Me bajrak në flakë t’vetmisë...

Kultura

Me bajrak në flakë t’vetmisë...

Nga: Gëzim Loka Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 07:54
Gëzim Loka

Dibrës, këtij karakolli qëndrese, që më fton gjithmonë në prehrin e historisë së saj-

O moj Dibër, strehë lirie,

Djep eposi, varr tradhëtie,

Jatagan e klithmë kushtrimi Nga Korabi gjer buzë Drini Nga Lan Lura gjer n'Kala Dode,

Nga Zall Dardha ndër ato pode Në ato pode, në ato kulla Klithin trima e bien burra Me bajrak në flakë t'vetimës Tuia shkrep grykën martinës...

Jo për faktin se jam dibran, as për hir të nostalgjisë së kujtimeve të vendlindjes, që janë baza e psikologjisë së çdo njeriu të kësaj bote, kujtesa dhe prirja shkrimore më çon gjithmonë drejt strehës tënde, drejt gjirit tënd të mbushur me shtrëngata kohësh të vështira...

Kur vjen puna të flasësh për historinë, të kujtosh kohët e Motit të Madh dhe të të gjitha motive të përndezura të atdhetarisë, të gjitha udhët të çojnë në Dibër. Jo ve- tëm historianët, analistët, gazetarët, enciklopedistët, shkrimtarët, njerëzit e letrave, jo vetëm shqiptarët e mençur por dhe të huajt që kanë kaluar nga Dibra ose kanë njohur pjesë të traditës dhe historisë së saj, gjithë opinioni publik, mediat e lira dhe shoqëria civile kanë lënë të shkruara e zeza mbi të bardhë për madhështinë epike dhe qëndestare në kohëra të Dibrës.

Gjithkujt i parakalon në kokë historia, e kaluara, kodet e mbijetesës, traditat dhe zakonet që kanë mbajtur gjallë shpirtin e maleve, bëmat dhe heronjtë, rezistenca dhe pavdekësia e vizionit atdhetar. Është një parakalim emocional, në të cilin mpleksen e shkrihen në një, fijet e historisë dhe përditshmërisë, koha e rezistencës titanike për liri e dinjitet shoqëror dhe koha e tanishme, në kufijtë e një mbijetese të vështirë, por që gjithsesi nuk e ka shterur dot shpirtin e pasur dhe unikal të dibranit.

Dibra bën pjesë në rajonin verioro-veri lindor të Shqipërisë administrative, e ndarë në kufij mes vetit, në dy Dibra, nga një padrejtësi historike, me një reliev përgjthësisht kodrinor-malor. Dibra e Vogël shtrihet në dy anët e luginës së Drinit të Zi, duke u kufizuar në lindje nga vargmali i Korabi dhe në perëndim nga vargmalet e Lurës. Qendra e rrethit është qyteti i Peshkopisë që është edhe qyteti i tretë pas atij të Strugës dhe Dibrës së Madhë në Republikën e Maqedonisë. Qendra e rrethit, Peshkopia, shtrihet 185 km nga kryeqyteti dhë 21 km largësi nga pika e doganës së Bllatës në Maqëllarë. Në veri kufizohet me rrethin e Kukësit më 75 km vijë kufitare, në perëndim më Mirditën-13 km vijë kufitare dhe me rrethin e Matit, me 60 km vijë kufitare, në jug më Bulqizën me 27.8 km vijë kufitare.

Dibra bën pjesë në zonën klimatike mesdhetare malore dhe atë mesdhetare para-malore, meqënëse është pjesë e pellgjeve të lumenjve të Drinit. Dallohet për ndryshime të dukshme nga një sektor në një tjetër, sidomos në drejtimin vertikal. Në formim të kesaj klime kanë ndikuar faktorë si: lartesia dhe relievi i territorit, ndikimi i madh i klimës kontinentale nëpërmjet erërave që vijne nga grykat dhe qafat, nga brendësia e Ballkanit, ku si rezultat kjo klimë dallohet për ashpërsinë në dimrin e gjatë dhe me reshje të mëdha te dëbores, ndërkohë që në verë kemi një klimë te freskët por pa reshje.

Ky rreth ka një rrjet hidrografik shumë të pasur që përbëhet nga lumenj, liqene, përrej, burime nëntokësore dhe mbitokësore. Dega kryesore është lumi i Drinit të Zi, që merr me vete disa degë të tjera si: Malla, Seta, Veleshica, Murra etj. Këto degë kanë karakter të vrullshëm dhe me prurje të mëdha në kohën e shkrirjes së borës, gjë që i bën ata të jenë shumë të demshëm dhe të shkatërrojnë çdo gjë që u del para, duke sjellë shumë materiale të ngurta e duke shkaktuar përmbytje të tokave përreth. Midis pasurive të shumta dhe vlerave unike qoftë pasurore qoftë turistike, vlen për të përmendur liqenet shumë të bukura të Lurës, burimin e Llixhave të Peshkopisë si dhe disa burime të vogla në afërsi të qytetit; pasuritë hidrike kanë ndihmuar jo pak në zhvillim ekonomik të kësaj treve si në energji, ujitje, peshkim, indrustri, etj,. por këto burime shërbejnë edhe për tërheqje të turistëve si për turizëm balnear, argëtues, pushues, turizëm sportiv, eko-turizem etj.

Pushtimet e shumta, luftërat e pareshtura që nga kohë- rat ilire e gjer në Luftën e Dytë Botërore, nuk i kanë lejuar Dibrës një zhvillim të vrullshëm ekonomik në raport me pozitën gjeografike dhe resurset. Përpos shanseve që ofronte pozita gjeografike e Dibrës për dibranët, kjo pozitë duhet theksuar se shpesh herë ka qenë faktor pengues, pasi kjo trevë ka shërbyer si rrugë kalimi për ekspeditat e huaja ushtarake, që kanë kërkuar ta kthejnë Dibrën në pikë kalimi të ushtrive të tyre.

Nëse kërkojmë gjurmë në kohë, gjurmët janë aty, të fiksuara në blicin e kujtesës së vjetër dhe të re. Emrin Dibër e hasim për herë të parë aty nga shekulli i XI-të Erës së Re në trajtat: Debor-os dhe Diboros, te cilin gjeografi aleksandrian Klud Ptolemeu e vendos në koordinatat gjeografike 46°40'gjatësi dhe 40°45'gjerësi. Sipas këtyre koordinatave, Dibra ndodhej në verilindje të Skampinit (Elbasanit) dhe në veriperendim te Lyhnidit (Ohrit). Thukididi Dibrën e quan Dobiros, Straboni e vendos atë në rrjedhën e sipërme të lumit Struma. Shkrimtari romak Plini Sekundi i vendos doberët së bashku me disa fise të tjerë pajaonë rrëzë maleve te Rodonit, Skopit dhe Orbelit. Në shkrimet bizantine u shndërrua nga trajta Diboros në Debri; njëkohësisht me penestet kohëvendas qenë dhe doberët, por meqë të parët qene më të fuqishëm, emri i tyre i njohur harroi doberët që më vonë do të shtriheshin në gjithë Penestinë, duke i dhënë trevës emrin e tyre Diber. Ne vitin 1040 Dibra përmendet për herë të parë nga Kredano si krahinë në formën e trajtës Debri. Ana Komnena, me 1107, e shkruan po ne trajten e Kredanos. Ndersa kryepeshkopi i Ohrit, po këtë vit, ruan trajtën e shkrimtarëve Bizantinë: Debri. Shkrimtari bizantin Akrepoliti është i pari që përdori në vitin 1257 emrin e krahinës në shumës: Dibrat. Në mesjetën para turke tre shkrimtarë bizantinë: Efremi më 1257, Pahymeres me 1259 dhe Kautakuzeni më 1350, na bëjnë me dije se ka ekzistuar një krahinë me emrin Dibëri. Ne një dokument të nënshkruar nga Kral Valuaj dhe mbreti i serbëve Miljutin, më 20 Mars 1305, Dibër njihet e gjithë krahina. Austriaku Han dhe francezët Bozhur e Pukëvil permendin dy Dibra: e siperme dhe e poshtme, me 500 shtëpi. Në defterin turk të vitit 1467 vilajeti i Dibrës jepet me 188 fshatra me 75 000 banorë.

Administrativisht Dibra ndahej në dy pjesë, në To- pallti dhe Malësi. Në të parën bënin pjesë fshatrat që patën njohur dhe pranuar sundimin turk dhe paguanin në të rrallë taksa e xhelep, por asnjëherë nuk kishin dhënë ushtarë. Këtu hynin fshatrat që shtriheshin në lindje të rrugës automobilistike Qafë- Studen-Sllovë. Në Malësi hynin fshatrat që sundoheshin mbi bazën e Kanunit të Maleve, me bajraktarë e pleq, që kurre nuk i ishin nënshtruar sundimit turk, d.m.th nuk jepnin taksa e xhelep dhe as ushtarë. Malësia e Dibrës ndryshe quhej dhe Nëntë Malet e Dibrës, e njohur me këtë emër që me shpalljen e Manifestit Perandorak më 1839, ose sic u quajt ky rregull, reformat e Tanzimatit.

Nëntë Malet qenë një organizim ushtarak i ndërtuar mbi bazën e traditës, si domosdoshmeri mbrojtjeje ku- ndër vërshimeve osmane, që nxirrnin një sasi të caktuar ushtaresh (forcash të afta për luftë nga çdo Mal. Nëntë Malet e Dibrës ishin: Reçi, Dardha, Çidhna, Muhurri, Luznia në Dibër të Poshtme; Gryka e Vogël, Gryka e Madhe, Bulqiza dhe Selishta në Dibër të Epërme. Në situata të nxehta lufte, kur lypsej më shumë se kurrë vëllazërimi dhe bashkimi, përfaqësuesit e maleve mblidheshin në kuvende dhe venosnin për fatet e Dibrës e të shqiptarisë. Karakteristikë e veçantë e kuvendve të Maleve ka qenë: lënia e hasmerive, falja e gjaqeve dhe lidhja e besës për t'i bërë ballë agresionit kur Dibra sulmohej.

Dibranët kanë përballuar luftra të shumta kundër turqve osman, serbëve e deri kundër nazifashizmit.

Nga 24 beteja që zhvilloi Skënderbeu gjithesej, 19 të tilla numërohen në Dibër. Fushat e Pollogut të Dibrës, të Ohrit, të Domosdovës, grykat e luginat e Drinit, Matit, Shkumbinit që nga viti 1444-1448, 1450-56; 1462-65 fu- shat e Ujit të Bardhë (1457), të livadhit pranë Ohrit, të Vajkalit (1465) etj u bënë sheshi i disfatave të ushtrive osmane. Kryengritjet e Dibrës kundër Portës së Lartë, të përfaqësuar nga pashai mizor Hajredin Pasha, i cili la në tokën dibrane 12 mijë varre, kanë hyrë në analet e historisë shqiptare e evropiane.

Dibranët, nën udhëheqjen e prijësit popullor, gjeneralit me shajak Elez Isufi, nëntë vjet luftuan kundër serbëve, duke i thyer keq dhe duke i përzënë me besë a besë nga trojet amëtare (1912-1921).

Dibranët kanë dhënë kontribut në disa kuvende lokale e kombëtare si në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1878, në Kuvendin e Ornanices, 1879, Kuvendin e Dibrës 1899, Kongresin e Dibrës 1909, Kuvendin e Vlorës 1912 etj.

Lufta e Dytë Botërore, me zulmën e pushtimeve më barbare të njohura gjer atëhere në Shqipëri, sollën dhe rezistencën më të madhe të shqiptarëve për çlirim kombëtar e shoqëror, ku Dibra ka mbajtur një peshë të konsiderueshme në këtë histori të trazuar.

Kur thua Dibër, ke thënë histori, ke thënë krenari, ke thënë kujtesë. Ke thënë rrugë lirie, dinjitet, mëvetësi. Ke thënë kohë-hapësirë e Shqiptarisë, kushtrim me besë a besë për mbrojtjen e gurit të pragut dhe varreve të të parëve.

Sa herë kthehem tek ti, o kështjellë e virtytit, perlë e lirisë, zëdhënëse e qytetërimit, Dibër e Burrave të Dheut, mbushem me mall e krenari, e kënga më gufmon nga gjoksi:

Dibër, o strehë Lirie

Djep, ikonë Pavarësie

Zë kushtrimi nëpër vite

Me lavdi emrin e rrite

Gjëmim mali, jehonë fushe,

Krenari në zemër m'mbushe...

Sa të ketë jetë n'kto troje

Sa të ketë mjaltë në hoje

Sa të ketë diell e hënë

Sa të ketë vaj e këngë

Dibër me aromë Lirie

Djep, ikonë Pavarësie.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat