Cila është pesha historike e bibliotekave?!

Kultura

Cila është pesha historike e bibliotekave?!

Më: 19 janar 2022 Në ora: 09:49
Ilustrim

Bibliotekat përveç që janë “arkiv” i librit, mbi të gjitha, shërbejnë edhe për t’i ofruar shërbime qytetarëve të interesuar për t’u pajisur me informacione që u duhen për punime shkencore, për hulumtime dhe për vepra studimore. Shqiptarët e Shkupit, Bibliotekën nacionale dhe universitare “Shën Klimenti i Ohrit – Shkup”, me gjasë e shfrytëzojnë vetëm si leximore. Ata tash e sa kohë kanë hequr dorë nga përpjekjet për ta shfrytëzuar edhe si burim informacioni shkencor, sepse këtë shërbim nuk ua ofron askush! Në këtë Bibliotekë më se 99 për qind e të punësuarve (mbi 150 persona) janë maqedonas dhe gjithnjë këtë institucion e kanë mbajtur si bastion i “nacionalizmit intelektual” maqedonas dhe si kështjellë të paprekshme, sidomos prej shqiptarëve!

Këto ditë, në redaksinë tonë erdhi një shkencëtar shqiptar dhe na e rrëfeu një përvojë jo të mirë që e paskësh pasur në këtë Bibliotekë! Ai u paska kërkuar nga fondi i shtypit maqedonas një gazetë të botuar këtu e tri-katër dekada më parë! Punëtorët e bibliotekës tashmë e dinë që shqiptarët e kërkojnë shtypin për ta sjellë në kujtesë edhe një herë tërë atë tërbim shovinist të kohës që intelektualët serbo-maqedonas e shprehnin kundër shqiptarëve. Ndaj, kohëve të fundit, sa herë të kërkohet ndonjë gazetë apo revistë e viteve ’80, sakaq do të kthehet e njëjta përgjigje: “gazetat janë të pasistemuara dhe të hedhura kupë, ndaj, është e pamundur që t’i gjejmë e t’ju dalim në ndihmë! Na vjen keq!” Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pa dyshim që duhet të konsiderohet skandal i madh që duhet t’i vë në veprim instancat shtetërore!

Ky është problemi më i vogël për sa i përket kësaj Biblioteke! Ndonëse, fatkeqësisht, këtë institucion e kanë udhëhequr edhe shqiptarë, deri më sot nuk dihet asgjë për fondin e librit shqip, për fatin e publikimeve që kanë përfunduar në këtë Bibliotekë. Kurrë nuk u ngrit ideja për hapjen e një sektori të veçantë për koleksionin e publikimeve në gjuhën shqipe, koleksion ky që është esencial për një trashëgimi kulturore. As shkencëtarët shqiptarë, as akademikët, as fakultetet filologjike shqiptare, as profesorët dhe as politikanët nuk dinë asgjë rreth pasurisë kulturore shqiptare të ngulfatur në pluhur e kalbëzim nëpër kthinat kurrë të hapura të kësaj Biblioteke! Brenda saj ekzistojnë “kthina” në të cilat nuk mund të ketë qasje asnjë jomaqedonas dhe kjo është detyrë patriotike e “rojës” së vlerave kulturo-historike maqedonase! Për këtë koleksion, si interes nacional, ekziston një përkujdes i posaçëm i institucioneve nacionale maqedonase, në orbitën e të cilëve libri shqip grumbullohet vetëm si fond për t’u falur gjatë Ditës së Librit, apo për t’ju dhuruar “organizatorëve” shqiptarë të panaireve sporadike ndërkombëtare!

Deri më sot, asnjë nga faktorët shqiptar bibliotekat në Maqedoninë e Veriut nuk i ka vlerësuar si “strehë” e kujtesës kombëtare, askush nuk di asgjë për koleksionet e veçanta në gjuhën shqipe, asnjë intelektual nuk ka shprehur interesim për bibliografinë e librit shqip nëpër bibliotekat e këtij vendi, asgjë nuk dihet për botimet e dekadave të para pas themelimit të Alfabetit Shqip, sikundër nuk dihet asgjë as për botimet me alfabet osman apo pers që i përkasin trashëgimisë kulturore shqiptare. Thjesht, askush nuk di asgjë për trashëgiminë kombëtare të shkruar (të publikuar apo jo!) e që mund të jetë në grahmën e vet të fundit, duke vdekur në pluhur e në lagështi. Asnjë faktor nuk është angazhuar në katagolizimin e posaçëm si dhe në digjitalizimin e tërë fondit të librit në shqip!

Nëse partitë shqiptare mburren se në programet e tyre vend të veçantë zënë edhe strategjitë kombëtare për kulturë, atëherë, prioritet i prioriteteve të tyre duhet të jetë themelimi urgjent i sektorit për veprimtari bibliotekare ekskluzivisht për trashëgiminë kombëtare të shkruar e të publikuar. Sepse, do të stopohej apo nuk do të mund të realizohej çfarëdo projekti i katalogut të përbashkët i librave nëpër bibliotekat kombëtare ku është i deponuar edhe libri shqip! Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk dinë asgjë për fatin e kësaj trashëgimie të grumbulluar vite e dekada më parë! Nuk ka as njeri kompetent që mund të ofrojë kurrfarë shërbimi e informacioni për sa i përket këtij koleksioni në bibliotekat nacionale të Maqedonisë së Veriut (Shkup, Shtip, Manastir)! /HEJZA/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat