A e bëjmë një teatër prej letre!

Kultura

A e bëjmë një teatër prej letre!

Më: 18 tetor 2021 Në ora: 10:58
Ilustrim

Shumë premtime, që të gjitha të paarritshme, të pazbatueshme, të parealizueshme! Janë nga ai “opus i premtimeve” që mbahet rezervë deri në dhjetëditëshin e fundit të fushatave zgjedhore, atëherë kur kandidatët dhe subjektet nisin dhe tregohen “dorëlirë”!

HEJZA shkroi për mungesën absolute të jetës kulturore në ofertat e kandidatëve për udhëheqës vendorë si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Fill pas këtij shkrimi, një subjekt politik do të dalë në terren ku duhet të ndërtohet Biblioteka dhe Teatri i Tetovës dhe do ta pyes kryetaren aktuale të Tetovës, zonjën Teuta Arifi, se pse edhe pas dy mandateve nuk ka përfunduar godina e këtyre institucioneve nacionale! Natyrisht, përpjekje partiake për një goditje të ulët politike, sepse Teuta Arifit si kryetare komune, i përket vetëm caktimi i vendit ku do të ndërtohet si dhe kompletimi i dokumenteve të nevojshme për fillimin e punës pa kurrfarë problemi! Objektet e institucioneve kulturore nacionale i ndërton pushteti qendror nën kujdesin e Ministrisë për Kulturë.

Për ta zbutur këtë presion partiak, zonja Teuta Arifi shkon dhe e bën gafën më të rëndë, demonstron një mashtrim i cili më shumë flet për injorancën e saj se sa për ndonjë “truk politik”!

Merr rolin e “lehtësueses” dhe përcjell nënshkrimin e kontratës në mes të drejtorit të Shtëpisë për Kulturë në Tetovë dhe firmës ndërtimore, e cila zotohet se në vlerë prej 19 milionë euro do ta përfundojë shumë shpejtë Bibliotekën dhe Teatrin e Tetovës!

Tani nuk ka në asnjë vend të botës ku një shtëpi kulture do të ndërtojë teatër dhe bibliotekë! Në tërë botën shtëpitë e kulturës janë ose institucione nacionale nën menaxhimin e pushtetit qendror, ose janë të decentralizuara dhe nën menaxhimin e pushtetit lokal! Së këndejmi, nëse Shtëpia e Kulturës në Tetovë është e decentralizuar dhe i përket pushtetit lokal, atëherë pse nuk e nënshkroi këtë kontratë Teut Arifi, por drejtori i Shtëpisë së Kulturës! Sepse, rrena pastaj do të kishte pasoja më të mëdha! Apo, sepse firma ndërtimore mund të jetë fiktive, e cila nesër mund të falimentojë, ndërsa drejtori i shtëpisë së kulturës të shkojë “kurban” i mosrealizimit të një premtimi! Tetuta Arifi edhe më tej do të ngelte “faqebardhë”!

Po me Bibliotekën dhe Teatrin e Tetovës çka do të bëhej? Do të ngelte premtim për zgjedhjet e pritshme qendrore! Projekti megaloman “Shkupi 2014” përfundoi për katër vite, ku u shpenzuan mbi 500 milionë dollarë nga buxheti i përbashkët shtetëror, kurse Biblioteka dhe Teatri i Tetovës nuk realizohet që nga viti 2006!

Dhjetëra kilometra rrugë me “bekatona”, dhjetëra kilometra gypa për ujë dhe kanalizim, qindra shtylla të reja për përforcim të energjisë elektrike, dhjetëra objekte të shkollave moderne (!), të çerdheve, dy-tre xhami “më të mëdha në rajon”, mijëra vende të punës, më shumë parqe, mbjellje drush, më shumë kredite me interes më të butë, libra shkollore digjitale – janë premtime tek shqiptarët, të cilët në botën e civilizuar tashmë janë tema të harruara dhe të turpshme për t’u theksuar! Kulturë nuk ka në asnjë faqe të platformave dhe programeve partiake. Prandaj dhe mund të lejojmë që të bëhemi gaz i botës, duke ia taksuar shtëpisë së kulturës kompetencat dhe obligimet e ndërtimit të bibliotekave dhe teatrove, themeluese e të cilave është Ministria e Kulturës. Hajde ta bëjmë një Teatër prej letre! Kjo është më shumë se tallje, është përbuzje e identitetit kulturor! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat