Ekspozitë për të zhdukurit gjatë luftës

Kultura

Ekspozitë për të zhdukurit gjatë luftës

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 20:58
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në sheshin kryesor të Prishtinës po qëndron e hapur një ekspozitë me disa skulptura që simbolizojnë të zhdukurit gjatë luftës. 22 vjet pas luftës, rreth 1600 persona, shumica prej të cilëve shqiptarë, ende janë në listat e zhdukurve.

Deri më 15 nëntor në sheshin kryesor të Prishtinës do të qëndrojnë dy skulptura që simbolizojnë lutjen e të zhdukurve gjatë luftës për gjetjen e trupave të tyre.

Eroll Murati është autori i skulpturave. Në një bisedë me Zërin e Amerikës ai thotë se ky ka qenë një nga proceset e punës që e ka rënduar shumë emocionalisht.

“Ne e kemi dëgjuar edhe nëpër lajme e televizione që kanë qenë gjithmonë motot e sloganet ‘ku janë?’. Këta janë lodhur dhe familjarët e tyre, kështu që dalin nga toka me lutjen ‘më gjeni’. Me një fjalë këta kërkojnë ndihmë prej nesh, boll më me pyetjet ku janë, lobimi shumë i dobët në këtë aspekt për këtë arsye ia kam lënë emrin ‘më gjeni’, thotë ai.

Zoti Murati thotë se procese të tilla si ndriçimi i fatit të të zhdukurve duhet të çohen pëprara edhe përmes artit.

“Kur kalojnë njerëzit këndej i shohin dy lloj skulpturash dhe nuk e dinë se për çfarë bëhet fjalë, prandaj ndalen dhe e lexojnë”, thotë ai.

Çështja e të zhdukurve është një nga trashëgimitë më të rënda të luftës, krimet përgjatë së cilës ende nuk janë dokumentuar tërësisht.

Qeveria e Kosoëvs miratoi të mërkruën koncept dokumentin për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të luftës, i cili do të ngrihet me një ligj të posaçëm.

“Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë do t’i shërbejë edhe edukimit e ngritjes së vetëdijes që vendi ynë e gjerësisht rajoni të mos shohë më kurrë përsëritjen e historive të dhimbshme. Ky është momenti për të institucionalizuar, mbrojtur dhe ruajtur kujtesën kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve por gjithë gjeneratave të ardhshme pas nesh”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.

Në muajin shtator të këtij viti në Kosovë u kthyen trupat e shtatë shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, të cilët u gjetën pas gërmimeve në një varrezë masive në Kizhevak të Rashkës në Serbinë jugperëndimore.

Edhe 22 vjet pas luftës, në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre të përkatësisë kombëtare shqiptare./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat