Monologu i ariut të murrmë…

Kultura

Monologu i ariut të murrmë…

Nga: Gëzim Loka Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 09:02
Gëzim Loka

Tak-tak-tak. Tak-tak-tak.

Ditë e natë. Orar e pa orar. Kohë e pa kohë.

Ritëm i shfrenuar. Melodi e trishtë…

Trokëllima e sëpatës dhe ritmi i hazdisur i sharrës janë kthyer në një muzikë trillere në këto male.

Ku të shkojë në këtë mbrëmje të vonë, kur ajri i bymyer i Majës së Kurorës tanimë është rralluar dhe nuk gjen një dru për të bujtur në hijen e degëve të tij!?

Mbrëmë, tërë natën nuk reshtën sëpata dhe sharra, u ngarkuan kuaj, mushka, makina të tëra me trupa, duke udhëtuar drejt Tiranës, Durrësit, Shkodrës e gjetkë. Rojtari i pyjeve të Lurës e shiti një trup pishe me një paketë “Marlboro” e një makinë dëng me trupa ia dha dikujt që kishte ardhur nga Lezha për një stekë paketa “Rothmans”. Një tjetër e shiti një makinë me trupa për një drekë në hotel Lura, me verë të kuqe e mish lepuri.

U bë kërdia në drurët e pyllit e ky i fundit tanimë duket shkretan e mjeran. Nuk ka më as hije, as shtrojera drurësh, ku rrija dikur në qetësi e paqe me gjithkënd, pa trazuar askënd dhe pa më trazuar askush.

Tani nuk më sheh syri kund një dru dhe kam dalë në fushë të zbuluar e nuk di nga t’ia mbajë e ku të shkojë.

Mbrëmë m’u vërsulën një tufë qensh dhe një gjuetar me një çifte të vjetër. Mezi iu shpëtova, ik këtu e ik atje po askund nuk gjeta një vend të sigurt për tu fshehur. Shyqyr që ndodhi aty pranë një ahur i braktisur dhe u futa aty, sikur të isha një qen roje e qëndrova i strukur, derisa kjo gjindje e çmendur qensh gjahu e gjuetarësh u zhdukën, sikur i përpiu dheu.

Tani jam përsëri në terren të hapur dhe nuk di nga të shkoj e ku të mbytem. Nuk ka mbetur më as gjethe në këmbë e jo më drurë, rrënjë e degë, që jo e jo.

Nuk di kujt t’i ruhem më parë, gjahtarëve, zagarëve… apo politikanëve që vijnë vërdallë… duke pritur të më rrjepin lëkurën e të ma bëjnë gëzof për gratë e tyre të hijshme e të etura për rroba të shtrenjta me gëzof ariu.

Po e mbyll me këto vargje, që më vijnë në mendjen time prej ariu alpin:

Nuk di ku shkoj, nuk di ku vete

Nuk shoh një dru, nuk shoh një hije

Ikanak me lot, vetmi edhe derte

Po endem në jerm nën teh pabesie.

Të vranë pylli im, të shkretuan,

Dhe mua më lanë në ankth e të zbuluar,

Të fshehtat e pyllit një herë e mirë mbaruan

Të endem si mjeran paska qenë shkruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat