Gabime drejtshkrimore

Kultura

Gabime drejtshkrimore

Nga: Prof. Eroll Sejdiu Më: 17 shtator 2021 Në ora: 20:12
Prof. Eroll Sejdiu

Në ligjërimin e folur dhe të shkruar vihen re përdorime të gabuara të trajtave rasore të përemrave vetorë.

Më të shpeshta janë rastet e përdorimit të trajtave: neve, juve për: ne dhe ju, pra përdoret gabimisht trajta e rasës dhanore në vend të trajtave të rasës kallëzore dhe emërore.

P.sh.: Neve e ndërpremë punën (për: Ne e ndërpremë punën). Me mjete që kemi neve (për: Me mjetet që kemi ne). E njëjta dukuri ndodh edhe kur përdoren me parafjalë. P.sh.: Nga neve priten suksese (për: Nga ne priten suksese).

Po kështu, vihet re që pas parafjalëve nga e te(k), përdoren format e rasës dhanore. P.sh.: Eja tek mua (për: Eja tek unë). Nga mua mos prit gjë të keqe (për: Nga unë mos prit gjë të keqe). Gabime hasen edhe gjatë përdorimit të trajtave të shkurtra. P.sh.: I tha atyre (për: U tha atyre). Ia dha atyre (për: Ua dha atyre). Na i dha fjalën (për: Na e dha fjalën). Në ligjërim ka dhe përdorime të gabuara të përemrave pronorë.

Kështu, dihet që përemri pronor vihet në rasën e emrit që përcakton, por ndodh që përdoret rasa kallëzore në vend të trajtës së dhanores ose rrjedhores. P.sh.: Iu përgjigj pyetjes time (për: Iu përgjigj pyetjes sime); prej shkollës time (për: prej shkollës sime); motrës time (për: motrës sime); kopshti i gjyshes tënde (për: kopshti i gjyshes sate).

Po kështu te përemrat pronorë vihet re dhe mospërshtatja në gjini. P.sh.: Qyteti jonë (për: Qyteti ynë). Rrethi jonë (për: Rrethi ynë). Mendimi jot (për: Mendimi yt). Duhet pasur parasysh se përemrat: im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj: nuk marrin asnjëherë nyja të përparme. P.sh.: Shoku i im (për: Shoku im). Shoqja e ime (për: Shoqja ime). Miku i yt (për: Miku yt). Mikja e jote (për: Mikja jote). Shoqja e jonë (për: Shoqja jonë). Shoqja e juaj (për: Shoqja juaj) etj. Prof. Eroll Sejdiu

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat