Letërnjoftimi i ngjarjeve dhe i figurave

Kultura

Letërnjoftimi i ngjarjeve dhe i figurave

Nga: Baki Ymeri Më: 14 mars 2022 Në ora: 12:44
Kopertina e librit

Pas librit “Hotel Bejruti”, botim i GRUPIT KOHA, me shkrime mjaft atraktive nga përvoja e kaluar në cilësinë e korrespodentit të “Rilindjes” në Bejrut, njëri nga doajenët e gazetarisë në Kosovë, Nehat Islami u prezantohet lexuesve me një tjetër libër të ri: “Një adresë në Bukuresht”, botim i “Faik Konicës” në Prishtinë, 2016. Ky libër është vepër me vlerë të rrallë në fushën e publicistikës, një dëshmi për kohën dhe përkushtimin e Nehat Islamit me kontributet shkrimore të përzgjedhura në të, nga periudhat kohore prej pesëdhjetë vjetëve, shkruan Ibrahim Kadriu.

Si një letërnjoftim për ngjarje dhe figura autoritetesh, libri “Një adresë në Bukuresht” ka rëndësi të veçantë pikërisht për shkak se është sajuar me përmbajtje të tilla që shënojnë kohët, ecjet dhe ngecjet e atyre kohëve, të barasvlershme me dëshmitë që sot, vërtet, i atribuohen faqeve të historisë. Të tillat shkrime, gjithnjë me emblemat e konotacionit kombëtar, janë shembujt tipikë që bëjnë me dije përkushtimin e gazetarëve shqiptarë (në ato kohë plot sfida e shqetësime) për zbardhjen e realiteteve edhe kur ato ishin të hidhura, përmes gazetarisë hulumtuese si qasje, dhe përmes reportazheve dhe intervistave, si lloje shkrimesh.

Që në fillim autori u drejtohet lexuesve me idenë, përkatësisht qëllimin e publikimit të librit, se “me këtë libër u përpoqa të nxjerr nga hija e harresës disa nga shkrimet e mia të botuara në kohë të ndryshme. Në ato kohë gazetarit Nehat Islami i ka ndodhur të ndeshet me anomali të burokracisë së kohës ndaj të cilave nuk ka mundur të jetë indiferent, ka përshkruar ngjarje dhe kundërthënie. Kësisoj na dalin shkrimet “A na jepni nxënës hua”, “Shkëlqimi trishtues i një ore dore të artë”, mbi tretjen e fitimeve të “Trepçës” në llogaritë jashtë Kosovës, “Variola vera, diversion apo rastësi”, e të tjera të ngjashme.

Në këtë vazhdë janë temat e tjera, të politikës ndërkombëtare me fokusim mbi realitetin represiv në Kosovë, siç janë shkrimet: “Faji dhe kujtesa, OKB-ja dhe Kosova”, “Libri i bardhë me faqe të zezë”, me dokumente të falsifikuara antishqiptare, “Faktori rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së” dhe shkrime të tjera në formën e intervistave me personalitetet më të njohura të kohës, nga fusha e politikës (ndërkombëtare), po ashtu edhe nga fusha e artit. Është intervista me Sir Reginald Hibbertin, me mendimet e tij mbi shqiptarët, mbi Kosovën, Shqipërinë... mandej intervista me prof. dr. Bogdan Deniqin, i cili që në atë kohë të intervistimit (më 1991) shprehej se Republika e Kosovës do të ishte gati një zgjidhje optimale; intervista me Eva Brendlin, që ishte njëra nga ekspertet më të shquara botërore për të drejtat e njeriut dhe anëtare e shumë forumeve ndërkombëtare të kësaj fushe.

E kësaj natyre, domethënë të politikës ndërkombëtare, është edhe intervista me liderin kurd, Xhalal Talabani, të zhvilluar më 1974, nga i cili mësojmë për fatin e kurdëve, për shkatërrimin e 5.000 fshatrave të tyre nga ana e ushtrisë irakiane të Sadam Hyseinit. Në mesin e intervistave, të personaliteteve me famë botërore, është edhe ajo e zhvilluar me ndjekësin më të madh të nazistëve, Simon Wiesenthal.

Libri “Një adresë në Bukuresht” shquhet edhe për faktin se në të Nehat Islami sjell portretet përmes intervistave të shkrimtarëve dhe intelektualëve më të njohur të kohës, të krijuesve me përmasa ndërkombëtare, siç janë Zhak Prever (Jacques Prevert), Naguib Mahfouz, nobelist egjiptian. Ky i fundit shfaq përshtypjet e tij për shqiptarët, duke madhëruar emrin e themeluesit të Egjiptit, të shqiptarit Mehmet Ali Pasha, të cilin e cilëson si vizionar e mendjendritur. Nga dy takimet me Miroslav Kërlezhën, Nehat Islami sjell të dhëna interesante përmes të cilave dëshmohet interesimi i Mirosllav Kërlezhës për shqiptarët, takimi i tij me aktorët (dhe shfaqjen e tyre) në Teatrin Shqiptar të Shkupit.

Shkrimi tjetër portretues është dhënë përmes përshtypjeve që Nehat Islami i kishte nga qëndrimi në Bukuresht, ku ishte takuar dhe kishte bërë intervistë të gjatë me Viktor Eftimiun, që llogaritet si shkrimtari më i madh rumun, me prejardhje shqiptare. Ai ishte nga Boboshtica e Korçës, autor i mbi 125 veprave - drama, romane dhe kishte mbi 60 mijë vargje.

Nga shkrimet e tjera në këtë libër, me vlerë e domethënie të veçantë, janë intervistat me këngëtaren e famshme Marije Kraja dhe ajo me ilirologun Aleksander Stipçeviq, e sidomos intervista me piktorin e madh Ibrahim Kodra. Kjo intervistë ishte e para (më 1966) që një gazetar shqiptar kishte zhvilluar me piktorin shqiptar, i cili ishte bashkëkohës i Ernest Koliqit, Pikasos dhe i shumë emrave të tjerë të famshëm të artit e të letërsisë, të cilët edhe i kishte miq. “Një adresë në Bukuresht”, me këto shkrime që përjetësojnë ngjarje e njerëz nga një kohë tashmë e largët, ia vlen të jetë në fondin e librave të secilit dashamir të fjalës së shkruar, sidomos literaturë për shkollat e gazetarisë.

ISHTE AI GJAK I FLAKTË SHQIPTARI QË I USHQENTE ME ENTUZIAZËM TË PARËT TANË

(Fjala e Asdrenit me rastin e varrimit të Arhimandrit Harallamb Çalamani në Bukuresht[1])

Shqipëtarët, si brenda edhe jashtë, s’kanë kohë të mentohen për gjëra të larta, të cilat i lartësojnë si ata vetë, si edhe atdheun që i lindi. Këta të sotmit nuku u ngjasin aspak atyreve burrave të brezit të shkuar, që me veprat e tyre patriotike, shkëlqyen si ylli i motshëm në mes të errësirës. Sot Shqipëtarët hahen e grihen në mes të tyre për punë interesi, smërira personale, duke ia vënë kazmën themeleve të shtetit tonë të ri. Shqiptarët s’kanë kohë t’i peshojnë mundimet e çdo idealisti, e t’u japin meritën e duhur.

Themi i lumtur se me veprat e tua dëfteve me mjaftësi se munde të bësh gjë. Fatzi se siç duket faqëza, arrijte në gjendjen aq sa kurrkush më s’ta vinte fillin, provë se vdiqe në një shtrat të një spitali, siç vdesin të gjithë ata që lënë veten e tyre më poshtë se interesi, dhe shërbyen një ideal të naltë, që s’munt ta bëjë çdo njeri. Të mbaj mënt kur ardhe, dhe me gjithë që nuk ishe pregaditur për një lëvizje kishtare kombëtare, vullneti yt e dëfteu se me tërë fuqinë që pate, fillove punën dhe e mbarove me gjithë pengimet që të delnin në të djathtë e në të mëngjër asokohe, dhe sot prapë aty tu dha ta mbarosh jetën tënde të turbullt.

Thom të turbullt se shqipëtarët nuk janë akoma të zotërit t’i çmojnë njerëzit e tyre që rentnë dhe u tretnë për një ideal të lartë saqë këtu kishe edhe fuqi të lëkundesh na sgjonje me fjalimet e tua vërejtjen që të punojmë, por posa fuqia më s’të ndihmoi, u hoqe dhe vajte në Shqipëri, duke pandehur se do të gjesh prehjen që të duhej në pleqëri, por mjerisht as atje tek djepi yt, nuk e gjete atë prehje. Shqipëtarët e Shqipërisë, si dhe ata të jashtmit, s’kanë kohë të peshojnë mundimet e bëra të çdo idealisti, e t’i japin meritën e duhur.

Shqipëtarët, si brenda edhe jashtë, s’kanë kohë të mentohen për gjëra të larta, të cilat i lartësojnë si ata vetë, si edhe atdheun që i lindi. Këta të sotmit nuku u ngjasin aspak atyreve burrave të brezit të shkuar, që me veprat e tyre patriotike, shkëlqyen si ylli i motshëm në mes të errësirës. Sot Shqipëtarët hahen e grihen në mes të tyre për punë interesi, smërira personale, duke ia vënë kazmën themelve të shtetit tonë të ri. Shqipëtarët sot më s’janë ata burra kryelartë që nderonin çdo karakter të mirë, dhe nderoheshin prej çdo njeriu që dinte t’u peshojë sjelljet. Sot Shqipëtarët, po e përsëris, kanë rënë në një tra të lik: më s’u valon ay gjak i flaktë dhe enthusiazmë që na ushqyen të parët t’anë. Ata sot i përunjen çdo dhelpre e cila para syve i përkëdhel, por mprapa u jep mynxat dhe i bën të lozin valle si ariu që është i lidhur me zinxhira në gojë.

Në varrin e hapur sot të Arqimandrid Çalamanit, le të derdhim një lot që prej këtij loti të heqim shpresën se Shqipëtarët që sot e tutje do të përpiqen që të dalin të zotërit t’u bëjnë ballë të metave të tyre, që me një mendim të njëshmë, të mundin ta ngjeshin ndjenjën patriotike në shkallën e ditëve të sotshme, dyke marrë nënë sy pësimet si mësime për të arthme. Harallamb Çalamani prehu të drejtit, dhe fryma jote le të jetë shembëll për ne që të vazhdojmë përpara veprën e filluar. I përjetshmë qoftë kujtimi yt! Bukuresht, 11 janar 1936. Shënim yni: Harallamb Çalamani ishte prifti i parë i Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit. Shërbeu në kishën e Shën Kollit (Më një Ditë), deri në ditën e fundit të jetës së tij. Nga Shqipëria e Re e Konstancës dhe arkivi i Thanas Kristo Rëmbecit, zgjodhi për shtypin shqiptar: Baki Ymeri, Bukuresht, Pranverë 2022)

[1] Prifti i parë i Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit. Shërbeu në Kishën e Shën Kollit ( Më një ditë ), deri në ditën e fundit të jetës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat