Letërsia është mjeshtëri

Kultura

Letërsia është mjeshtëri

Nga: Hejza art Më: 25 shtator 2021 Në ora: 12:00
Adil OLLURI, shkrimtar

Adil Olluri (1984) është prozator dhe kritik letrar. Deri më tan ka botuar këto vepra artistike: “Bartësi i shpirtrave të përzënë” (roman), “Shumë rrugë dhe një rënie” (tregime) dhe “Kthimi i profetit” (tregime), pastaj monografitë studimore nga fusha e letërsisë: “Fytyra e tiranisë”, “Shkrimtari polimorf” dhe “Romani postmodern shqiptar” (monografi). Adil Olluri është fitues i shpërblimit letrar ndërkombëtar “Premio Ostana Internazionale”, që jepet nga bashkia e Ostanës në Itali. Tregimet e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë, ku vlen të cekët përkthimi në gjuhën italiane dhe botimi i tyre nga botuesi serioz italian “Edizione Ensemble”, me seli në Romë. Tregimi “Kthimi i babait” është përkthyer në njëmbëdhjetë gjuhë të huaja. Punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

OLLURI: Nuk do ta trajtoja kështu këtë çështje. Mënyra se si pyesni të lë të kuptosh se kërkoni që të mos shkruhet shumë dhe kjo për ju do të mund të sillte vlera. Kush iu garanton juve që nëse shkruhet më pak, krijohen më shumë vepra të arrira letrare? Shkrimtaria, të shkruarit artistik, është një aktivitet njerëzor e intelektual, të cilit mund t’i rreken të gjithë ata që mendojnë, ndjejnë dhe synojnë të bëhen krijues arti. Fundja, është një ambicie legjitime. Secili ka të drejtë të synojë, të ëndërrojë. Ndërkaq, më të mirët, më të zotët, më mjeshtërorët, i përzgjedh lexuesi, kritika, koha dhe shndërrohen në shenja identifikuese të një dekade e të një periudhe letrare. Letërsia është një dije dhe mjeshtëri humane, nuk është shkencë determinuese. Në asnjë kohë e në asnjë vend nuk ka ndodhur dhe besoj që nuk do të ndodhë që të “certifikohen” apo të “licencohen” pesë, gjashtë, shtatë apo tetë shkrimtarë dhe të thuhet “vetëm këta tash e mbas kanë të drejtë të shkruajnë dhe të bëjnë letërsi, sepse kemi “zbuluar” se vetëm këta dinë të shkruajnë. Është punë që nuk bëhet kjo. Arti i shkrimit është liri dhe lejon që secili t’i ofrohet. Letërsia është si liria, i lejon të gjithë ta përqafojnë atë, por ajo vetëm ata që janë më mjeshtërorë i puth në ballë. Letërsia është mjeshtëri dhe në të ka mjeshtër mbi mjeshtër.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

OLLURI: Nuk pajtohem aspak me logjikën e pyetjes suaj. Kush iu thotë juve që sot nuk kemi gjeneratë krijuesish? Miq të revistës “Hejza”, pjesa e parë e pyetjes suaj e jep një konstatim të paqëndrueshëm. Secili dhjetëvjetësh e secila periudhë e krijon një gjeneratë krijuesish. Natyrisht që sot kemi një gjeneratë krijuesish. Ju tashmë jeni duke biseduar me njërin nga ta. Përndryshe nuk do të kishte asnjë arsye tjetër që të më dërgoni pyetje dhe të kërkoni përgjigje në cilësinë e krijuesit, prozatorit dhe njohësit të letërsisë.Pra, ta ritheksoj se secila dekadë dhe periudhë kohore e nxjerrë gjeneratën e saj të krijuesve. Se a është gjenerata e sotme e krijuesve më e vlershme, më mjeshtërore, se gjeneratat e mëparshme të viteve që ju i cekët, kjo gjë ha shumë diskutim dhe do shumë analizë e shpjegime kulturore e letrare. Letërsia nuk zhvillohet në mënyrë të shkallëzuar e lineare, siç zhvillohet ekonomia, infrastruktura apo teknologjia e një vendi. Zhvillimi i letërsisë nuk e njeh shkallëzimin, linearitetitn e gjërave, ku e sotmja gjithsesi e medoemos duhet të jetë më e zhvilluar se e djeshmja. Jo, kështu nuk ndodh në letërsi, sepse kjo mjeshtëri njeh zhvillime të luhatshme, të pamatshme me logjikën e shkak-pasojës. Nisur nga kjo, mund të them pa hezitim se gjenerata e krijuesve të viteve që ju i cekët i dha shqiptarëve vepra të begatshme letrare, duke më lënë mua dhe bashkëkohësve të mi një pasuri të vyer e të jashtëzakonshme në fushën e letërsisë. Ky është mendimi im personal, ndoshta ndonjëri nga bashkëkohësit e mi mund të mendojë ndryshe.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

OLLURI: Kritiku i mirë është si kopshtari i luleve. Ai i përzgjedh më të bukurat për t’i mbjellë në kopshtin e tij. Ato i ujit dhe përkujdeset për to çdoherë. Kopshtari i mirë nuk ka pse t’i japë vetes detyrë për t’i rregulluar të gjitha livadhet e botës.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

OLLURI: Portalet e kulturës janë të vlershme, sepse na japin hapësirën e duhur në këtë kohë, kur leximi i letërsisë edhe në internet është bërë i pashmangshëm. Nuk besoj që duhet t’i japin vetes detyrë për të bërë profilizime të tilla se kush është krijues i mirëfilltë dhe kush jo. Ato është mirë të krijojnë hapësirën, të jenë pasqyruese të zhvillimeve dhe pastaj profilizimi, hierarkia, krijohet me kohë. Nuk jam ithtar i përkujdesjes institucionale të shteteve tona për zhvillimin dhe profilizimin, siç thoni ju. E thash edhe më sipër, letërsia për mua është liri dhe sa më larg “përkujdesjes institucionale” aq më rrjedhshëm zhvillohet. “Përkujdesja institucionale” duke u munduar të na përqafojë, mund edhe të na shtrëngojë shumë e që mund të jetë me pasoja të rënda për ne.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

OLLURI: Unë nuk jam ithtar i librit elektronik. Nuk më pëlqen të thellohem në lexim e të mos i prek faqet, të mos e ndjej aromën e letrës. Megjithatë, marrë parasysh të sotmen e vrullshme teknologjike, libri elektronik është i mirëseardhur. Sot është më i rëndësishëm leximi i librit se sa rruga se si mund të shkohet te ai. Nuk jemi të situatë aq të favorshme për ta “bojkotuar” teknologjinë.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

OLLURI: Në Shqipëri e kemi gazetën e përjavshme letrare “ExLibris”, që është pasqyra më e fuqishme e zhvillimeve letrare shqipe. Në Kosovë kemi disa revista serioze e të vlershme letrare që dalin rregullisht, siç janë “Jeta e re”, “Akademia”, “PEN Kosova” (revistë e PEN Qendrës), “Symbol”, “Metafora” etj. Këtu mund t’i botojnë kritikët recensionet dhe vështrimet e tyre, por edhe në portale të specializuara të kulturës, si “Observerkult”, “Kultplus” etj. Në Maqedoni, pjesën shqiptare, nuk e di saktë se si është puna, meqë kam pak njohuri rreth botimit të revistave letrare atje. Të shpresojmë që edhe “Hejza” të shndërrohet në një shtyllë të vlershme të artësimit dhe informimit letrar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat