I humbun n'oborrin tim

Kultura

I humbun n'oborrin tim

Nga: Çun Lajçi Më: 21 tetor 2021 Në ora: 10:43
Çun Lajçi

Kur shkoj të tbani im me dërrasa, n'oborr ndalem me pushua. Nji stol druni e pata marua dikur, kur duert i kisha hala të forta! Stol prej dy copash lisi, t'vumë njenin mbi tjetrin!

Atëherë e sot ai me pret nën strehë, i mbështetun të dera. I kalbun pak nga dimnat dhe i plasaritun pak nga verat.

Mbi te i paloj eshtnat para se shikimin ta treti bjeshkëve e maleve të zeza e t'zbres n'varrezat e heshtuna. Ato i thërrasin dhimbjes sime e sytë mjegullohen.

Rri si i humbun n'oborrin ku linda nji natë dhjetori. Natë e zezë me borën e parë!

Fërfëllazë e madhe, pështjellc, thoshte nana.

Ti dole n'cegmën e dimnit por nuk kjajte. U merova! Kujtova se t'linda t'vdekun e idhnimit tim t'hudha n'borën e ftoftë.

Avull e vaj duel nga trupi yt. Me borë t'lava e me lot gëzimi ta preva kërthizën, more picërraku i vogël!

Që pse shkoj të tbani im me dërrasa, e pse ulem në stolin e kalbun dimnash, para se me çelë derën e me i thirrë emnit tim.

Ulem n'stolin e plasaritun verash, se nana m'kallxon si linda e si m'lau me borën e parë, e si s'guxoi me i kallxua burrit, tue kujtua se isha i vdekun!

Kur çmallem mirë e mirë e kur nana niset kah vorret, unë e thërras emnin tim: Si je o Çun Alia. A je mërzitë vetëm? Ma hap derën se musafir n'shtëpinë time mbeta! I humbun rrugëve, e n'pragun e tbanit me dërrasa i gjetun. Hapma derën ti japim frymë njeni tjetrit!

Dhe futem në tbanin që din me heshtë!

I hapi dy dritare e dy dyerë, aq sa ka, e mizat e ngujueme dalin përjashta. E fitojnë lirinë n'katundin e harruem!

Shtrihem n'shtratin që kurrë s'asht çua, që kur vdiq ime bijë e marr frymë, erë druni marr!

Çiftelia e viteve gjashtëdheta, ajo e Mehmet Lubeniqit, rrin e varun e pret gishtat e mi.

E marr!

Ia fryj pluhunin e dal të stoli me dy copa lisi. E ve n'prehën e ngadalë ia cingëroj telat e ndryshkun. Edhe pak za ia fali e kanga "A din shka moj gërxheli, mori vjollca n'për frangi" përplaset kërshave e kthehet të guri i nji vashe! Me ngjallet Fishta e m'thotë: Malli e dhimbja janë palca e ashti. Këndo e mos vuej!

Kur shkoj të tbani me dërrasa e thërras emnin tim, e nana përmallohet. Shkon të vorret me puthë mesën ...!

Dardani, 21.10.2021

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat