Poezia e autorit Hilmi Hajra

Kultura

Poezia e autorit Hilmi Hajra

Nga: Zymer Mehani Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 09:02
Kopertina e librit

Përmbledhja poetike “MOS E SHUANI DITËN“ e autorit Hilmi Hajra është e ndarë tri cikle: NË ÇASTE MALLËNGJIMI 2. NË FIJE SHPRESE dhe 3. MOS TË MUNGOJË GUXIMI.

Poezitë e paraqitura në përmbledhjen në fjalë, mund të thuhet se dallohen me me tematikë dhe motivikë të larmishme, poashtu edhe me një stil krejt të veçantë.

Ky autor në poezitë e tij na përcjell ndjenja aq të ngrohta dhe tejet të qëndrueshme mbi historinë e truallit shqiptar dhe qëndresën e tij përgjatë dekadave e shekujve, heroizmin e luftëtarëve shqiptarë në beteja, fuqinë e tyre që gjithmonë e gjetën në bashkim (poezitë me motiv atdhetar: PRANVERË, ATY ISHTE, NJË KOHË, TË MOS MUNGOJË GUXIMI, NUK DUA, KRONIKË, FLETËZ DITARI, MARSI ’81-QERSHOR’99, ATDHE, PSE?..., PËR TY NJË URIM, PSE KËTO VARRE TË HUAJA, LAKMITARË MESJETE, sidomos te poezia HESHTJE ’99 , ku e sheh brimin e shpresës së madhe:

Sa ditë e rëndë ishte

Mbretëronte vetëm heshtja!

...

Atë ditë gjerë e gjatë pashë shëmtinë

...

Dëgjova vetëm një vajë foshnje

Kjo shpresës m`i hapi shteg

Se e jona kjo tokë në djegie-

Kurrë, kurrë më s'do të mbetet shkret!

(Poezia HESHTJE ’99)

Poeti sikur e kondenzon gjithë kohën e pakohë të skëterrës së robërisë me tablonë shpresëdhënëse, “dëgjova një vajë foshnje”, kur qiellin e Kosovës e kishin mbuluar retë e zeza dhe kur korba e hiena karpatiane sorollateshin kudo e ngado.

S’do mend se ndjenja të fuqishme burojnë nga dashuria për atdheun (fatkeqësisht të ndarë në 5-6 pjesë), si te poezitë MOS MË NDILL KOB, GUR PAS GURI, TURP MË ZI SE NATA, etj., ku auori me të drejtë pyet ”Pse këto ndarje” dhe mesazhi që jep ai, është mëse i qartë, sepse saherë që të huajtë na ndanin, do të thotë se na copëtonin, por kur vetë ne shqiptarët ndahemi e përçahemi, gjë që s’na falet dot, kjo do të na çojë në vetmohim të binomit ATDHE+KOMB, ashtu siç thotë autori në vargjet në vijim:

Ku do të mbërrijmë me këto ndarje?!

Askund!
Përveçse në vetëmohim!

(Poezia PSE KËTO NDARJE?!)

prandaj këto ndarje nga të huajtë, por edhe nga vetë shqiptarët, autori i kundërshton si çdo pjesëtar i tabanit kombëtar:

Trojet tona i ndanë...

Unë kundërshtoj!

(po aty)

...sikurse që do të pyes edhe për “...këto varre të huaja” (te poezia me të njëjtn titull), që janë “të mbjella” në trojet tona:

Pse në tokën tonë janë gjithë këto varre?
Sa serbe, greke, romake, osmane...
Shkruajnë histori rrejshëm nëpër natë të zezë
Mbulojnë turpin e tyre ardhacakë t`pabesë!

...

Erdhën për të vrarë, vetë u bënë për vaje

...

Gjatë shekujve ...ujq, tani... skile!

(Poezia PSE KËTO VARRE TË HUAJA?...)

E autori Hajra përgjigjen e di: lakmia ishte ajo që pushtuesve ua verboi sytë, prandaj edhe e mbollën këtë tokë (kudo nëpër atdhe) me të tyret varre.

Por, poeti do t’na porosit “të mos mungojë guximi”, ngase:

Trimëria shuhet

Kur mungon guximi

Shpirt e zemër

I kaplon trishtimi.

...

Guxo, n`zemër mos e ndryj!

Shkurt e shqip thuaje:

Trojet e bashkuara

Bëjnë një SHQIPËRI!

(Poezia TË MOS MUNGOJË GUXIMI)

Ai do t’i porosit bashkëkombësit e vet:

Mos e shuani ditën me muzg ligësish
Atë terr të zmbrapsur sa e sa herë…
Nga kushtrim i Kerit, Sakut…
E qëndresë e Bike Alisë…

(Poezia MOS E SHUANI DITËN)

pa ato bjeshkë “Dhimbjen as dashurinë vdekja nuk i tretë… trashëgimi brezniveKrenari dhe brengë…”.

E fare në fund ardhacakut karpatian (serbosllav) poeti Hajra, do t'i jap një këshillë:

Ti, si shpendkeqe njeri je

Zot shtëpie do të më bëhesh!

Mbi çatinë time mos ndjell zi!

Mos më thirr kob!

Ti, ndjellakeq, kobzi

Gjarpëron labirinteve të historisë

Urith, as i gjallë as i vdekur

Rri mbyllur aty në gropën e mizorisë.

sepse:

Netëve të errëta mbi shtëpinë time

Kot ndjell kob!

Agoninë, gjumin e pakohë, e kemi tretur!...

(Poezia MOS MË NDILL KOB)

dhe sërish i porosit këta shovinistë të pështirë:

... sa rëndë shkelët Diellinën

Blerimin hija e juaj...

(ajo) kurrë s'do ju bindet

As do ju njohë për t' zot!

E ju, futë, fund e krye

Me emra shenjtërish maskuar

Vetëdigjuni në urrejtjen tuaj

Korba, matufë, djaj të harbuar!

(Poezia SOT NË DJELLINË)

Kësofare, poeti Hajra vë në pah qëndresën e përgjithshme si tipar i karakterit kombëtar të shqiptarëve me një gamë të gjerë nuancash (qëndresë, kundërshtim, revoltë...) që është e ngulitur thellë në natyrën e çdo atdhetari.

Fjalët e tij burojnë nga zemra, por edhe thuhen me zemër.

Poezi tjera në përmbledhjen “Mos e shuani ditën” të poetit Hilmi Hajra janë edhe poezitë përkushtuese për prindërit (poezia PRINDËRVE, PËRMALLIM NË KUJTIME…), ku në këtë të dytën, nëpërmjet figurës së Nënës Havë, ka ravijëzuar portretin tipik të nënës shqiptare, e cila, kur i biri vonohej:

...s’bënte gjumë

Në dhomën e vogël

N' avlëmend thurte shtroje, qepte...

Mbi qepalla të saj

Gjumi vend nuk gjente

figura e së cilës atij i rikthehet me:

Një palë gërshërë, një arkë, ca foto

...

Kur në pritje, lehtas këndonte

Një varg për mua

Një për nusen time…

dhe s’do mend se portreti i saj e mallëngjen poetin.

Poezi tjera kushtuese janë edhe ato dedikuar nipave të tij, Artit e Deonit (JU... ), që për poetin (gjyshin):

E qeshura (e tyre është)- gurgullimë freskuese

Një rrjedhë jete plotë shpresë

Belbëzimi i fjalës së parë- melodi

Gëzim, dashuri, ligjërim

Këngë bilbili në mëngjes.

(Poezia JU... )

Ai do të vargëzojë edhe për mërgimtarin Moni Halili- 1979-2015, SHBA (poezia NË PRITJE). Pastaj poezitë kushtuese do t’i vazhdojë edhe për renë e tij, Anitën, nusen e të birit (poezia ANITË) që është një perlë elegjiake, që për autorin dhe për familjen, do të mbetet prore:

Dhimbë… hollë mbuluar me ngushëllim

Nga shikimi ... paqësor -mirësi e pashuar...

E për të dy bijtë ...

Dashuri e munguar…

(Poezia ANITË)

Të kësaj natyre janë edhe poezitë: LOT NDARJESH (për shpërnguljet në Turqi), DO TAKOHEMI... (nxënësve- motivuar në ceremonialin e përcjelljes në pension), PËR TË GJITHË NXËNËSIT E MI, ku autori-mësues: Të gjitha që kish për t`ua thënë, ua tha me lot! Pastaj poezia GJENERATË... dedikuar gjeneratës së normalistëve, 1970/71, të Shkollës Normale “Hasan Prishtina” në Mitrovicë.

Të bukura janë edhe vargjet e poezisë BARASPESHIM, nxitur nga poezitë dhe në kujtim të prof. martir Latif Berisha, që autori i ka skalitur bukur me antiteza të goditura; LIGJËRO, DONIKË... (nxitur nga një debat i zonjës Donika Gërvalla, në tv gjerman)...

Motivi i mërgimit zë një vend të gjerë në përmbledhjen e poetit Hajra.

Të tilla janë: (PËRMALLIM NË KUJTIM, NË PRITJE, LOT NDARJESH, N`RREZE SHPRESE VARË..., GURGULLIMË LOTËSH, FATI E NDJEK FATIN, NË PËRCJELLJE, FËMIJËVE MËRGIMTARË etj.).

Do të përmendim disa veçori teoriko-letrare të artit poetik të Hilmi Hajrës

- Me pak përjashtime poezitë e Hajrës shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s’janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetit. Atë që mund ta thuash me pak fjalë, thuaje, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, sepse kjo flet jo vetëm për talent, por edhe për punë e ndërgjegje artistike të çdo autori, në këtë rast edhe për Hilmi Hajrën.

- Poeti Hilmi Hajra e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën pozitive të këtij autori për të qenë origjinal, por flasin edhe për kuptimin e drejtë që ai ka për figuracionin poetik.

-Ky poet i talentuar, në punën e tij krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Pra, edhe për punë të fjalorit ky autor ka treguar një kujdes të veçantë. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat