Koha, filtruesi më i mirë i vlerës

Kultura

Koha, filtruesi më i mirë i vlerës

Nga: Hejza Art Më: 19 tetor 2021 Në ora: 12:20
Ervina Halili

Ervina Halili shkrimtare dhe studiuese nga Prishtina. Ajo është cilësuar nga kritika gjermane për librin e saj të fundit “Gjumi i Oktapodit” botuar në Vjenë si një “botë e gabuar" që është tërësisht normale, e qetë dhe larg pamfleteve dhe flamurtarëve, e cila krijon një atdhe të mundshëm, jo nga toka, por nga qielli. Me librin “Amuletë” është shpërblyer me çmimin vjetor për poezinë në Kosovë dhe ka qenë shkrimtare rezidenciale në Vjenë, Sarajevë, Zvicër, Grac, Beograd etj. Derisa konceptet e saja letrare janë në mes metafizikës dhe ëndrrës, fokusi i studimeve të saja është sjellja kolektive dhe miti. Është koleksionuese e materialeve të humbura arkivore të shtëpisë botuese Rilindja në Kosovë, përderisa ka formuar edhe Fondin privat të materialeve të shtypit të pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë.

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

HALILI: Është e vështirë ta gjykojmë jashtë kontekstit të rrethanave sociale në të cilat jetojmë dhe shpesh mendoj që, nëse e gjykojmë negativisht të pasurit shumë shkrues dhe ndoshta më pak vlera letrare se dikur, them se këtë e kanë sjellë pikërisht institucionet e librit, që e shesin e promovojnë dhe e vlerësojnë atë. Këto institucione dhe të tjera të ngjashme që mendojnë se janë autoriteti i letërsisë e kanë mitizuar shkrimtarin deri në një pikë sa ka nxitur egot e çdo njërit prej nesh që të bëhet hero i vetes së tij, përmes asaj që më së lehti mund ta prodhojë. Shpesh bëj një pyetje hipotetike e imagjinoj me vete, sikur të transmetonim vargje e rreshta në formë anonime, sikur të ekzistonim në një botë ku ka vetëm fjalë pa autorësi, çfarë do të ndodhte? – A do të na vinte përsëri të uleshim edhe të shkruanim një libër kur askush nuk do të dinte për ne? Nëse më lejohet të kthehemi në një të kaluar, pak para se shkrimtari të bëhej një trend letrar dhe hero i mendimit, kishte shumë poezi dhe shkrimtari ishte vetëm një gjenerator i një memorieje të trashëguar që e transmetonte duke i dhënë një formë krejt individuale, ishte totalisht i padukshëm, biles as që kishte rëndësi. Qysh kur çdo gjë u institucionalizua, bashkë me vetë qenien njeri, ngjan se shkrimtari bëhet më i dukshëm se vetë shkrimi i tij dhe çdo institucion që kujdeset për librin, kujdeset po ashtu ta shfrytëzojë këtë fenomen. Libri më nuk është qëllim më vete, por shkrimtari. E di që në mesin e shumë shkruesve, ka edhe shkrimtarë të mirë, edhe letërsi të mirë gjithherë. Ashtu kështu, koha është filtruesi më i mirë i vlerës.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigand në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

HALILI: Them se dikur, ndonëse e njihnim mirë letërsinë botërore, e cila ishte sistemuar nga kritika letrare në zhanre, rryma, shkolla, në ato kohë ne ishim kopjues të mirë të vlerave të cilave u kishte dhënë jehonë pikërisht kritika dhe teoria letrare. Ndonjëherë kur lexoj letërsinë e atyre viteve, them se ne ishim shumë besnik ndaj shkollave e stileve të ndryshme, ndonëse me vonesë të madhe. Këtë unë nuk e shoh vlerë paçka se ne (po i referohem letërsisë nacionale) kemi prodhuar shumë vepra më rëndësi të madhe, biles kemi arritur edhe ta determinojmë mendimin intelektual kolektiv, ndonëse kjo nuk është detyrë asfare e letërsisë, por ishte e vetmja zgjedhje. Në kohën që ju përmendni, ne sikur e njihnim vetëm veten tonë në kohën e tashme të saj dhe letërsinë botërore të një kohë që veçse kishte shekuj që kishte përfunduar ciklin e vlerave dhe lexohej në kontekst e vlerësohej po ashtu. Shoqëria e sotme është zgjeruar në marrje të informacionit e ndaj servimeve të shumta, nuk ndjekin më me atë sasi shkollat, as format që shkenca letrare i promovon, sepse ndoshta e kemi kuptuar që shkenca letrare vjen pas letërsisë dhe nuk do të duhej ta drejtonte atë. Kjo është një formë tranzicioni për ne, në të gjithë rrafshin e kulturor, sepse tani ne e vëmë veten paralel me shkruesit aktual kudo në botë dhe nuk shohim më rrymat a vlerat që sillte kritika, gjithmonë të vonuara, sepse ato vijnë pas letërsisë.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

HALILI: Thashë më herët që kritika vjen pas letërsisë, nëse ajo e prodhon letërsinë, ne nuk do të kemi letërsi, por do të kemi ndjekje të vlerave të prodhuara institucionalisht. Pavarësisht çdo “amatorizmi”, letërsi do të ketë përherë, letërsia di edhe të vetorganizohet, siç ka mbijetuar me shekuj e shekuj edhe në kohën kur kritiku nuk ishte në skenë. Nuk jam një admiruese e madhe e Dadaizmit, por shpesh e përmend vetëm për të shpjeguar këtë fenomen, imagjinoni po të ndodhte te ne, a do të mund të shndërrohej në rrymë letrare? Ajo nuk ka pyetur asnjë kritikë për të shpërthyer, bilez ajo rebelisht u prodhua në kundërshtim të kritikës, kritika u desh ta përqafonte. Kjo pa dashja më kujton edhe komunizmin jugosllav te ne dhe komunizmin në Shqipëri. Shabllonët e vlerësimit ishin aq të rëndësishëm, dhe krejt të gatshme, teorizimiet mbi formalizimin, strukturalizmin e post-strukturalizmin, sa i tërë shpirti letrar i prodhuar jashtë kësaj kornize është heshtur, ose i është dhënë një drejtim përmes kritikës, akademisë, teorisë, duke e dezorientuar shpirtin bazë të veprës së shkruar para asaj kohe ose edhe gjatë.

Kritika te ne shpesh ende vlerëson letërsinë me shabllone të gatshme të shkollave të ndryshme, çdo gjë jashtë atyre shabllonëve ka një papërthushmëri të madhe që veçohet si jo vlerë. Prandaj, çdo njeri qe prodhon letërsi kudo, nuk do të duhej t’ia dinte as edhe një grimë për kritikën, ne nuk duhet ta bëjmë kritikën autoritetin e letërsisë. Ndërsa ajo duhet të lirohet dhe vetedukohet. Letërsia është rrjedhëse, një fenomen që njeriu e ka trashëguar intelektualisht e kulturalisht si veprim, ndërsa kritika (pa e ndarë nga letërsia) është vëzhgim analitik. Nëse ajo dëshiron të ekzistojë, do të duhej të dinte të organizonte letërsinë. Po qe se hipotetikisht themi se nuk ka çfarë të organizojë, do të duhej të merrej me ushqim të vlerave të letërsisë. Porse një shoqërie në tranzicion nuk i bën tamam asnjë shkollë e mëhershme e kritikës letrare, sepse ajo është në kërkim të një identiteti, dhe merr kohën e saj për t’u stabilizuar. Prandaj, them që kritika duhet ta reformojë veten e saj, sepse fundi i fundit ajo është detyra e saj, t’i ndjek kontekstet e shumanshme të prodhuara vetëdijshëm e pavetëdijshëm nga një shoqëri përmes shkrimit. Nëse ajo provon t’i analizojë ato brenda shabllonëve që janë krijuar për rryma të caktuara letrare ose duke i identifikuar vetë ato rryma, diku nëpër botë, ne do të dështojmë. Çdo letërsi nacionale ka shpirtin e saj unik para se të mbërrije tek universalja, dhe çdo kritik që përcjell atë letërsi duhet ta edukojë veten karshi saj.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

HALILI: Nuk e di nëse këtë pyetje arrij ta kuptoj drejt. Nuk e di pse letërsia do të duhej të ishte nën një përkujdesje shtetërore. Tregu letrar do të duhej, po, të përkrahej nga institucionet shtetërore. Kam hasur shumë libra të bukur nëpër tregjet evropianë, të cilat janë vetë-botuar nga autorët ose me fonde të mbledhura kolektive dhe bota po shkon drejt një zgjedhjeje pafund dhe letërsia nuk do të duhej të kontrollohej. Po, e di që dikur kritiku dhe institucioni e akademia, kishin një rol shumë të rëndësishëm për gjykimin e vlerave, por sot ato shërbejnë vetëm si ndërmjetësuese. Letërsia e merr formën e saj me kohën, nuk ka rëndësi se në çfarë forme ajo ka mbërritur deri te ne, por sa më organike që të jetë aq më shumë do të zgjasë vlera e saj për aq gjatë se njeriu ruan qenien e tij nga institucionalizimi tërësor. Pse të mos ketë të drejtë çdo kush të mendojë se është poet ose shkrimtar? Pse të mos botojë çdokush poezi dhe tregime? Letërsia në një kohë të ardhme do të jetë krejt e pavarur nga çdonjëri prej nesh, sepse do ta marrë konteksti i ndjesisë së njeriut të ardhshëm para vetes. Ato shkrime që do të flasin, do t’i mbijetojnë të gjitha kohëve, sepse do të jenë të lakueshme në të gjitha kontekstet, dhe ato që nuk do të flasin, do të harrohen edhe nëse bëjmë një mal kritikash pozitive për to edhe po që se gjejnë përkrahje shtetërore, edhe po që se nuk ndalen së botuari në portale.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

HALILI: Nuk ka asgjë që do ta bëjë librin të vdesë. Libri elektronik vetëm ka ndihmuar të jetë më afër njeriut i cili ka modifikuar shprehinë dhe kulturën e leximit. Jemi në një botë ku kemi një fluks e intensitet komunikimi më të madh se kurrë dhe është elektronizuar edhe forma jonë e komunikimit. Këtë fluks nuk e ka krijuar dixhitalizmi i librave, por ai dixhitalizim është bërë që libri të mos e humbasë veten tërësisht brenda kësaj bote, që të arrijë të mbetet gjallë. Që ndonëse dukemi të vegjël në krahasim me shumësinë e llojllojshme të kësaj bote, të mund të jemi diku, të komunikojmë edhe ne. Ne që besojmë se dikur kishte më shumë dinjitet në komunikim, sepse ne nuk shihnim çdo gjë, ne shihnim vetëm atë që na servohej institucionalisht. Tani ne mund të shohim çdo gjë, dhe i mbetet çdo njërit nga ne të filtrojë vlerat për veten tonë. Kjo nuk është kohë e individualizmit, por e pavarësisë. Ne nuk duhet të presim nga askush që ta kuptojmë vlerën, duhet ta ushtrojmë atë vetë brenda nesh, e ta respektojmë çdo institucion që merr ta organizojë atë., por jo të ma paketojë të gatshme. Nëse nuk jemi të aftë ta filtrojmë vlerën, do të thotë që e meritojmë të përfshihemi në një fluks të ashpër vlerash që rrjedhin si emërues i përbashkët i kulturës kolektive.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

HALILI: Kur e mendoj këtë pyetje, sikur nuk mund t’ia ngjesë askund, sepse çdo gjë që kritikojmë së pari, i kemi hy në hak diçkaje. Është e vërtete se në vendin tonë mungojnë shumë gjëra, por për t’u krijuar ato, duhet përkushtim i madh i trasimit të një shtegu të gjatë e ne po mjaftohemi me shtigje të shkurtra. Revista letrare duhet të gjallojë për një kohë të gjatë në mënyrë që të krijojë autoritet letrar e që të arrijë të marrë një reputacion të tillë sa të ndjehesh e lumtur që je botuar aty, për editorialin që ka, për lexuesit që ka trashëguar ndër vite. Gazetarët e kulturës duhet po ashtu të motivohen për të bërë një punë të tillë, që të vrapojnë pas diçkaje që në vendin tonë nuk ka një rëndësi aktuale. Thellësisht besoj që shumë shkrimtarë të mirë në vendet tona, nuk shkruajnë për asnjë dëshirë vëmendjeje, por shkruajnë sepse nuk mund të mos shkruajnë. Mbi të gjitha, është respekt ta ruash dinjitetin e gjithsecilit duke kontribuar në hapësirën për botimin e një cope të saj/tij, e më pas ai dinjitet ushtron lexuesin për respektin ndaj letërsisë. Ne për momentin krijojmë tjera hapësira nëpër portale e gazeta, në mediumet tona, sepse tash është kohë e të tjerë heronjve dhe jo koha e letërsisë. Por do të vijë, do të vijë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat