Blerja e heshtjes së “intelektualëve”!

Kultura

Blerja e heshtjes së “intelektualëve”!

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 12:51
Ilustrim

Konformizmi i intelektualëve në përgjithësi dhe ai i artistëve në veçanti, ka bëri që ata t’i mbulojë çarçafi i mospërfilljes nga pushtetet demokratike. Kjo gjendje, pak a shumë, është e njëjte në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët. S’do mend se ky konformizëm është pasojë e blerjes së heshtjes së tyre për një çmim qesharak. Pra, intelektuali dhe artisti shqiptar sot sikur ka mbetur pa dinjitet, edhe atë vullnetarisht, duke u bërë me bosht kurrizor tepër elastik, i cili lakohet sa herë që e do nevoja.

Shoqëria shqiptare po përballet dhe udhëhiqet nga kastat e padinjitetshme politike, të cilat kanë vetëm një qëllim: të bëjnë çfarë të duan, por të mos kritikohen fare. Prandaj, jo vetëm që lehtësisht i blenë mediumet, por edhe intelektualët e paktë dhe “intelektualët” e shumtë, sidomos artistët, të cilët e shitën heshtjen e tyre për lekë të marra pikërisht prej tyre. Pra, ata e shitën veten me lekët e tyre. Ose që të thjeshtësojmë akoma më shumë: pushtetari t’i merr lekët dhe me lekë e tua të blen ty. Është absurde, por e vërtetë. Dhe ja në ç’nivel ka rënë “intelektuali” ynë, i cili i nënshtrohet një diletanti politik, të cilët i është mundësuar thjeshtë të përjetojë orgazme ditore dhe kënaqësi tjetra që i ofruan keqpërdorimi i pushtetit dhe demokracisë.

Një duhet të jetë e qartë: me preferenca partiake nuk bëhet kulturë, mbase kjo është tepër e rrezikshme. Rezultati i shpallur nga Konkursi vjetor i Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për përkrahjen e projekteve në veprimtari të ndryshme, qartë tregoi se politika i ka futur thellë gishtat edhe në këtë sektor, kurse pos disa reagimeve të vetmuara (dhe pa efekt), mungoi zëri i vërtetë. Mungoi, sepse po që se shihen tabelat e projekteve të përkrahura, atëherë secili do ta ketë të qartë se për çfarë në fakt bëhet fjalë. Disa “artistëve” vazhdon t’u shkojë kungulli mbi ujë, por edhe gjel t’u bëjë vezë, sepse janë konformist të regjur dhe fare nuk turpërohen për faktin se janë të përshtatshëm për çdo pushtet. Është shumë tragjike kur artistit ana materiale i bëhet obsesion në dëm të anës shpirtërore. Kur zhvendoset shpirtërorja, atëherë nga artisti s’mbetet gjë dhe fillon faza e shndërrimit të tij në tregtar. Pothuaj e njëjta gjendja është edhe në Shqipëri e Kosovë. Janë disa të ashtuquajtur “artistë”, të cilët “mjeshtërinë artistike” të tyre e përdorin vetëm për t’u kamufluar para vetvetes se kinse janë një lloj opozite konstruktive. Por, pavarësisht se ata bëjnë përpjekje ta mashtrojnë vetveten, para botës janë aq të tejdukshëm, sa që mbeten lakuriq.

Konformizmi i intelektualëve ka bërë që ata më të mos jenë zë i së vërtetës, por një zë i shurdhur dhe aspak i përfillur. Heshtje e tyre vetëm ia hap shtegun së keqes, e cila e keqe më nuk na vjen nga jashtë, por gjendet brenda shoqërisë shqiptare. Jo gjithmonë heshtja është flori. Sepse në heshtje nuk fshihen gjërat që shihen edhe nga qielli.../HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat