Mallkimi i diktaturës shqiptare

Kultura

Mallkimi i diktaturës shqiptare

Nga: Gani Mehmetaj Më: 24 gusht 2021 Në ora: 09:30
Gani Mehmetaj dhe Ismail Kadare

Është e kuptueshme këmbëngulja e franko-italianëve që ta realizonin filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në vendin ku ishte ngjizur e krijuar romani. Është emocionues angazhimi i dy aktorëve më të mëdhenj evropianë, Marçello Mastrojani dhe Mishel Pikoli, që ta bartnin në ekran të madh një vepër të letërsisë shqiptare. Por është edhe më vështirë të kuptosh këmbënguljen psikopatike të shtetit shqiptar që të mos e bëjnë këtë film, apo si do të thoshte Kadareja, ta zhbëjnë ende pa filluar xhirimet. Vështirësitë e xhirimit në ambientet shqiptare, që u zëvendësuan me ambiente të Korsikës, ndoqën edhe filmin francez “Avril Brize” (Prilli i thyer) të Lirie Begesë. Mijëra kilometra larg Shqipërisë u bë edhe filmi “Prilli i thyer” (Abril Despedaçado), prodhim brazilian-francez-zviceran, në regji të Ualter Salles.

Janë thënë pak arsyetime në kohën kur bëheshin përçapjet për adaptimin e romanit të Kadaresë në film. Janë shumë arsye të tjera që kanë mbetur në sirtarë ose në kokat e atyre që po e pengonin, ashtu sikurse po e zhbënin shtetin shqiptar me diktaturë, varfëri materiale e shpirtërore. Kurrë nuk është kuptuar pse e minuan realizimin e filmit në Shqipëri. Paranoja e kupolës së shtetit? Frika se do të depërtonte qytetërimi Perëndimor përmes një ekipi filmi? Frika se shtetasi Kadare do të bëhej më i famshëm se sa e kishte bërë letërsia (filmi depërton në të gjitha shtresat sociale)?  Frika se, pastaj gjërat nuk do të ndaleshin me kaq?

Pjesë të këtij konspiracioni ende të pazbuluar, e dha dokumentari “Gjeneralët e vdekur te Shqipërisë”, i regjisorit Eno Milkani me producent Piro Milkanin. Regjisori i dokumentarit  bisedoi me disa nga emrat e njohur të projektit. Foli edhe me Ismail Kadarenë. Nxori nga Todi Bozo, gjëra që nuk diheshin. Intervistoi regjisorin e filmit, Luciano Tovoli, pastaj regjisorin shqiptar Piro Milkani, ndërsa na dha edhe shumë informacione për Marcello Mastrojanin dhe Mishel Pikolin.

Por dokumentari nxori në pah edhe një varg të pathënash. Mbase, disa gjëra nuk do të zbulohen kurrë. Është pikëlluese që vepra e një shkrimtari të madh, mori grusht nga shteti i vet.

Odisejada e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” më kishte ngacmuar që nga rinia, kur e pyeta për herë të parë Kadarenë në hotel Grand të Prishtinës për fatin e këtij projekti. Ai ishte i mjegullt, dha pak informacione, ngurronte, sa që njeriu do të habitej nga ky ngurrim, sikur mos ta njihte sistemin diktatorial ku jetonte e vepronte autori. Kisha përvojë me artistë të famshëm që mezi prisnin ta bënin publik një projekt të tyre, kurse autori i romanit që do të ekranizohej fliste, sikur të mos kishte asgjë në dorë.

Filmi dokumentar “Gjeneralët e vdekur të Shqipërisë” ishte interesant, më shumë informacione, por enigma mbeti.  D.m.th. diktatura arriti që t’i jepte grusht ekranizimit të romanëve të Kadaresë nga kinematografitë e mëdha. Por asnjëherë nuk e kam kuptuar pse Hollywood -i nuk pati interesim për adaptimin e romanëve të Kadaresë. Nuk qëndron arsyetimi se romanet e Kadaresë janë të papërshtatshëm për film. S’ka roman që s’mund të bëhet film. Ezejnshtajni thoshte se, edhe Kapitali i Marksit mund të adaptohej në film.

“Kështjella”, do të ishte spektakël historik që do të përmendej gjatë. “Kush e solli Doruntinën”- nordikët kanë bërë filma të mrekullueshëm për sagat-legjendat e tyre. “Ura me tri harqe”, “Spiritus”, “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar” etj. mund të bëheshin filma të mirë. Nuk janë skenarë të gatshëm filmi, por janë brumë që do të nxirrnin filma të mrekullueshëm. Pastaj do t’i popullarizonin dy herë më shumë romanet e shkrimtarit tonë të madh.

Heshtja e producentëve të mëdhenj, sikur e shtron mëdyshjen e  vjetër:  A mos po e ndjek, edhe sot, mallkimi i pengesave të diktaturës ekranizimin e romanëve të Ismail Kadaresë? /Gazeta Liberale

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat