet, diku, andej nga prapamalet.

Një rast i tillë, me të drejtë, mund të mendohet shumë tronditës, barbar, por nuk është aspak tipik për gratë.

Edhe gratë vrasin, por në krahasim me burrat, dhunojnë dhe vrasin shumë më pak. Në rastin më të keq, ato grinden dhe kapen për flokësh me njëra-tjetrën.

Sipas statistikave të kriminalistikës, gratë në përgjithësi, kryejnë rreth 90 për qind më pak vrasje se burrat. Eksperti kriminolog gjerman, Hans-Ludwig Kroeber, thotë se gratë në Gjermani, zënë 10 për qind të numrit të vrasësve.

Nga një studim i kryer nga organizata SEESAC (Organizata e Europës Jug-Lindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të Lehta dhe të Vogla), në vitin 2020, në Europën Jug-Lindore, kishte 3566 raste të përdorimit të armëve kundër jetës së tjetrit, nga 2700 autorë. Nga autorët, 98 për qind (2646) ishin meshkuj dhe vetëm 2 për qind (54) femra.

Gratë, edhe kur marrin pjesë në luftë, 87 për qind e tyre qëllojnë me symbyllur, mbi armikun.

Në rastin kur një grua, ka vendosur përfundimisht për hakmarrje, krimin nuk e kryen vetë, por zgjedh një mashkull.

Faktin që, gratë janë shumë më dorëndalura se meshkujt në jetëmarrjen e tjetrit, dikush mundohet ta argumentojë me natyrën frikacake të gruas. Nuk ka asnjë statistikë, që të vërtetojë se gratë janë më frikacake se burrat.

Shkaku është diku dhe diçka tjetër. Diku, në trurin e femrës, në mënyrë natyrale, është ndërtuar një mekanizëm bllokues, i cili nuk e lejon femrën të veprojë kundër jetës së tjetrit. Femra, nga natyra, është programuar për të sjellur jetë, dhe jo për të marrë jetë. Brutaliteti, në mënyrë natyrore, është programuar te meshkujt.

Kjo nuk do të thotë se, brenda gjinisë femrore, duhet përjashtuar mundësia e ekzistencës së femrës histerike, dhe asaj me çrregullime të forta të personalitetit.

Eshtë interesant fakti që, viktimat e grave, janë shumë më tepër meshkuj se gra. Vështirë se një grua, e vret një grua tjetër.

Meqënëse numri i vrasjeve që kryejnë gratë është shumë i ulët në krahasim me burrat, është e vështirë të flitet për motivin e vrasjeve nga gratë.

Në kohën e diktaturës, nga 600 gra të dënuara për krime të ndryshme, vetëm pesë ishin të dënuara për vrasje. Secila nga ato e kishte kryer vrasjen për motiv të ndryshëm: Për xhelozi, për gjakmarrje, për vetëmbrojteje nga dhuna dhe keqtrajtimi, nga ndjenja e poshtërimit.

Sipas ekspertit Kroeber, motivi i vrasjeve të kryera nga gratë, ka ndryshuar. Ai thotë se, në ditët e sotme, në të shumtën e rasteve, gratë vrasin për probleme financiare.

Zakonisht, viktimat e grave, janë të moshave të vjetra, dhe të dobët.

Eshtë i njohur edhe fakti që, ka gra që vrasin për pasion, argëtim.

Kroeber flet edhe për rastin e vrasjeve nga gratë, për grandiozitet. Ky është pasioni për t’u bërë të njohura, sa më shumë dhe sa më larg. Duan të ngjajnë me një grua „legjendë“ historike, p.sh. me Shotë Galicën, Norën e Kelmendit. Gratë që vuajnë nga ndjenja e grandiozitetit, e pëlqejnë shumë epitetin „gruaja e hekurt“. Zakonisht, të tillat i turren politikës, me shpresën se do të mund t’a arrijnë grandiozitetin e tyre, me duar të pastërta.

Gratë, ekzekutimin e viktimës, e bëjnë ndryshe nga burrat. Ato preferojnë vresjen pa zhurmë dhe pa gjurmë. Kryesisht me mjete helmuese. Kjo edhe për faktin se, është shumë më e vështirë që vdekja e personit, të dyshohet si vrasje.

Pas ekzekutimit të viktimës, gratë, edhe nëse mundohen t’i fshijnë gjurmët, nuk tentojnë të arratisen, si meshkujt cuba.

Nëse gruaja vret, do të thotë se ajo del nga programimi i vet natyror, gjë kjo që ndodh në rrethana të jashtëzakonshme. Dhe rrethanat e tilla, zakonisht i krijojnë meshkujt.

Autori - shkrimtar, përkthyes, publicist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat