Shuhet Lili Madhi, ndër pioneret e vallëzimit popullor shqiptar

Kultura

Shuhet Lili Madhi, ndër pioneret e vallëzimit popullor shqiptar

Nga: Skifter Këlliçi Më: 4 gusht 2021 Në ora: 00:18
​​​​​​​ Lili Madhi (Kelliçi) 

Lili Madhi (Kelliçi)  është nga pionieret e historisë së vallëzimit popullor shqiptar. Në vitin 1945, në moshën 13 vjeçare Lili, zgjidhet nga  koreografi  njohur Panajot Kanaçi, (që atëherë i dhënë pas artit koregrafik), në grupin e kërcimtarëve, ku bënin pjesë edhe djem dhe vajza të tjera. Më 1950 është pjesëtare e grupit të valleve të  Filarmonisë  Shqiptare të sapokrijuar.

Dhuntitë  akrobatike, të gërshetuara edhe me dhunti të kërcimit ritmik, i dhanë mundësi Lilit të bëhej valltare  e njohur, krahas valltareve  të tjera veterane,  Kallajxhi, Radovcika, Terca, Sharofi, dhe më pas Cingu, Zekthi, Çeliku, Lubonja etj.

Ajo u shqua edhe në interpretimin  e valleve  të tjera popullore shqiptare si dhe klasike, nga  operat e njohura të  kompozitorëve Glinka,  Dragomirski, List,  Haçaturian etj.

Image
Lili Madhi (Kelliçi) 

Lili Madhi u shqua veçanërisht në interpretimin si  kërcimtare  soliste  të  “Valles së Tropojës”, ku  shpalosi para shikuesve forcën, bukurinë dhe magjinë e kërcimit tropojan, si dhe në “Vallëzimin e shqipeve”, me partner valltarin e shquar Besim Zekthi, ku të dy së bashku, nëpërmjet shëmbëlltyrës së shqiponjës, sollën në skenë shpirtin dhe krenarinë e trimit dhe trimëreshës shqiptare në shekuj.

Duke qenë që në krijimin e tij më 1957, valltare  e  Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore,  Lili Madhi (Këlliçi), ka marrë pjesë në shumë nga turnetë artistike që ky ansambël ka bërë në Bashkimin Sovjetik dhe vende të tjera të ish-Kampit Socialist, pastaj në Kinë, Mongoli, Vietnam, Korenë e  Veriut,  Egjipt, duke mbetur edhe sot në historinë e këtij ansambli si valltare shumë e talentuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat