Dorëshkrimet e veteranit Xhemal Imeri

Kultura

Dorëshkrimet e veteranit Xhemal Imeri

Nga: Albert Z. Zholi Më: 14 janar 2022 Në ora: 19:01
Albert Z. Zholi

Dorëshkrimet e tij janë interesante. Ka një shkrim të bukur dhe shkruan me shumë kujdes. Ndër të tjera ai shkruan se: Për shumë vjet të kohës së komunizmit, deri në fillimin e viteve 1970-të, Elmaz Imeri ka qenë një nga personalitetet dhe drejtorët e rangjeve më të larta të Ministrisë së Brendshme. Por jeta iu pre në mes, nga një aksident që erdhi papritur. Dhe që sipas nipit të tij, Xhemal Imeri, ishte i organizuar, pikërisht nga drejtuesit komunistë të asaj kohe, që sipas tij, e praktikonin shpesh eliminimin e kolegëve. Në një rrëfim të posaçëm ai tregon pikërisht historinë e xhaxhait të tij, duke përmendur mes të tjerash edhe emrin e Beqir Ballukut, edhe ai i ndëshkuar nga sistemi i kaluar komunist. Ai e përshkruan atë si një njeri shpirtmirë, i gjendur dhe që i ndihmonte njerëzit. Ndryshe nga Kadri Hazbiu, i cili sipas tij, nuk ishte aspak i sinqertë...

Vitet e LNÇ dhe Krimet e “terrorit të kuq” sipas Xh. Imeri

E kisha përjetuar, madje dhe mora pjesë në luftë. Përjetova edhe vitet e pas luftës dhe kam qenë faktor në rrugën e ndjekur pas saj. E ja tani, në moshën 88-vjeçare, po më afrohen më tepër se kurrë ndjenjat dhe pasojat, apo rrugët nëpër të cilat kam kaluar, në mes të shokëve e të shoqërisë që ngritëm, përmes hallesh që njihen e kujtojmë sot, që kanë kaluar shumë vite... Më rizgjoi një datë 25 shtator 2018, me një emision të gjatë televiziv për krimet e komunizmit në Shqipëri.

Një ditë mora një libër me titull: “La storia dela fenomena stalina”, të botuar nga ish-sekretari i Partisë Komuniste Franceze, Zhan Eleshtein. Aty gjeta shumë përshkrime krimesh, por ai në përgjithësi donte të thoshte hapur, se krimet e “terrorit të kuq” të Stalinit e kishin prejardhjen prej krimeve të Leninit, ku sqaronte se dënimet deri në kongresin e fundit të jetës së tij, ishin përgjysmuar për anëtarët e Partisë Bolshevike. Që do të thoshte se krimet e komunizmit ishin krime të prejardhura komuniste.

Edhe në Shqipëri, kishte krime komuniste

Për egërsinë komuniste ka pohuar edhe Nexhmije Hoxha, kur flet për Sejfulla Malëshovën e thotë se: “Sejfullai ishte i urtë, për të qenë udhëheqës i një partie komuniste...!”. Më saktë, një grup historianësh europianë kanë të botuar një libër gati 1000 faqe më kopertinë të kuqe, ku trajtohen krimet e bëra deri në Shqipëri, me ilustrime marramendëse. Unë që po flas, ato krime i kam ndjerë në gjakun tim, të njerëzve të dashur, komunistëve të orëve të para e madje drejtues kryesorë, midis tyre tre veta madje dhe në forume të larta e të rëndësishme të vetë partisë Komuniste të (Punës). Luftëtarë trima e plagë lufte në trupat e tyre. Sot dua të kujtoj njërin ndër ta...

Po përse u kujtova sot për njërin nga ata? Sepse nuk kam botuar gjë për xhaxhanë tim, Elmaz Muharrem Imeri, pa folur për babanë, nacionalist i shpallur dëshmor. Elmazi u eliminua më 2 tetor 1952, nëpërmjet “aksidentit” të organizuar.

Kush ishte Elmaz Muharrem Imeri?

Elmazi, ishte luftëtar i orëve të para, antifashist, i cili qysh në fillimet e luftës u radhit në njësitin e armatosur të fshatit dhe u bë anëtar i partisë. Më 10 qershor 1943, mori pjesë në formimin e çetës “Hodo Zeqiri”. Mburresha që majori anglez Hill, i dorëzoi një mitraloz të madh kundra-tank, të cilin e inauguroi po atë ditë në një aksion kundra një kolone në Jonufër, ku u dallua, e pas një muaji në fillim të korrikut 1943, u zgjodh bashkë me 10 tragjasiotë për t’u rreshtuar në brigadën e parë. Më tej, u emërua komandant kompanie dhe me formimin e brigadës 23 kaloi si zv/komandant i batalionit të 3. Nga lufta doli kapiten i dytë, e më vonë kapiten i parë, duke shërbyer në Regjimentin e Delvinës, në Divizionin e Parë në Tiranë, si komandant batalioni dhe më tej, në Brigadën e Dibrës. Në vitin 1949, e transferojnë në Ministrinë e Brendshme, në degën e Sigurimit të Ushtrisë. Prej andej, i erdhën edhe pasojat që po përshkruaj më poshtë.

Ku ndodhesha unë në këtë kohë?

Ndodhesha në Kiev të Ukrainës për studime. Më kishin dërguar nga shkolla ushtarake “Skënderbej”. Isha në fundin e studimeve. Kisha përfunduar programin trevjeçar dhe bëhesha gati të jepja provimet e shtetit për oficer ndërlidhjeje. Befas më thërrasin në zyrën e Komandës së Shkollës. Komandanti, Gjeneral Ivan Ivanoviç Burov më lexoi një urdhër. Urdhër që kishte ardhur nga Komanda e Përgjithshme para 2-3 muajve, por meqë isha student i shkëlqyer, ishin menduar të më mbanin për të përfunduar provimet shtetërore. Urdhri i dytë thoshte: “Studenti Xhemal Sefer Imeri të kthehet sa më parë për nevojat e Komandës së Përgjithshme”. Pasi më lexoi urdhrin gjenerali, e mori fjalën Koloneli Afshinikov dhe m’u drejtua: “Shoku Imeri, për çdo gjë kemi vendosur me stafin studimor, që t’ju jepen të drejtat e përfundimit të studimeve me rezultate të shkëlqyera, e me gjithë të dhënat e tjera për Ju do të udhëtojmë nëpërmjet postës përkatëse për në vendin Tuaj. Me keqardhje që na largoheni, siç ndodhi me grupin e Zaçes, vitin e kaluar. Por urdhrat janë të padiskutueshëm”.

Më lejuan të largohesha dhe sqarimet më të plota m’i bëri pasi dolëm, komandanti i kompanisë, majori Pavëll Llitnjevi. Gjatë rrugës për në zyrën e tij takonim kuadro e pedagogë të mitë dhe më përshëndetnin për vendimin e komandës së shkollës për dhënien e diplomës. Pas 12 ditësh, u nisa për në Odesë me një përcjellje të gëzueshme, të shokëve, majorëve dhe komandantë e pedagogë. Në Odesë qëndruam 10 ditë në Shkollën e Këmbësorisë, ku më parë ishin diplomuar 75 oficerë tanët, të cilët u bënë kuadro të suksesshëm. Rastësisht, aty mora vesh se dajua im, Sali Ormëni, një vit më parë paska “vrarë veten” dhe si kuadër tepër i lartë, ishte quajtur armik i partisë dhe i popullit. Më ra pika kur e mora vesh atë lajm jetik për mua. Por për fat, mora sqarime nga kolonelët Vehbi Hoxha, Halim Ramohito, Ndreko Rino, që kishin përfunduar Akademinë “Frunze” dhe ra rasti të qëndronin edhe ata në atë shkollë, në pritje të një vapori “Çiaturi” që do nisej për në atdheun tonë.

Çfarë bëra kur erdha në atdhe për të mësuar të vërtetat?

Kur arritëm në atdhe bëra një tentativë dhe u futa në zyrën e drejtorit të kuadrit të Komandës së Përgjithshme, Haxhi Lleshi, i cili më priti shumë keq e me kërcënime, sidomos kur i thashë se përse më kishin përjashtuar vëllanë jetim e të vogël nga shkolla “Skënderbej”. As më sqaroi fare, por m’u turr me këtë togfjalësh: “Kursant! Largohu dhe mos e zgjat më. Të shohim si do vendosin për ju, se nuk mund të mbajmë në ushtri bij ballistësh e nipër armiqsh, për të rrëzuar pushtetin popullor...!”. Isha i porsaardhur dhe nuk dija shumë gjëra, prandaj dola si pulë e lagur nga ajo zyrë dhe po lëvizja korridorit të katit të parë. Fati im, që rastësisht ndesha në një kapiten me dosje në dorë e m’u drejtua: “Shoku kursant! Mos je nga ata që erdhën mbrëmë nga Bashkimi Sovjetik?” dhe pa ndërhyrë unë ai vazhdoi: “Shko bëj një kërkesë takim me shokun gjeneral Beqir Balluku, se me dorën time do vijë e të fus unë tek ai”. Siç e mora vesh, ai paska qenë kapiten Josif Zegali dhe ishte sekretari personal i Shefit të Shtabit të Ushtrisë, pra edhe zv/i parë i komandantit suprem, Enver Hoxhës. Për të mos e zgjatur, veprova sipas porosisë dhe shkova në postë e shkrova një telegram gjysmë faqe.

Si shkova tek Beqir Balluku dhe si më priti?

Pas pesë ditësh, më futi tek gjeneral Balluku, i cili pasi kishte lexuar dërgesën time, më bëri një pritje shumë të ngrohtë. Më dorëzoi diplomën e ardhur me listën e notave “shkëlqyeshëm” dhe më gradoi në zyrën e tij n/toger, dhe më bëri një pyetje tepër prekëse: “Ku doni të shërbeni?”. M’u lotuan sytë, kur ai më caktoi të Tiranë...!” në Regjimentin e Ndërlidhjes, madje më riktheu edhe vëllanë në Shkollën Ushtarake, i cili eci në rrugën e tij shkëlqyeshëm, si mjek i suksesshëm. Ashtu siç isha, me uniformën sovjetike dhe spaletat e n/togerit në supe, shkova tek xhaxhai im Elmaz Imeri, në shtëpi. Ai u befasua nga gradat dhe m’u lëshua me përqafime e puthje. Rashë në muhabete sa tronditëse, aq dhe të ngrohta me të. Aty m’u drejtua:” Do vish të banosh këtu, me gjithë varfërinë time e me 4 fëmijë e gruan Sadenë, do mblidhemi. Do të të jap edhe biçikletën e punës time, se e ke repartin larg”. Banimi im tek xha Elmazi ra në sy të keqbërësve, aq më tepër se i kishte “mashtruar” ata, sidomos që i kishte dhënë biçikletën e zyrës së ministrisë së Brendshme, një njeriu “të padëshiruar”, siç isha unë. E që e kishin porositur më parë të bënte deklaratë për kthimin tim nga studimet e përjashtimin e vëllait nga shkolla “Skënderbej”. Kaloi mbi një muaj dhe i kthyer nga reparti i isha përveshur punës, kur një ditë e gjeta në shtëpi tepër të ngrysur atë ish-trim, të shndërruar si pulë e lagur.

Pasi e pyeta se ç’kishte, me lot në sy më tha: “T’u zbatua porosia që më ke dhënë, për të patur kujdes se do fillojnë të të sulen. Se ata s’ta falin paralajmërimin që të kishin bërë më parë. Bëj kështu si themi, se ndryshe do përfundosh si Sali Ormëni, që i la fëmijët rrugëve!”. E mora për krahu xhaxhanë tim të dashur dhe deshi s’deshi e shoqërova për në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Aty morëm nga një birrë e diçka për ta shoqëruar. Kisha marrë rrogën e parë si oficer. Ai po më shpjegonte hollësira pse e kishin transferuar për në Shkodër, madje pa e kuptuar as vetë filloi të ngrejë zërin. Unë i thashë:”Kujdes xha Elmaz! Se dëgjojnë edhe muret...” Ai ma ktheu: “Aha, Xhemo! Ka ardhur koha të kuptoj se në ç’pozita më kanë katandisur. Po më vjen mirë që të shoh kështu, të rritur, të pjekur para kohe, por për mua nuk ka më jetë...!”.

Pas 5 ditësh e ndihmova në ngarkesën e plaçkave të shtëpisë dhe e përcolla atë dhe fëmijët e tij me të mirën Sade, siç i flisja, për të mos i takuar më…!

Po më pas, çfarë ndodhi me Elmazin?

Më datën 2 tetor 1952 më sinjalizojnë se Elmazi mbrëmjen e mëparshme ishte aksidentuar dhe trupi i tij, ndodhej në morgun e spitalit ushtarak. Më mori kolonel Ndreko Rino, i cili më kishte marrë në Sauk për t’i përgatitur dy kuadrate të kufirit, për paradën e ardhshme dhe më shoqëroi për në spital. Atje, veç të tjerëve ndodhej dhe Kadri Hazbiu, i cili duke iu afruar arkivolit që po dilte u shpreh: “Ah! Mazo-Mazo! Nga motorët kishe frikë e nga motorët gjete vdekjen!”. Desha t’i drejtohesha: “ Se janë motorat e t’u o Kadri Hazbiu, se Elmaz Tragjasi nuk ka patur frikë nga armiqtë italo-gjermanë e jo të kishte nga motorat...”. Por e mbajta veten, për të jetuar dhe të kujtoj ato viktima që ka palosur Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu me shokë. Gjithsesi, motoçiklisti nuk pësoi gjë dhe s’e shfaqën gjëkundi në skenë, të tregonte si ndodhi ajo tragjedi, që Elmazi u përplas në gjoks, në qoshen e një karrocerie të një makine të vendosur në një kthesë te Ura e Zezë, që e kishte përplasur motoristi dhe copëtuar fytyrën, gjoksin deri edhe automatikun, sipas Kadriut, sepse as babait të Elmazit nuk iu zbulua fashimi që i ishte bërë viktimës. Më kujtohet edhe se ç’tha Kadri Hazbiu para plakut baba, që: “Do nisemi për në Vlorë, se Elmazi është shpallur “Dëshmor” e do ta shoqërojmë, se do vendosim arkivolin me trupin e dëshmorit në hollin e Komitetit të Partisë në Vlorë, pasi ka lënë punën populli i Vlorës, në pritjen tonë”.

A shkoi trupi në Vlorë dhe a u kryen homazhet?

U kryen homazhet për dy orë dhe shoqëruar nga qindra njerëz, e varrosën pranë të vëllait, Zeqirit, “dëshmor i luftës”, si dhe u vendos fotografia dhe emri i tij në muzeun e Ministrisë së Brendshme.

Si ka ndodhur vdekja e tij, si është përshkruar më vonë ngjarja?

Udhëtimi i tij me motor nga Shkodra për në Tiranë ishte bërë atë darkë të zezë për të, sipas porosisë që kishte marrë: “Hajde me motor e jo me gazin se është natë, se gazin ta njohin diversantët”. Siç duket motoçiklisti ishte stërvitur më parë, për atë tragjedi. Pas 17 vitesh, kur u shpërngulën dëshmorët e Vlorës nga Skela, për në varrezat e reja në vitin 1967, arkivoli me eshtrat e Elmaz Imerit u çuan në Babicë, ku prej asaj kohe prehen bashkë me bashkëshorten e tij Sade, mes njerëzve të thjeshtë e jo tek dëshmorët. Kjo tregon qartësisht se Elmazin e kishin shpallur “Dëshmor të Atdheut” për sy e faqe, për të mbuluar krimin e organizuar gjatë eliminimit të tij. Të katër fëmijët dhe një i pestë në barkun e të shoqes i trajtuan mirë, për të mbuluar horrllëqet e kriminelëve sadistë, të shefave e veglave të tyre. Kurse fëmijës që la në barkun e së shoqes, ia vunë emrin “Mazi”. Unë e kam për nder të kujtoj figurën e atij burri të devotshëm, trim e të zgjuar, i cili ka lënë mjaft vargje poetike për luftën e dëshmorët e fshatit të tij, Tragjasit. Por edhe Beqir Ballukun, që jo vetëm një herë na ka mbrojtur nga zemërligjtë e partisë, e që pas eliminimit të tij na vënë përpara, sa edhe vetë nuk e morëm vesh sesi shpëtuam gjallë, me gjithë ato prapësi që na thuri “ujkonja” që hante këlyshët e vet, derisa në fund, hëngri edhe vetveten...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat