Ai u shndërrua në pranverë

Kultura

Ai u shndërrua në pranverë

Nga: Zymer Mehani Më: 21 mars 2022 Në ora: 11:04
Shefki Ali Kuleta

Rigon syri i Shqipes

Si rigon PRANVERA

E madhështi e Jotja

Sa brigje e kreshta

Ike, por s'u trete

Ndër të gjallët i gjallë

Prore mes nesh mbete-

Atdhedashuri ngjall

E Jotja trimëri

Hyri n'histori

SHEFKI zemërtrim-

Bir i kombit tim

Kënga e paktë është për Ty

Shefki trimi djalë azgan

T'i ke hyrë në histori

N’ zemër t’ popullit je vigan

Je ushtar i UÇK-së

gjak i pastër arbëror

luftëtari i lirisë

trim hero - madhështor!....

Më 20 maj të vitit 1970, në fshatin Shpat (Tërnavë) të Podujevës, u lind dëshmori i kombit, Shefki Kuleta, në një familje që njihet për traditë atdhetare dhe dashuri arsimore.

Shefkiu, shkollën fillore e kreu në vendlindje, në shkollën “Jeta e re”, ndërsa të mesmen dy vite i kreu në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, kurse vitin e tretë dhe të katërtin në Normalen e Prishtinës, drejtimi i matematikës. Pas shkollës së mesme, të cilën e kreu sukses të lartë, i lindi dëshira për t’u regjistruar në Mitrovicë në Fakultetin Xehtaro – Metalurgjik, Dega e xehetarisë. Si student e kuptoi vlerën e lirisë. Si shkak i rrethanave të vështira që ekzistonin në Kosovë, ai u frymëzua me ndjenja patriotike të popullit dhe vuajtjet të cilat i përjetoi edhe vetë gjatë shkollimit. Diplomoi më 19.02.1998 në Prishtinë, pas tërheqjes së Fakultetit Xehtero – Metalurgjik nga Mitrovica në Prishtinë, dhe mori titullin Inxhinier i xehetarisë. Ishte mjaft aktiv në të gjitha protestat dhe demonstratat që mbaheshin dikur si forma të shpeshta për të kundërshtuar regjimin serb që dita ditës po ua ngushtonin hapësirën dhe veprimin dhe po ua rrëmbente shqiptarëve edhe atë pak liri që e kishin pasur për disa vite. Ishte pjesëmarrës aktiv i demonstratave të viteve 1988-89 dhe në protestat studentore ishte pjesëmarrës i dalluar. Si kuadër i shkolluar dhe njeri përparimtar ka ndihmuar jetën plurale në rrethin e tij. Shefkiu në këto anë njihej si njeri me virtyte të larta njerëzore.

Pas daljes në skenë të UÇK – së Shefkiu pa hezituar dhe pa humbur kohë lajmërohet në Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë ku vendos kontaktet e para me Fatmir Humollin dhe kushëririn e vet Agim Kuleta i cili veproi një kohë të gjatë në ilegalitet.

Nga ky takim që kishte Shefkiu e merr detyrën dhe orientohet që kontributin e tij në vazhdim ta japë në Zonën Operative të Llapit. Menjëherë lajmërohet për në Bajgorë për përgatitjet ushtarake dhe fizike. Përgatitjet e duhura ushtarake i përfundoi në korrik të vitit 1998. Pasi i mbaroi stërvitjet ushtarake në Bajgorë me shumë shokë të tjerë niset për të shkuar së bashku në Shqipëri për të sjellë armatim për pjesëtarët UÇK-së. Ai fare nuk i përtonte rrugës së gjatë dhe me plotë rreziqe në të cilën pësuan shumë nga luftëtarët e UÇK – së. Pas kthimit nga Shqipëria të gjithë ushtarët që kishin qenë atje, Komanda e ZOLL – it i lejon të bëjnë një pushim të shkurtë në shtëpitë e tyre. Gjatë kësaj kohë fillon Beteja e njohur e Kaqanollit e cila zhvillohet për tri ditë me radhë 15,16 dhe 17 shtator 1998, në kodrën ku bashkohet Llapi me Shalën. Me të kuptuar se çfarë po ndodhte, Shefkiu e ndërprenë pushimin sepse ngjarjet që zhvilloheshin nuk i lejohet që askujt të bënte pushim. Ai nëpër flakën e pushkëve, duke kaluar një rrugë të gjatë nga fshati i lindjes deri në vijën frontit arrin që të bashkohet me shokët e tij.

Shefkiu ishte i vetëdijshëm për bashkërendim e detyrave të veta i cili rreshtohet në mesin e ushtarëve të lirisë në vijën e parë të frontit. Më vonë pas themelimit dhe zgjerimit të strukturave dhe formacioneve ushtarake në ZOLL, formohet edhe njësiti “Kështjella -26” që vepronte në anën e djathtë të magjistrales Prishtinë – Besianë ( në fshatin Shpat ). Gjatë kësaj kohe Shefkiu angazhohet për të kryer edhe shumë punë të tjera që kërkohej të mbaheshin vazhdimisht lidhje me qytetin e Prishtinës.

Nga njësiti “Kështjella - 26” për ndihmë vendeve të tjera u shkonin ushtarë të shumtë, pavarësisht ku zhvilloheshin betejat si në Kodrioni (ish Godishnjaku), Burimi (ish Buricë), Penuh etj.

Shefkiu mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në Zonën e Llapit, ndërsa herën e fundit ishte përgjegjës i njësitit “Kështjella – 26”. Në ditën e pranverës, 21 mars 1999 ushtria serbo – sllave kishte marrë ofensivë në tërë ZOLL-in.

Shefkiu përsëri ishte në vijën e parë të frontit, dhe ju kishte afruar shumë afër pozicioneve të armikut me mortajë dore dhe me automatik ku bie heroikisht në fushën e nderit. Edhe pse me bindje fetare dhe me pseudonimin Hoxha, kishte dashur që fjalët e thëna eventualisht të ndonjë myftiu t’i dëshmonte me veprën më të madhe më të lartësuar para atdheut dhe zotit.

Me 21.03.1999 ishte ditë e vështirë për luftëtarët e lirisë ku armiku barbar me tërë potencialin ushtarak sulmonte pozicionet e UÇK-së, në këto anë të Llapit, në fshatrat Kodrion dhe Penuh. Në mbrojtje të vendit në vijën e frontit ishte edhe Shefkiu që ra dëshmor në ditën e pranverës, në prag të pranverës kosovare. Shokët e Shefkiut u treguan të guximshëm dhe solidar, si në front ashtu edhe në tërheqjen e kufomës së shokut të tyre Shefkiut. Varrimi i tij u bë në fshatin Kodrion në orët e vona të natës nga shokët e tij. Pas pesë muajsh largim me dhunë nga Kosova familja e tij kthehet nga Gjermania në atdhe.

Rivarrimi i dëshmorit të kombit Shefki Kuleta është bërë më 9 shtator 1999, ku trupi i tij zhvarroset dhe nga Kodrioni sillet për tu rivarrosur në varrezat e fshatit të lindjes së tij në Tërrnavë ku edhe sot prehet i qetë nënë hijen e blinjve në varrezat e fshatit. Rivarrimi i Shefkiut është bërë me ceremoni madhështore dhe në te kanë marr pjesë përpos shokëve të luftës edhe shumë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare. Shefkiu nuk ishte i martuar. Ai ishte fizikisht i zhvilluar dhe kishte një trup sportisti por dhe ishte një intelektual i dalluar. Në përvjetorin e dytë të rënies së tij në vendin e rënies në Kodrion, nga ana e familjes dhe shokëve të tij i ëshët ngritur lapidari. Ndër shokët më të afërt gjatë luftës kishte Shaban Avdiun (tash dëshmor i kombit).

Pas luftës për kontributin e dhënë të dëshmorit për lirinë e vendit familja e dëshmorit është nderuar me disa mirënjohje si nga SHP i UÇK-së, nga SHP i ZOLL-it, SHFD në Podujevë, KK i Podujevës etj. Ndërsa sot me krenari shkolla e fshatit Tërnavë e mban emrin e dëshmorit të kombit Shefki Kuleta.

LAVDI DËSHMORIT SHEFKI KULETA!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat