Konkursi, një mënyrë e ndarjes së shapit prej sheqerit

Kultura

Konkursi, një mënyrë e ndarjes së shapit prej sheqerit

Nga: Hejza Art Më: 28 janar 2022 Në ora: 12:44
Foto ilustrim

Në të kaluarën, me qëllim të ngritjes së cilësisë së letërsisë, por edhe me qëllim të stimulimit të shkrimtarëve, praktikoheshin edhe konkursi për përzgjedhjen e veprave më të mira në prozë, poezi e kritikë letrare. Caktohej juria profesionale, ndërsa në këto konkurse arrinin për më të mos thënë me qindra, me dhjetëra e dhjetëra dorëshkrime (të shifruar, kurse autorësia dëshmohej pasi të shpalleshin rezultatet), të cilat më pastaj i nënshtroheshin leximit serioz nga ana e anëtarëve të jurisë. Kjo formë vërtet ishte diçka shumë e qëlluar, sepse përzgjidhej ajo që ishte më e mira.

Formën e konkursit të përzgjedhjes së veprave letrare, deri vonë (ndoshta akoma vazhdon, nuk e kemi të verifikuar) e pati zbatuar Shtëpia botuese BUZUKU (Prishtinë), duke u ofruar shans të konkurrojnë autorëve të shumtë, të cilët, në një mënyrë, pas mbylljes së RILINDJES, u bënë dëshmitarë të një kaosi të paparë (e që akoma vazhdon) në fushën e botimeve.

Megjithatë, konkurse e këtilla që duhet të trajtohen në mënyrë serioze, nuk mund të realizohen pa pasur mbështetje institucionale, pse jo edhe mbështetjen e artdashësve në sferën e biznesit (kompanitë e shumta vetëm për realizimin e një reklame disa sekondash ndajnë edhe mbi 100 mijë euro, shumë kjo që ndonjë botuesi serioz do t’i mjaftonte për ta mbajtur gjallë konkursin minimum pesë vjet, për çdo vjet nga 20 mijë euro për shpërblimin e autorëve dhe botimin e veprave të shpërblyera). Por, ja që logjika e tregtarëve është krejt ndryshe nga ajo e atyre që mendojnë se patriotizmi i vërtetë është investimi në kulturë.

Kthimi i konkurseve do t’ua kthente besimin shumë shkrimtarëve të dëshpëruar, të cilët në një mënyrë kanë hequr dorë nga të shkruarit, do të bënte që të ndahej shapi nga sheqeri dhe do t’u jepte një grusht të fortë botuesve matrapaz, të cilët nuk turpërohen as nga vetvetja me punën e ndytë që e bëjnë. Kthimi i konkurseve do t’i shpërbënte grupet e ndryshme të interesit, grupimet provinciale, të cilët veprojnë në rrathë të mbyllura dhe sado kudo do ta frenonte pak kaosin në lëmin e botimeve. Pra, jo vetëm ministritë përkatëse, por edhe akademitë, institutet, shoqatat e shkrimtarëve (nëse akoma ekzistojnë) dhe faktorët tjerë relevantë duhet të mendojnë edhe në këtë drejtim dhe të japin ide për realizimin e konkursit, si një formë e qëlluar për t’u dhënë mundësi të gjithëve që të jenë të barabartë.

Në një mënyrë, kjo formë e kthen edhe dinjitetin e autorit, i cili e meriton të shpërblehet materialisht (si dikur) për investimin shpirtëror dhe jo të ndodhë e kundërta që autorit të investojë edhe në botimin e librit te matrapazët që nuk kanë asnjë grimcë morali njerëzor, por thjeshtë janë bërë si hiena, duke ndenjur ditë e natë në gjendje gatishmërie për t’i “gjuajtur” ata që duan ta shohin veprën e tyre të botuar...(HEJZA)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat